• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
e Enjte, 01 Prill 2010 07:45 |
Dragash - Dje u mbajt seanca e tretë e radhës e Kuvendit Komunal të Dragashit, ku u miratua raporti vjetor financiar i Komunës, për vitin 2009. Ndërkaq, propozim-rregullorja mbi kushtet dhe kriteret e dhënien në shfrytëzim të tokës ndërtimore, në zonën ekonomike “Dubrava”, e cila është paraparë për ushtrimin e veprimtarive ekonomike, nuk u miratua, për shkak se delegatët nxorën një varg parregullsish, në përpilimin e saj. Kjo rregullore, siç u tha, do të plotësohet dhe do të harmonizohet me ligjet në fuqi dhe më pas do t’i dërgohet kuvendit për miratim.
Rahovec - Shtatë hajdutë rahovecas, janë arrestuar nga policia, për shkak të vjedhjes që kanë kryer nëpër shtëpi dhe banesa të ndryshme, të pabanuara.
Zëdhënësi rajonal i policisë në Prizren, Hazir Berisha, njoftoi dje se është zbuluar dhe identifikuar një grup hajdutësh multietnik, të cilët në këtë qytet kanë kryer 16 veprave penale të vjedhjes. Ai tha se katër nga të dyshimtit janë romë, dy shqiptarë dhe një serb, që të gjithë banorë të Rahovecit.
Prishtinë - Kryeministri, Hashim Thaçi, konfirmoi dje, se ministra të rinj në Qeverinë e tij do të jenë: Besim Beqaj, ministër i Integrimeve Evropiane; Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme; Edita Tahiri, ministre e Administratës Publike dhe Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë.
Kryeministri Thaçi tha se mbledhja e parë e Qeverisë, me përbërjen e re, do të mbahet të premten, ndërsa për zëvendësministrat do të vendoset më vonë.
Prishtinë - Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, që të shkarkojë guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepin.
Sipas disa mediave në Prishtinë, të cilat citojnë burime brenda presidencës, këtë kërkesë Sejdiu e ka nisur në adresë të Thaçit, me arsyetim se guvernatori Rexhepi ka implikime ligjore. Raportohet gjithashtu se, i pari i qeverisë, e ka mirëpritur kërkesën nga presidenti Sejdiu.
Shkup - Greqia duhet ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës, shtetësinë e së cilës e kanë njohur 22 nga gjithsej 27 shtete të Bashkimit Evropian, tha dje shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Miloshoski. “Nëse Greqia me të vërtetë dëshiron ta promovojë planin “Ballkani Perëndimor 2014”, ajo duhet ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj çështjes së integrimeve evropiane të Maqedonisë dhe qëndrimin e saj ndaj shtetit më të ri në këtë rajon, pavarësia e të cilit është njohur nga pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian, e kjo është Kosova”, ka thënë Miloshoski.
Beograd - Brenda dhjetë vjetësh Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë dhe atëherë mosnjohja e pavarësisë së saj nga Serbia, nuk do të jetë relevante, ka deklaruar Miroljub Labus, ish-zëvendëskryeministër i Serbisë dhe lider i partisë G17. Gazeta beogradase “Kurir”, ka cituar Labusin të ketë thënë se edhe Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina do të shpërbëhen.“Kosova për dhjetë vjet do t’i bashkohet Shqipërisë. Më mirë është për Serbinë që të bashkëpunojë me Kosovën, por jo edhe ta njohë atë. Megjithëse, pas dhjetë vjetësh, kur ajo t’i bashkohet Shqipërisë, çështja e njohjes do të bëhet jorelevante”, ka thënë Labus.
Suharekë - Në moshën 50 vjeçare, ka vdekur Isuf Lumi, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës. Ai ishte aktivist i njohur dhe shumëvjeçar i sportit dhe kulturës në Kosovë. Kontributi i tij i veçantë ka qenë gjatë viteve të 90-ta, kur me organizimin e manifestimeve të shumta sportive dhe kulturo-artistike në Kosovë, kishte ndikuar në mbijetesën e tyre, në rrethanat e okupimit. Varrimi i të ndjerit, Isuf Lumi, do të bëhet sot, në vendlindjen e tij, në Suharekë. |