• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Lajme BLIC - 22.11.2012

Mitrovicë
- Policia e Kosovës i ka tërhequr njësitet speciale, të dërguara sot në Suhadoll të Mitrovicës, për shkak të tensioneve në teren, ku janë ndërprerë punimet në ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve, në lagjen “Kroi i Vitakut”. Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë se pjesëtarët e njësitit special “ROSU” janë tërhequr në orët e vona, ndërsa punimet në rindërtimin e shtëpive në lagjen “Kroi i Vitakut” janë ndërprerë për shkak të tensioneve. “Njësitet speciale të policisë, kanë qëndruar deri në orët e vona të pasdites, në afërsi të vendit të ngjarjes, në rast të nevojës për intervenim. Mirëpo një gjë e tillë nuk është paraqitur si e nevojshme”, tha Hoti.
Mitrovicë - Në lagjen “Kroi i Vitakut” vazhdon të jetë situatë e tensionuar. Banorët e atjeshëm shqiptarë deklarojnë vendosmërinë për të qëndruar në shtëpitë e tyre. Përfaqësuesi i kësaj lagjeje, Nazmi Ismaili, ka thënë se situata është e rëndë, por se asnjë nga 25 familjet shqiptare të kësaj lagjeje nuk është larguar nga shtëpitë e tyre.
Për sigurinë në këtë lagje është angazhuar policia e EULEX-it dhe KFORI, ndërkohë që Policia e Kosovës është tërhequr, duke kërkuar që forcat ndërkombëtare ta bëjnë detyrën me përgjegjësi. Në të kundërtën, Policia e Kosovës do të angazhohet në këtë pjesë.
Mitrovicë - Duke u thirrur në burime, brenda policisë, mediat raportojnë se tetë policë të Kosovës, të nacionalitetit serb, kanë dezertuar dhe se në pozicionet e tyre janë stacionuar policë të tjerë nga rajoni i Mitrovicës. Dezertimin e policëve të nacionalitetit serb, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi rajonal i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti. Ai këtë veprim të tyre e ka quajtur si vepër antiligjore, refuzim i kryerjes së detyrave.
Malishevë - E tërë komuna e Malishevës, dje ishte pa energji elektrike plot shtatë orë. Ndërprerja ishte bërë në orën 9:00 dhe ka zgjatur deri rreth orës 16:00. Sipas njoftimit që ka dhënë zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, shkaktar i mungesës së energjisë elektrike ka qenë prishja në rrjet. “Ka pasur prishje në rrjet, nga ora 09:00 deri rreth orës 16:00. Prishja e rrjetit elektrik të Malishevës ndërlidhet me problemet në largpërçuesin që gjendet në Rahovec. Falë angazhimit maksimal, largpërçuesi është riparuar dhe tash gjithçka është në rregull”, ka thënë Buzhala, pasi është rikthyer energjia në këtë komunë.
Mitrovicë - Strukturat e sigurisë duhet të jenë më vigjilente gjatë këtyre ditëve në veri, për shkak se situata është shumë e tensionuar dhe mund të eskalojë në masa të dhunshme. Këtë kërkesë e shtroi kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, në një takim të jashtëzakonshëm të Komitetit të Sigurisë, të thirrur me qëllim të koordinimit të veprimeve për menaxhim sa më të mirë të situatës. Kastrati ka thënë se KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës duhet të shtojnë edhe më tepër numrin e pjesëtarëve të tyre në këtë rajon, sepse situata është shumë e tensionuar dhe mund të eskalojë.
Prishtinë - Presidentja, Atifete Jahjaga, emëroi sot Blerim Shalën, koordinator politik për dialogun me Serbinë. “Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, presidentja dekretoi Blerim Shalën, si koordinator politik në dialogun që po zhvillohet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca. Blerim Shala është nënkryetar i AAK-së. Ai ishte koordinator edhe gjatë bisedimeve që zhvilloheshin me Serbinë, në Vjenë, për statusin politik të vendit tonë.
Tiranë - Gjykata për Krime të Rënda, ka shpallur sot fajtor për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit, Remzi Hoxha, të pandehurin, Ilir Kumbaro, duke e dënuar atë me 15 vjet burg në mungesë. Fajtorë janë shpallur edhe dy të pandehurit e tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, por ata kanë përfituar nga amnistia, duke iu shmangur kështu dënimin me burg.
Aktualisht, ish-shefit të SHIK-ut, Ilir Kumbaros, nuk i dihet vendndodhja, pasi ai i iku drejtësisë britanike, në dhjetor 2011 dhe aktualisht është i shpallur në kërkim.
Më 21 tetor të këtij viti, janë bërë 17 vjet nga zhdukja e biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha. Që të tre ish-drejtuesit të SHIK-ut, Avni Koldashi, Arben Sefgjini dhe Ilir Kumbaro, janë akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë vdekjen e këtij të fundit.
Vlorë - Fatmir Limajt iu dorëzua sot zyrtarisht titulli “Qytetar nderi i Vlorës”, në vigjilje të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kryearti i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, e ka vlerësuar lartë personalitetin e Fatmir Limajt dhe kontributin e tij personal gjatë luftës. “Vlora ndihet krenare që nga sot e ka Fatmir Limajn qytetar nderi. Motivacioni që shoqëron titullin është Fatmir Limaj, si figurë dhe simbol i përpjekjeve të popullit të Kosovës për pavarësi, simbol i heroizmit, shpirtit të lirë, demokratik e intelektual të popullit kosovar dhe një faktor i rëndësishëm në zhvillimet politike e diplomatike për finalizimin e statusit të Kosovës”, ka thënë Gjika. Këshilli i Bashkisë së Vlorës, më 21 qershor, njëzëri e kishte miratuar vendimin për shpalljen e Fatmir Limajt, qytetar nderi.
 
 
Share