Në Restelicë, digjet kamioni me sanë! |
Dragash, 05 shtator 2013 - Policia ka arrestuar një person, në Restelicë të Gorës së Dragashit, i cili dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Pas konsultimit me prokurorin, është vendosur që i njëjti të mbahet nën masën e arrestit policor, për 48 orë, njoftoi zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë Rajonale në Prizren, Hazir Berisha. Sipas tij, rreth orës 06:30, policia në Dragash ka pranuar një informatë, e cila bënte me dije se një kamion i ngarkuar me sanë është përfshirë nga flakët, të cilat e kanë shkrumbuar ngarkesën, së bashku me kamionin. “Kamioni kishte qenë i parkuar në oborrin e shkollës së fshatit Restelicë, e që ishte pronë e një punëtori të kësaj shkolle. Zjarrfikësit janë përkujdesur për shuarjen e zjarrit, i cili ka mundur të përhapet dhe të shkaktojë rrezik të përgjithshëm”, ka thënë Berisha, duke shtuar se pronari i kamionit i ka thënë policisë, se dëmi i shkaktuar me këtë rast, kalon shifrën e 30 mijë eurove.
|