• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Lajme BLIC - 04.07.2013 |
e Enjte, 04 Korrik 2013 22:41 |
PRISHTINË - Fatmir Limaj, ish-komandant Çeliku, dhe 9 bashkëluftëtarët e tij, të akuzuar në rastin "Kleçka", të enjten janë liruar nga arresti shtëpiak, pas një vendimi që e ka marrë Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda. Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, ka bërë të ditur se trupi gjykues ka marrë vendim që Limaj dhe të tjerët të jenë të lirë, pasi që në seancën e mbajtur të mërkurën, mbrojtja e të akuzuarve ka hequr dorë nga dëgjimi i dëshmitarëve, e cila është konsideruar si arsye për vazhdim të arrestit shtëpiak gjatë muajit të kaluar. PRISHTINË - Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se është ndërprerë greva e të dënuarve në Qendrën Korrektuese të Dubravës, e cila kishte filluar para nëntë ditëve. Pas një takimi të udhëheqësve të Qendrës Korrektuese të Dubravës me Këshillin grevist, këta të fundit kanë njoftuar që e ndërpresin grevën pa kushte. Dje, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e familjeve të të burgosurve, me të cilët ka biseduar për Ligjin për amnisti, arsye për të cilën të dënuarit e Qendrës Korrektuese të Dubravës kishin filluar grevën e urisë. PRISHTINË - Në adresë të shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, shefit të Misionit të EULEX-it, ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, 34 organizata joqeveritare kanë adresuar një letër të hapur, mbi Ligjin për amnisti. “Ne, përfaqësuesit e shoqërisë civile të Kosovës, përmes kësaj letre të hapur, shprehim shqetësimin tonë për Projektligjin për amnisti. Miratimi i këtij versioni të ligjit, do të minonte gjithë përpjekjet për sundimin e ligjit në Kosovë. Ligji për amnisti rrjedhë nga Marrëveshja e parë e dialogut Kosovë–Serbi. Në parim, amnistia është e nevojshme për të riintegruar pjesën veriore të Kosovës në kornizën tonë juridike. Megjithatë, amnistia për këtë pjesë të Kosovës nuk mund të jetë një amnisti e përgjithshme për 69 veprat penale që janë kryer në pjesët tjera të Kosovës”, thuhet në letrën e 34 OJQ-ve. PRISHTINË - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka uruar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e 237-vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve. “Në emër të popullit të Kosovës dhe në emrin tim personal, përcjell urimet më të mira për ju dhe popullin amerikan. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj demokracisë dhe lirisë, diversitetit dhe barazisë, harmonisë dhe prosperitet në tokën tuaj dhe nëpër botë, është një frymëzim për Republikën e Kosovës”, është shprehur ndër të tjerash Jahjaga, në përgëzimin e saj për amerikanët. BRUKSEL - Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sot në Bruksel janë përmbyllur me sukses bisedimet e grupit punues për zgjedhjet. Në agjendë të këtyre takimeve ishte definimi i rolit lehtësues të OSBE-së, në katër komunat me shumicë serbe, në pjesën veriore të Kosovës. Me këtë rast u arritën konkluzionet për këtë çështje dhe ky rol lehtësues i BE-së do të përcaktohet përmes një marrëveshjeje teknike në mes të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ) dhe OSBE-së, që pritet të nënshkruhet së shpejti.
|