Prishtinë, 14 Nëntor 2013 - Banka Evropiane për Investime (EIB) dhe ProCredit Bank kanë nënshkruar sot linjën kreditore, në vlerë prej 10 milion euro, linjë kjo e cila do t’i mbështesë ndërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe ato të mesmet në Kosovë.
EIB është përfaqësuar nga zëvendëspresidenti, Dario Scannapieco, përgjegjës për operimet në Ballkanin Perëndimor, ndërsa për ProCredit Bank Kosova, ka nënshkruar drejtori i përgjithshëm, Ilir Aliu.
Kjo linjë kreditore shënon operimin e parë të EIB-së në Kosovë, pas ratifikimit të marrëveshjes së re kornizë, e nënshkruar në qershorin e kaluar dhe kështu do të financohen bizneset, veprimtaria afariste e të cilëve kontribuon në zhvillim dhe punësim në Kosovë. Linja kreditore do t’ju disbursohet klientëve të biznesit të ProCredit Bankës, të cilët janë aktiv në sektorët e prodhimtarisë, tregtisë dhe shërbimeve dhe të cilët përmbushin standardet etike, sociale dhe ambientale të bankës. Kjo marrëveshje është shenjë e qartë e mbështetjes së fuqishme të të dyja institucioneve në ndërtimin e një sektori të qëndrueshëm privat në Kosovë. “Ne jemi krenar për njoftimin e sotëm, sepse kjo tregon që EIB ka kaluar me shpejtësi në marrëveshjet institucionale në operim dhe mbështetje konkrete të ekonomisë kosovare. Poashtu, falë bashkëpunimit me Qeverinë dhe Zyrën Evropiane në Prishtinë, ky operim do të mbështesë NVM-të, përmes bashkëpunimit të mirë me Grupin ProCredit, jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet tjera të rajonit”, ka thënë zëvendëspresidenti, Scannapieco.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i ProCredit Bankës në Kosovë, Ilir Aliu, ka veçuar rëndësinë e kësaj ngjarje në Kosovë. “Ky është sinjal i mirë për investimet e huaja në vend dhe lajm i mirë për komunitetin e biznesit. Nënshkrimi i kontratës së sotme reflekton parimet dhe qëllimet e përbashkëta të dy institucioneve dhe bashkëpunimin e mirë ndërmjet Bankës Evropiane për Investime dhe ProCredit, si dhe përkushtimin tonë të përbashkët në promovimin e zhvillimit dhe punësimit, duke i mbështetur ndërmarrjet shumë të vogla, të vogla dhe të mesme”, tha Aliu, sipas të cilit, kjo kontratë është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë ndërmjet EIB-së dhe ProCredit Holding.
|