• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
e Mërkurë, 31 Mars 2010 21:08 |
Dragash - Sot u mbajt seanca e tretë e radhës e Kuvendit Komunal të Dragashit, në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje lokale dhe Statutit komunal. Në këtë mbledhje u miratua raporti vjetor financiar i Komunës, për vitin 2009, ndërkaq propozim-rregullorja mbi kushtet dhe kriteret e dhënien në shfrytëzim të tokës ndërtimore, në zonën ekonomike “Dubrava”, e cila është paraparë për ushtrimin e veprimtarive ekonomike, nuk u miratua, për shkak se delegatët nxorën një varg parregullsish, në përpilimin e saj.
Kjo rregullore, siç u tha, do të plotësohet dhe do të harmonizohet me ligjet në fuqi dhe më pas do t’i dërgohet kuvendit për miratim.
Dragash - Migrimi i të rinjve nga Gora e Dragashit, ishte temë e debatit të organizuar të martën nga Organizata Rinore e Krushevës, ku është konstatuar se migrimi paraqet një problem që i shqetëson të gjithë banorët e komunës së Dragashit.
Vezaip Kajkush, përgjegjës i Zyrës komunale për Kthim, tha se kjo zyrë është angazhuar, jo vetëm për sigurimin e kushteve për kthim të qëndrueshëm të atyre që janë larguar, por edhe për t’i ndalur në vendlindje ata që ende janë këtu.
Ndërkaq, Behar Brenolli, kryetar i kësaj OJQ-je, ka apeluar tek strukturat komunale që të bëjnë më tepër për krijimin e kushteve për të rinjtë, në mënyrë që ata të mos migrojnë.
Bresanë - Në festivalin “Flakadani i Karadakut”, i cili u mbajt për të nëntën herë në Viti, SHKA “Bresana” zuri vendin e tretë, duke arritur kështu edhe një sukses, në nivel republikan.
Në përfundim të këtij festivali, anëtarët e jurisë e vlerësuan prezantimin e shoqërisë “Bresana”, gjatë shpalosjes së vlerave të mirëfillta të folklorit opojan.
Fejsal Shaqiri, drejtues i SHKA “Bresana”, ka theksuar se ky është edhe një sukses, i cili i ka gëzuar, jo vetëm anëtarët e shoqërisë, por edhe dashamirët e folklorit opojan.
Prishtinë - Kryeministri, Hashim Thaçi, konfirmoi sot se ministra të rinj në Qeverinë e Kosovës do të jenë: Besim Beqaj, ministër i Integrimeve Evropiane; Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme; Edita Tahiri, ministre e Administratës Publike dhe Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë.
Më herët, krerët e LDK-së kanë bërë të ditur se ministër i Shëndetësisë, nga kjo parti, do të jetë Bujar Bukoshi, ministër i Drejtësisë, Haki Demolli, ndërsa Lutfi Haziri do të jetë ministër i Kulturës.
Kryeministri Thaçi tha se mbledhja e parë e Qeverisë, me përbërjen e re, do të mbahet të premten, ndërsa për zëvendësministrat do të vendoset më vonë.
Prishtinë - Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, që të shkarkojë guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepin.
Sipas disa medieve në Prishtinë, të cilat citojnë burime brenda presidencës, këtë kërkesë Sejdiu e ka nisur në adresë të Thaçit, me arsyetim se guvernatori Rexhepi ka implikime ligjore. Raportohet gjithashtu se, i pari i qeverisë, e ka mirëpritur kërkesën nga presidenti Sejdiu.
Shkup - Greqia duhet ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës, shtetësinë e së cilës e kanë njohur 22 nga gjithsej 27 shtete, anëtare të Bashkimit Evropian, ka thënë sot shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshoski. “Nëse Greqia me të vërtetë dëshiron ta promovojë planin “Ballkani Perëndimor 2014”, ajo duhet ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj çështjes së integrimeve evropiane të Maqedonisë dhe qëndrimin e saj ndaj shtetit më të ri në këtë rajon, pavarësia e të cilit është njohur nga pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian, e kjo është Kosova”, ka thënë Milloshoski.
Prishtinë - Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, njoftoi se Projektligji i Punës teknikisht ka përfunduar dhe pritet shumë shpejt që të miratohet në Kuvendin e Kosovës.
Ai theksoi se MPMS-ja, në kuadër të Komitetit ndërministror qeveritar për privatizimin e PTK-së, do të bëjë çdo gjë që është e mundur, për të drejtat dhe mbrojtjen e punëtorëve.
Rashiq i bëri këto komente, në takimin me përfaqësues të Sindikatës së pavarur të Postës dhe Telekomit të Kosovës, me ç’rast u tha se është biseduar edhe për procedurat e procesit të privatizimit të kësaj ndërmarrje, si njëra ndër më fitimprurëset në Kosovë.
Beograd - Kuvendi i Serbisë e ka miratuar rezolutën, me të cilën dënohet masakra e forcave serbe, ndaj afro 8 mijë meshkujve myslimanë, në qytetin e Bosnjës, Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.
Deklarata u miratua në orët e para të mëngjesit të sotëm, me 127 vota për, nga gjithsejtë 250 deputetë, sa ka ky institucion. Rezoluta shpreh ngushëllime dhe kërkim falje për familjet e viktimave, por ajo nuk flet për gjenocid apo masakër.
Beograd - Drejtuesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, thotë se është e palejueshme çfarëdo polemikë, nëse në Srebrenicë ka pasur ose jo gjenocid, sepse dy gjykata ndërkombëtare dhe një gjykatë kombëtare kanë provuar se atje është kryer gjenocid.
Këto komente Kandiq i bëri për BBC-në, me rastin e miratimit të Rezolutës në Parlamentin e Serbisë, me të cilën u kërkohet ndjesë familjeve të personave të vrarë, por mungon cilësimi i masakrës si gjenocid.
Duke folur për Kosovën, Kandiq tha se insistimi i zyrtarëve në Beograd, se Kosova është pjesë e Serbisë, vetëm se e çon vendin në vetëizolim. |