• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
e Mërkurë, 10 Mars 2010 16:10 |
Prizren - Prizreni do t’i ketë tre nënkryetarë të komunës në këtë mandat. Zyrtarët më të lartë komunalë konfirmuan se do të respektojnë marrëveshjen parazgjedhore me Aleancën Kosova e Re, duke i dhënë këtij subjekti postin e nënkryetarit. Megjithatë, sipas zyrtarëve të kësaj komune, shtimi i një nënkryetari bëhet edhe për shkak të volumit të punëve që ka kjo komunë. Ndërkohë, ende vazhdojnë negociatat për formimin e ekzekutivit lokal, ku është paralajmëruar edhe mundësia e zgjerimit të numrit të drejtorive komunale.
Partia Demokratike e Kosovës në Prizren, ka deklaruar se deri në mesin e kësaj jave do të deklarojë përbërjen e re të qeverisë lokale.
Prishtinë - Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje qytetarëve, për kujdes të shtuar në komunikacion. Në javën e parë të muajit mars, sipas kësaj ministrie, 7 qytetarë kanë humbur jetën tragjikisht, në 5 aksidente rrugore, në tërë vendin.
Policia, siç thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Brendshme, tashmë ka hartuar një plan të përkohshëm, të quajtur “Shpëtimi i jetës”, me qëllim që të minimizojë aksidentet me fatalitet.
Prishtinë - Kryeministri, Hashim Thaçi, ka gjasa që shumë shpejt të largojë nga qeveria e tij një ministër, për të cilin zyrtarë ndërkombëtarë i kanë dhënë dosje për keqpërdorimet që ka bërë ai.
Gazeta, Koha Ditore, njofton se nga burimet e veta ka mësuar se ministri në fjalë është i fuqishëm politikisht dhe se vjen nga një dikaster i rëndësishëm i qeverisë Thaçi, dhe se dyshohet se ai ka përvetësuar dhjetëra miliona euro, ndërsa kërkesa për shkarkimin e këtij ministri i është bërë drejtpërdrejt kryeministrit, Hashim Thaçi, javën e kaluar.
Beograd - Serbia mund të bashkëpunojë me Kosovën, por kjo nuk do të thotë se ajo e njeh pavarësinë e saj, tha ambasadori britanik në Beograd Stephen Wordsworth, duke marrë shembullin e marrëdhënieve të Gjermanisë së dikurshme Perëndimore me atë Lindore
Sipas ambasadorit britanik, është me rëndësi që Beogradi dhe Prishtina të fillojnë të komunikojnë për problemet praktike, ndërkohë që ka refuzuar të komentojë një deklaratë të ministrit të jashtëm serb, Jeremiq, i cili ka thënë se, nëse duhet të zgjedhë midis BE-së dhe Kosovës, do të zgjidhte Kosovën.
Bruksel - Serbia në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet anëtare e BE-së, pa e njohur pavarësinë e Kosovës. Kështu ka deklaruar sekretari belg për çështje evropiane, Olivier Chastel.
Sipas tij, Beogradi duhet të jetë i vetëdijshëm se partnerë në çështjen e anëtarësimit në BE, nuk është Komisioni Evropian por 27 vendet, anëtare të Bashkimit Evropian, 22 prej të cilave tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Zyrtari i lartë belg për çështjet evropiane tha se, as Serbia dhe as vendet tjera të Ballkanit perëndimor, nuk kanë arsye për optimizëm të tepruar në çështjet e integrimit, gjatë kryesimit të Bashkimit Evropian nga Belgjika, që nis në qershor të këtij viti.
Podgoricë - Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviq, ka kritikuar ashpër Serbinë, duke e akuzuar se ajo ka për qëllim ta paraqesë Malin e Zi, si shtet kriminal.
Në një intervistë për televizionin malazez, Gjukanoviq ka thënë se Beogradi synon ta komprometojë shtetin malazez, duke e paraqitur ata si vend që nuk ka kapacitete juridike për të qenë shtet i pavarur. E gjithë kjo, ka thënë Gjukanoviq, nuk bëhet për shkak të qëndrimit malazez ndaj Kosovës, por problem thelbësor është pavarësia e Malit të Zi, me të cilin fakt ata nuk janë pajtuar ende. Por, sipas kryeministrit malazez, Serbia ka probleme me të gjitha shtetet e rajonit, dhe jo vetëm me Malin e Zi.
|