Thaçi beson se do ta fitojë sërish Malishevën! |
Malishevë 20 shtator 2013 - Kryeministri i vendit dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitave që po bën nëpër komuna, dje ka qëndruar në Malishevë, ku ka prezantuar kandidatin e PDK-së për kryetar të kësaj komune, Isni Kilajn. Thaçi është shprehur i bindur në fitoren e thellë të PDK-së, edhe në Malishevë. Ai e nisi fjalimin e tij me përshëndetje, me rastin e lirimit të bashkëluftëtarëve të UÇK-së nga akuza për rastin Kleçka, duke thënë se me këtë lirim u dëshmua lufta e drejtë e UÇK-së dhe fitorja e drejtësisë, mbi paragjykimet dhe shpifjet. “Në kuadër të vizitave nëpër komuna, kam dashur t’ju takoj dhe t’ju inkurajoj për fitoren e radhës së Isni Kilajt. Të gjitha parametrat janë në favor të PDK-së, siç janë investimet, angazhimi dhe puna e madhe që është bërë. Këto na favorizojnë fitoren bindëse, në shumicën e komunave të Kosovës. Të jeni të bindur se PDK do të fitoj në shumicën dërmuese të Komunave të Kosovës”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se partia që drejton ai, do të punoj për të gjithë. “Programi i Kilajt e ka mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike të Kosovës. Andaj, i ftoj të gjithë qytetarët që t’i bashkohen programit dhe vizionit të PDK-së. Bashkërisht do të kemi fitore bindëse me 3 nëntor”, shtoi më tej Thaçi, duke iu bërë thirrje qytetarëve për një fushatë të qetë dhe dinjitoze, si dhe për pjesëmarrje masive në këto zgjedhje.
Nga ana tjetër, kryetari aktual i Malishevës dhe njëherësh edhe kryetar i degës së PDK-së, i cili sërish garon për këtë post, Isni Kilaj, ka përshëndetur pjesëmarrjen e aktivistëve të PDK-së, të cilët u shpallën të pafajshëm në rastin Kleçka. “Ju falënderoj për pjesëmarrje në këtë takim dhe e përgëzoj Naser Krasniqin dhe të tjerët, për lirimin nga akuzat për krime lufte, në rastin Kleçka”, tha Kilaj.
|