• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Lajme BLIC - 26.09.2012 |
Nga: Radio SHARRI |
Suharekë - Aleanca Kosovare e Biznesit ka marrë pjesë sot në përcjelljen e kontingjentit të parë të këpucëve për eksport në Itali, nga një fabrikë private e Suharekës. Kjo kompani punëson 150 punëtorë dhe ka kapacitet të prodhimit, 2000 palë këpucë në ditë. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, inkurajoi me këtë rast bizneset dhe prodhuesit tanë, duke thënë se, sa më shumë që eksportohet, aq më pak do të kemi import. Rrjedhimisht, sipas Shahinit, do të kemi edhe ekonomi dhe punësim më të lartë.
Prizren - Organizata “EC Ma Ndryshe”, në kuadër të projektit "Transparenca online e Komunës së Prizrenit" gjatë kësaj jave ka marrë pjesë në mbledhjen e kryetarit të Komunës, Ramadan Muja me drejtorët komunalë, ku janë nxjerrë një varg konkluzionesh. Mes tjerash, ekzekutivi komunal i ka dhënë dritën e gjelbër Drejtorisë së Administratës, për inicimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të ish-objektit të DKA-së, për nevojat e Rektoratit dhe të Administratës së Universitetit të Prizrenit. Po ashtu është miratuar edhe propozimi i DUPH-së, për ndarjen e një lokacioni për nevojat e UPZ-së. Që të dy këto propozime do t’i procedohen KPF-së dhe KK-së për miratim. Prishtinë - Në gjithë territorin e vendit tonë, gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 45 raste të aksidenteve në trafik, në të cilat janë lënduar 9 persona, ndërkaq në 36 raste aksidentet kanë përfunduar vetëm me dëme materiale. Raporti 24 orësh i policisë njofton se në Han të Elezit janë arrestuar dy shtetas të Shqipërisë, të cilët posedonin një sasi armësh në veturën e tyre, dy kallashnikov, 60-të fishekë të kalibrit 7.62, një revole e tipit TT, si dhe 141 gram substancë narkotike e llojit marihuanë. Prishtinë - Deri më 31 dhjetor të këtij viti, ish-kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, nuk do ta vuaj dënimit. Këtë ia ka mundësuar Gjykata Kushtetuese, e cila të hënën ka vendosur masë të përkohshme të ekzekutimit të dënimit, me burg prej dy vjet e gjysmë. Kushtetuesja ka nxjerrë vendimin për masë të përkohshme, derisa ta shqyrtojë parashtresën e Xhemajlit, me të cilën pretendon se i janë shkelur të drejtat elementare për gjykim të drejtë dhe nuk janë marrë për bazë faktet e mbrojtjes. Xhemajli ka arritur ta shtyjë vuajtjen e dënimit, me dokumente mjekësore, me të cilat e ka bindur kryetarin e Gjykatës Komunale të Ferizajt, se gjendja e tij shëndetësore është e keqe. Prishtinë - Kryeministri Thaçi ka gabuar, kur është deklaruar PRO bisedimeve politike me Serbinë, ka thënë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke folur për situatën në partinë e tij. Ai nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e largimit të tij nga partia, nëse reformat nuk ndodhin brenda saj. Në ndërkohë, ai ka thënë se mund edhe të kandidohet për kreun e partisë. Kryetari i Kuvendit, në emisionin e parë për këtë sezon “Rubikon”, ka thënë se ndryshimet në partinë e tij, sidomos në rritjen e demokracisë së brendshme, janë të lidhura ngushtë me qëndrimin e tij në parti.
Prishtinë - Një gjykatës vendor i procedurës paraprake, ka urdhëruar një muaj paraburgim për një të dyshuar, të akuzuar për tentim vrasje të rëndë të Elvis Hoxhiqit, të kryer në Bosnjë e Hercegovinë, në vitin 2010. Rasti ka të bëjë me Elvis Kelmendin, i cili është arrestuar fillimisht nga Policia e Kosovës, më 22 shtator, bazuar në një urdhër-arrest ndërkombëtar, por në mungesë të marrëveshjeve për ekstradim me Bosnjë e Hercegovinën, pas ndalimit 48-orësh, është lënë i lirë. Elvis Kelmendi është i biri i Naser Kelmendit, shtetasit nga Bosnja e Hercegovina, me prejardhje nga Kosova, emri i të cilit gjendet në “listën e zezë” të presidentit amerikan, Barak Obama. Prishtinë - Zyrtarët e Kosovës kërkojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura për kufirin, kurse zyrtarët e Serbisë këmbëngulin në korrigjimin e kësaj marrëveshje. Në negociatat për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare, apo siç thotë Beogradi, për kontrollin e kalimeve administrative në Kosovë, Serbia insiston që çështjet doganore, t’i zbatojë kryekëput EULEX-i. Gazeta serbe “Veçernje Novosti”, duke iu referuar një burimi të qeverisë serbe, shkruan se Beogradi shumë shpejt do të formojë një grup punues, i cili gjatë negociatave do të përpiqet të përmirësojë disa detaje të marrëveshjes aktuale, siç thuhet, të pavolitshme për Beogradin, ndërsa vëmendje të posaçme do t’i kushtohet statusit të pikave kufitare, Bërnjak dhe Jarinjë. Nju Jork - Kryeministri, Hashim Thaçi, u takua të martën në Nju Jork me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Avramopoulos, të cilin e falënderoi për qëndrimin korrekt që, sipas tij, Greqia ka mbajtur karshi procesit të integrimit evropian të Kosovës. “Ndonëse nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, Greqia asnjëherë nuk ka qenë pengesë, në rrugëtimin tonë drejt integrimit në BE. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe është realitet politik e juridik. Pavarësia e Kosovës ka prodhuar më shumë paqe dhe stabilitet në rajon”, tha kryeministri Thaçi, duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia. Tiranë - Efektet e krizës financiare, nuk i kanë penguar milionerët e Shqipërisë të gëzojnë statusin e të qenit “ultra të pasur”, siç ka ndodhur në vende të tjera të Evropës. Sipas raportit të përvitshëm të kompanisë “Wealth X”, në Shqipëri ka gjithsej 55 multimilionerë, të cilët zotërojnë në total një pasuri prej 7 miliardë dollarësh. Raporti me titull “World Ultra Wealth Report”, e rendit Shqipërinë në vendin e 37-të në Evropë, për sa i përket numrit të multimilionerëve, duke lënë pas vendet si Sllovakia, Qiproja, Bullgaria, Estonia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Ndërkohë, numrin më të madh të multimilionerëve në Evropë e ka Gjermania, e cila renditet në vendin e parë me 15 mijë 770 multimilionerë. |