Zhduket një gomone, me 27 persona! |
Nga: Radio SHARRI
|
e Martë, 03 Shtator 2013 11:32 |
Otranto, 03 shtator 2013 - Në kanalin e Otrantos, është zhdukur një gomone, me 27 persona në bord, për të cilët dyshohet se janë klandestinë. Ende nuk ka ndonjë informacion për kombësinë, moshën apo edhe nëse kishte gra e fëmijë në këtë mjet lundrues.
Sipas një njoftimi për mediat, nga Drejtoria e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak, thuhet se ngjarja ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 21:00, kur gomonia ka lëshuar sinjalin SOS. Pas këtij sinjali, menjëherë janë nisur dy anije të Rojës Bregdetare, nga Pashalimani dhe Porto-Palermo, të cilat kanë kryer kërkimin në det, deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. "Edhe pse kërkimet kanë qenë intensive, nuk është gjetur gomonia, për arsye të mungesës së të dhënave të sakta të vendndodhjes", thuhet në njoftim. Aktualisht, në det po zhvillohen kërkime edhe nga pala italiane, si dhe dy helikopterë britanikë, të cilët ndodhen në territorin e Shqipërisë, në kuadër të stërvitjes “Albanian Lion-13”.
|