• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Lajmet - BLIC |
e Hënë, 23 Nëntor 2009 10:03 |
Prishtinë - Ligjvënësit e Republikës, pritet të shqyrtojnë sot projekt-propozimin e qeverisë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Kjo seancë pritet me interesim, për shkak se perceptohet si sprovë e qëndrueshmërisë së koalicionit qeverisës, i cili pati një krizë, javën që lamë pas. Kryesia e Kuvendit, ka më shumë se 10 ditë që e kishte caktuar 20 nëntorin, ditën kur do ta shqyrtonte buxhetin për vitin 2010.
Ndërkaq, Qeveria, të njëjtin buxhet, në vlerë prej një 1.461 milionë euro, e ka miratuar më 30 tetor.
Prishtinë - Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka fituar në tri komuna, ndërsa është në balotazh edhe në 11 të tjera, pas arritjes së marrëveshjes me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për komunën e Dragashit, Prizrenit dhe Gjilanit, vazhdonë t’i kërkojë partnerët e radhës për balotazhin e 13 dhjetorit.
Këtë e ka konfirmuar nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu. Ai tha se LDK-ja po bën koalicione, sipas specifikave të komunave dhe se nuk mund të jepet ende një regjistër i plotë, se ku dhe me cilën parti LDK-ja do të hyjë në koalicion.
Prishtinë - Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, tha se duhet të bëhet një ndarje, në mes të koalicioneve për nivelin qendror dhe atij në nivel lokal. “Niveli lokal i qeverisjes dhe gara për kryetar, është diçka që ne e shohim të veçantë nga niveli qendror”, tha Stavileci, duke i komentuar levizjet e fundit të LDK-së.
Gara kryesore gjatë balotazhit pritet të zhvillohet nëpër komunat e mëdha, siç janë Peja, Prizreni, Gjilani e Mitrovica.
Për këto dhe zona të tjera në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk përjashton asnjë marrëveshje paraprake me partitë e tjera, përveç PDK-së.
Prishtinë - Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka konfirmuar se, pas një vonese për shkak të disa shkaqeve teknike të cilat kanë ndodhur gjatë transportit, në Kosovë kanë arritur 5000 doza të vaksinave kundër virusit të gripit të derri, A/H1N1.
Këto vaksina janë donacion i qeverisë së Turqisë, ndërsa nga sot do të fillojë procesi i vaksinimit.
Vendi ynë ka regjistruar dy raste të vdekjes nga virusi A/H1N1, ndërsa dhjetëra të tjerë janë të infektuar. Prishtinë - Nesër në Londër do të mbahet Forumi i parë për investimet, mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës. Ky forum është organizuar nga Ambasada e Kosovës në Londër dhe Agjencioni i konsultave për investime, me seli në Londër, DMA.
Në këtë forum Kosova do të përfaqësohet nga një delegacion i lartë qeveritar, në përbërje të të cilit do të jenë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi.
Tiranë - Të shtunën në mbrëmje, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë përfundoi spektakli i muzikës së lehtë shqiptare “Kënga magjike 2009”.
Sipas votimeve nga vetë këngëtarët, vendi i parë iu takoi këngëtarëve Rosela Gjylbegu dhe Eliza Hoxha, me këngën “Rruga e zemrës”, tekstin e së cilës e ka shkruar vetë Eliza Hoxha, ndërsa muzikën e ka komponuar Darko Dimitrov.
Ky festival solli edhe shumë çmime të tjera, si çmimi i internetit, i cili i takoi Elvana Gjatës dhe çmimi i publikut, Adelina Ismailit.
Prishtinë - Kikboksieri kosovar, Xhavit Bajrami, ka arritur të mbrojë titullin e kampionit të botës, në kategorinë e rëndë, versioni ISKA, duke e mbyllur me barazim sfidën ndaj francezit, Fredi Kemajo.
Pas meçit prej 5 rundesh, Kemajo u shpreh i pakënaqur me vlerësimin e gjyqtarëve, duke thënë se fitorja i ka takuar atij.
Në anën tjetër, Xhavit Bajrami është shprehur i lumtur që arriti të mbrojë titullin në këtë version, por u shpreh se dëshira ishte që këtë ta bënte me fitore.
Sidoqoftë, edhe me barazim, Bajrami tha se mbetet i kënaqur, pasi që kundërshtari i tij ishte shumë i papërshtatshëm.
Në këtë garë mori pjesë edhe kikboksieri nga fshati Shajne e Dragashit, me banim në Zvicër, Blerim Rashiti, i cili me shkathtësitë e tij doli më i përgatitur nga të gjithë garuesit tjerë.
|