• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Shënohet 20-vjetori i rënies së Murit të Berlinit |
e Diel, 01 Nëntor 2009 09:33 |
![]() Tre ish-udhëheqës botërorë, që ishin të përfshirë dhe ndoqën nga afër zhvillimet që çuan në rënien e Murit të Berlinit, janë mbledhur në Berlin për të marrë pjesë në ceremonitë që shënojnë 20-vjetorin e rënies së këtij muri.
Xhorxh Bush - i ati, Mihail Gorbaçov dhe Helmut Kol, dy dekada më parë, ishin përkatësisht president i Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe kancelar i Gjermanisë Perëndimore. Të tre shihen në botë si arkitektët kryesorë që çuan në rënien e Murit të Berlinit, ngjarja që i parapriu bashkimit të Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore në një shtet të vetëm dhe rrëzimit të komunizmit në Evropën Qendrore e Lindore. Të tre burrështetasit gjenden në Berlin me ftesë të kancelares aktuale gjermane, Angela Merkel, për të marrë pjesë në aktivitetet që do të mbahen deri më 9 nëntor, datë kjo që shënoi rënien e Murit. Të tre të ftuarit e nderit e theksuan në fjalimet e tyre se, në fund, rrëzimi i Murit të Berlinit nuk ishte vendim i krerëve politikë, por vullnet i popullit. “Ngjarjet historike, të cilat jemi mbledhur t’i shënojmë këtu nuk u vunë në veprim në Bon, Moskë apo në Uashington, por mbi të gjitha në zemrat dhe mendjet e njerëzve, të atyre që për një kohë të gjatë iu ishin mohuar të drejtat e dhëna nga Zoti. Muri i kishte ndarë ata nga më të dashurit e tyre dhe i kishte mbyllur në një situatë të dështimit të sistemit ekonomik. Por, më në fund, ai nuk mund të zgjatej deri në pikën që të dëmtonte dëshirën e tyre për liri”, tha Xhorxh Bush, i ati. Bushi dhe Gorbaçovi u bënë thirrje Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e rrugëve që çojnë drejt një të ardhmeje më të përparuar e më paqësore. “Përvoja për të cilën po flasim tani, si dhe fundi i lumtur i ngjarjeve, na mëson se duhet të bëjmë gjithçka së bashku dhe se ekziston nevoja që t’i besojmë njëri-tjetrit”, theksoi Gorbaçov. Helmut Kol çmoi lart besimin mes tre udhëheqësve të kohës, çfarë shtroi edhe rrugën drejt bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990. Kol, i cili ka qenë kancelari i parë i Gjermanisë së bashkuar, i quajti Bushin dhe Gorbaçovin, si jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe partnerë të besueshëm të Gjermanisë. Në ceremonitë e rastit mungojnë dy udhëheqës të tjerë, që luajtën rol të rëndësishëm në ngjarjet e kohës, ish-presidenti francez, Miteran, dhe ish- kryeministrja britanike Margaret Theçer. Miteran është ndarë nga jeta në vitin 1996, kurse Theçer ka probleme shëndetësore. Muri i Berlinit, që shihet si simboli i Luftës së Ftohtë, nisi të ngrihej në vitin 1962 nga autoritetet e Gjermanisë Lindore, për ta ndarë atë nga ajo perëndimore dhe për të ndaluar largimin drejt perëndimit. Më 9 Nëntor të vitit 1989 njerëz nga të dyja anët e Murit u ngjitën mbi të, në një frymë festive, derisa Muri u rrëzua brenda disa javësh. Zyrtarisht bashkimi i Gjermanisë u bë më 3 tetor 1990. (Evropa e Lirë) |