• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Gjendja jo e mirë në median e Kosovës!
e Premte, 03 Maj 2013 12:07

Prishtinë, 03 maj 2013
- Mediat dhe gazetarët në Kosovë po ballafaqohen me probleme të shumta, që nga ekzistenca e deri tek pavarësia editoriale. Kështu u tha në debatin që u organizua nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) dhe UNDP-ja, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Aty u tha se kishte 25 raste tëworld_press_freedom paraqitura nga gazetarët, si kërcënime apo shantazhe nga njerëzit e politikës. Leonard Kërçuki, anëtar i AGPK-së, tha se gjendja e lirisë së shtypit është mjaft e rëndë dhe se politika, në vazhdimësi, është në kërkim të rekrutimit të gazetarëve proqeveritarë në media. “Liria e shprehjes si dhe e mediave në Kosovë është mjaft e keqe dhe situata vetëm se po shënon përkeqësim dita - ditës. E kemi pushtetin mjaft të interesuar që të rekrutojë gazetarë dhe media të caktuara. Sot është mjaft e vështirë gjendja në mediat të Kosovës, ku qytetari i rëndomtë pret të informohet”, tha Kërçuki.
Ndërkaq, profesori i katedrës së gazetarisë, Milazim Krasniqi, tha se gjendja nuk është aq e rëndë sa paraqitet, por, sipas tij, janë edhe burimet financiare të mediave, ato që ndikojnë në nënshtrimin e tyre ndaj pushtetit. “Normalisht, media në Kosovë, duke qenë me bazë të vogël materiale, nuk është imune ndaj ndikimit të grupeve të interesit, reklamuesve të burimeve të informimit apo organeve qeveritare, sepse duke qenë ekonomia e vogël, praktikisht kompanitë kryesore që janë reklamuese, janë agjencitë qeveritare. Në këtë aspekt, ka ardhur deri te ndërlidhja e disa mediave me këto agjenci dhe në atë rast ato e deformojnë politikën editoriale, në favor të këtyre agjencive”, tha Krasniqi.
Burim kryesor i financave për mediat, thuhet se janë pikërisht autoritetet qeveritare dhe agjencitë shtetërore. Një gjendje e tillë besohet se, domosdoshmërisht, ndikon edhe në raportimet gazetareske, për shkak të lidhjeve që bëhen ndërmjet udhëheqësve të mediave dhe njerëzve të politikës. Dukagjin Gorani, këshilltar për siguri i kryeministrit Hashim Thaçi, thotë se mediat në disa raste e perceptojnë punën dhe ekzistencën e tyre mediale me mbështetjen financiare që kërkojnë ta sigurojnë nga Qeveria. “Meqenëse në vendet si Kosova distribuimi i fuqisë financiare, të shumtën bëhet përmes institucioneve të pushtetit, në njërën apo tjetrën formë, mediat fillojnë t’i afrohen pushtetit, ashtu që prej këtyre institucioneve ta sigurojnë mbijetesën”, theksoi Gorani.
Nga përvoja e tij, gazetari Arben Ahmeti, tha se problem i vazhdueshëm mbetet edhe qasja në dokumentet zyrtare. Sidoqoftë, ai tha se, me gjithë problemet, në Kosovë ka ende media dhe gazetarë që përpiqen të raportojnë paanshëm dhe në mënyrë të pavarur nga politika ditore. “Nuk e di se sa jemi të pasur në kualitetin e mediave. Megjithatë, nuk mund të themi se nuk kemi gazetari të mirëfilltë. Ka ende gazetarë që mundohen ta bëjnë punën e tyre, të raportojnë për atë që vërtet po ndodh. Mirëpo, pastaj varet gjithçka edhe nga transparenca e institucioneve dhe mundësia e qasjes së gazetarëve. Dhe, ai që është problem i pashmangshëm, janë lidhjet media – Qeveri, pasi që Qeveria është gjeneratori më i madh i financimit të shumicës së mediave”, tha Ahmeti. 
Përveç kërcënimeve dhe shantazheve, me të cilat u tha se gazetarët kosovarë janë ballafaquar gjatë punës së tyre, marketingu, tash e disa vjet, shihet si mënyrë moderne e kontrollimit të mediave. Përkatësisht, qeveria dhe agjencitë shtetërore, thuhet se përmes reklamave diktojnë edhe në politikat redaktuese dhe editoriale të mediave kosovare, të cilat ende nuk kanë arritur të jenë të vetëqëndrueshme financiarisht.
Me rastin e Ditës Botërore të Shtypit, më 3 Maj, deputetja në Kuvendin e Kosovës, Alma Lama, ka njoftuar përmes rrjetit social, se ajo ka një Projektligj, me të cilin do të mbroheshin burimet e gazetarisë. “Unë nuk bëj thirrje për të mbrojtur lirinë e medias, por punoj për ta mbrojtur lirinë e medias. Këtë e kam bërë nëpërmjet hartimit të Projektligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, e që e kam dorëzuar në Kuvend, dhe i cili ka marrë miratimin në parim nga Komisioni për Media. Shpresoj që deputetët ta kuptojnë vlerën e këtij ligji për lirinë e mediave dhe të votojnë pro”, ka thënë Lama.
 
Tentimi për ta tejkaluar këtë gjendje
 
Tregu i varfër, në të cilin gjenden mediat sot në Kosovë, ka bërë që disa prej tyre të varen, në disa raste, nga grupe të caktuara politike apo ekonomike. Ky është mendimi i analistëve të kësaj fushe, si dhe i shoqatave që tubojnë rreth vetes institucionet mediale. Përfaqësuesit e asociacioneve të gazetarëve në Kosovë, raportin e organizatës “Freedom House”, i cili pasqyron lirinë e mediave, e shohin si real, pasi Kosova, edhe këtë vit, sipas raportit, është radhitur në mesin e vendeve me gazetari pjesërisht të lirë.
Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv në Asociacionin e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, thotë se gjendja e lirisë së shprehjes në vendin tonë është e tillë, siç edhe është raportuar. “Nuk ka se si të jetë ndryshe, e kam fjalën në aspektin e mospërmirësimit të statusit të Kosovës, në kuptimin e lirisë së mediave, për shkak se rekomandimet ose gjendja, e cila tregohet në raportet paraprake, nuk merret seriozisht prej institucioneve”, thotë Mushkolaj.
Duke u bazuar në raportin e “Freedom House”, bordi drejtues i Unionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë se, edhe këtë vit, Kosova ka pësuar rënie, sa i përket lirisë së shprehjes. “Kjo gjë është faktike edhe në terren, sidomos në javët e fundit, kur sulmet ndaj gazetarëve dhe punëtorëve të medieve, përveç që janë shpeshtuar, janë bërë edhe më të ashpra dhe më të egra. Kërcënimet për jetën e gazetarëve dhe punëtorëve të medieve, si dhe familjarëve të tyre, kanë marrë një hov të madh gjatë vitit të fundit dhe kjo është shumë shqetësuese”, thonë përfaqësues të bordit të UGK-së.
Drejtori ekzekutiv i AGPK-së, Mushkolaj, konsideron se politika dhe grupet e bizneseve janë ato që, në njëfarë mase, po e cenojnë lirinë e shprehjes. “Është e vërtetë se grupet politike, gjithashtu edhe grupet e biznesit dhe grupet tjera të interesit, kanë shumë ndikim, në kuptimin që pengojnë lirinë e shprehjes dhe në kuptimin që liria e shprehjes të mos përparojë, respektivisht të mos ketë liri të plotë të shprehjes. Por, në anën tjetër, konsideroj se edhe vetë mediat duhet të jenë ato që me këmbëngulje të mos pranojnë të bien pre e këtyre ndikimeve”, vlerëson Mushkolaj.
Përveç ndikimeve politike në media, edhe marketingu, tash e disa vjet, shihet si mënyrë moderne e kontrollimit të mediave. Në UGK thonë se normat ligjore në Kosovë, në aspektin e mbrojtjes së lirisë së mediave, janë në pajtim me standardet e larta të vendeve demokratike, por zbatimi i tyre mbetet edhe më tutje një sfidë e vërtetë. “Në Kosovë, tregu medial është shumë i varfër dhe mbijetesa e mediave në këtë treg është, pothuajse e pamundur, pa mbështetje financiare nga ndonjë burim joparimor. Kjo gjë shkakton varësi të mediave, qoftë nga politika, qoftë nga biznese të ndryshme apo grupe interesi”, thotë Muhamet Jahiri, kryetar i UGK-së.
Një nga faktorët kryesorë, që politikën, biznesin dhe grupet e interesit i shtynë që të tentojnë të bëjnë ndikime në media, është rëndësia që kanë këto të fundit për të krijuar opinion publik, transmeton radio Evropa e Lirë. Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Shefki Ukaj, thotë se ndikimi i politikës në media dhe i grupeve të interesit është evident, por çështja tani është se si të dilet nga kjo gjendje. “Po shihet edhe në kohët e fundit, që është një ndikim edhe në mediat e shkruara dhe elektronike. Mendoj se duhet të gjenden forma dhe mënyra, që ta ndërpresim këtë, për shkak të rrethanave dhe proceseve demokratike që po zhvillohen në Kosovë. E gjithë kjo duhet të bëhet në mënyrë që të definohet qartë edhe interesi i mediave, si interes, kryekëput i pavarur”, shprehet Ukaj. Kurse, sociologu i komunikimeve në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Berisha, thotë se, me që Kosova është në një krizë jo të vogël, edhe në aspektin financiar, mediat kanë nevojë për ndihmë financiare. Kjo, sipas tij, bën që mediat vendore të ndikohen. Madje, Berisha nuk mendon që do të dilet shpejt nga kjo situatë, pa një zhvillim të duhur ekonomik të Kosovës. “Mediat, në aspektin financiar, janë të dobëta. Për pasojë, ato kanë nevojë për ndihmë financiare. Ndryshe, burimet kryesore financiare kontrollohen nga politika, si në biznesin privat, ashtu edhe në atë publik. Kështu, do të jetë jo i lehtë procesi i pavarësimi të plotë të mediave në Kosovë”, vlerëson Berisha.
Liria e mediave, sipas raportit më të ri të organizatës “Freedom House”, në mbarë botën, ka rënë vitin e kaluar në pikën më të ulët në disa dekada.
 

Share