• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Lajme BLIC - 04.12.2012 |
Mitrovicë - Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Volker Halbauer, në një takim që zhvilloi me kryetarin e Mitrovicës, Avni Kastratin, i ka komentuar edhe incidentet e fundit në lagjen “Kroi i Vitakut. Ai ka thënë se “kryetarët përgjegjës të komunave dhe përfaqësuesit e komunitetit, pavarësisht etnisë apo anëtarësisë partiake, duhet të trajtohen përgjegjës, në qoftë se tensionet ndodhin përsëri”. Halbauer ka përsëritur se KFOR-i nuk ka rol në vlerësimin e aspekteve ligjore apo politike të aktiviteteve të ndërtimit dhe rindërtimit në Kosovë, por se këto aktivitete duhet të menaxhohen në frymën e pajtimit dhe dialogut.
Beograd - Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, para nisjes për në Bruksel, ka thënë se po shkon atje për të shpëtuar, atë që mund të shpëtohet. “Kurë do ta fusim në kokë, se ne na është marrë Kosova dhe, tani duhet të shpëtojmë atë që mund të shpëtohet”, u shpreh Daçiq, për të shtuar se, edhe pse Serbia e ka në kushtetutën e saj të përfshirë Kosovën, në realitet nuk është e mundur që Kosova të kthehet në përbërjen kushtetuese. “Çka prisni nga unë që të bëjë në këto bisedime? Ta bind Thaçin për kthimin e Kosovës në kornizën kushtetuese të Serbisë? Ne jemi vetëm, kundër të gjithëve. Madje, edhe miqtë tanë thonë se duhet ta bëni këtë”, ka thënë Daçiq, para nisjes për në Bruksel. Shkodër - Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfilohije Radoviç, ka provokuar shqiptarët gjatë qëndrimit të djeshëm në fshatin Vrakë të Shkodrës. I njohur si njëri nga mbështetësit e opozitës dhe protestave kundër Kosovës dhe njohjes së saj nga Mali i Zi, Radoviç ka thënë se “shqiptarët nuk duhet t`i shohin serbët si pushtues, por si çlirimtarë”. Gjatë vizitës që iu bëri objekteve të kultit dhe varrezave të ushtarëve serbë, të rënë gjatë luftërave ballkanike dhe pushtimit malazez të Shkodrës, Radoviç ka theksuar se “ushtarët serbë kanë sakrifikuar veten, për çlirimin e Shqipërisë. Kanë rënë në kohën, kur Shqipëria shpalli Pavarësinë, në atë moment vendimtar historik për lirinë e vendit”.
Prishtinë - Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, nga shkurti 2013 ndryshon procedurën e terminëve për kërkesat e vizave. Në një komunikatë për media, ambasada e Gjermanisë ka njoftuar se kjo do të bëhet, në kuadër të shtimit të shërbimeve të ofruara për të gjitha llojet e kërkesave për vizë. “Nuk është më e nevojshme paraqitja personale, për marrjen e një termini. Parashtruesi i kërkesës për vizë, mundet nga shtëpia ta caktojë terminin e dëshiruar, për një kohë që i përgjigjet atij. Në këtë mënyrë shmangen edhe pritjet e gjata në paraqitjen e kërkesës”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane në Prishtinë. Kukës - Një 17-vjeçare nga Kukësi i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvrarë me pistoletën e të atit, i cili është polic i trafikut. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Kukësit, bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, në lagjen nr.4 të qytetit të Kukësit. Por, burimet nga vendi i ngjarjes thonë se bëhet fjalë për një nxënëse të vitit të tretë, në gjimnazin “Havzi Nela”, e cila mori vendimin fatal, në një moment të thellë depresiv. Dyshohet se 17-vjeçarja kishte lidhje të ngushtë miqësie me futbollistin, Ilirian Thaçi, i cili vdiq në fushën sportive, pak ditë më parë. |