Dragash, 03 shtator 2013 - Kryetari i degës së PDK-së, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, i cili është nominuar sërish për këtë post nga partia e tij, nuk është shqetësuar nga akuzat që i kanë ardhur kohët e fundit, prej zëdhënësit të LDK-së, Qamil Kolloni, dhe jo vetëm. Madje, ai thotë se i ka pritur këto deklarata, pasi ndodhemi në prag të zgjedhjeve lokale.
Në një prononcim për radion tonë, Jenuzi thotë se nuk do të reagojë fare ndaj akuzave të këtyre ditëve, pasi nuk dëshiron që të bie në grackën e ndërtuar nga kundërshtarët politikë. “Nuk reagoj, për diçka që nuk ia vlen. Ndodhemi në prag të zgjedhjeve dhe, janë të pritshme të tilla akuza, sidomos nga ata që duan ta marrin pushtetin, apo një copë pushtet. Gjatë gjithë këtij mandati, nuk dëgjonim akuza kaq të rënda. Tani që po i afrohemi edhe zyrtarisht fushatës, dëgjojmë të tilla akuza. Secili qytetar do ta vlerësoj punën e secilit nga ne dhe, tani ka rastin të na vlerësoj, apo edhe ndëshkoj. Jemi në kandarin e popullit dhe vetëm populli do të vendos se cili meriton të qeverisë e cili synon realizimin e aspiratave personale, përmes pushtetit”, u shpreh Jenuzi.
Ditë më parë, përmes një komunikate për media, LDK-ja e ka konsideruar nominimin e Salim Jenuzit, si dështim për banorët e komunës së Dragashit. Kjo parti e ka vlerësuar Jenuzin si të paaftë për udhëheqje, duke e akuzuar se nuk ka arritur që t’i shfrytëzojë fondet, në mënyrë racionale. Madje, Jenuzi është akuzuar se, bashkë me stafin e tij, brenda tri viteve i ka shkaktuar qytetarëve të komunës dëm financiar, prej më shumë se një milion euro. Njëherësh, Jenuzin e kanë akuzuar se nuk ka marrë masa, kur, sipas zëdhënësit të LDK-së, Qamil Kolloni, janë keqpërdorë mbi 70 mijë euro në QKMF.
Të gjitha këto akuza, Jenuzi i ka hedhur poshtë, duke i cilësuar si deklarata politike dhe pjesë të fushatës, për të cilën ka apeluar që të kalojë qetë dhe në frymën e civilizimit qytetar. “Ne i kemi kaluar fushatat tensionuese. Tani është koha të dëshmojmë civilizim. Mos ta shqetësojmë asnjë qytetar, se ku do ta hedh votën e tij, por t’i ofrojmë atij programe konkrete, me të cilat do të punojmë gjatë mandatit të ardhshëm”, ka thënë Jenuzi.
|