Pejë, 03 dhjetor 2009 - Një nxënëse e klasës së 11-të të Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, ka përjetuar momente të tmerrshme nga arsimtari i saj, i cili, sipas policisë, e kishte futur atë në makinën e tij, për qëllime të ulëta morale. Nxënësja ka arritur të shpëtojë nga “kthetrat” e arsimtarit abuzues dhe të ikë nga makina, ndërkohë që rastin ia ka kallëzuar policisë dhe prokurorit.
Për këtë tentim të dhunimit, është informuar dje edhe Drejtoria e Arsimit në Pejë, e cila nuk kishte pasur njohuri, se kur saktësisht ka ndodhur rasti, por menjëherë ka ndërmarrë masat e pezullimit ndaj këtij arsimtari. “Menjëherë, sapo jam informuar për rastin, e kam nxjerrë vendimin për pezullim, derisa të përfundojnë procedurat e nisura ndaj tij”, konfirmoi të enjten drejtori i arsimit në Pejë, Ilir Kelmendi, duke shtuar se nuk kishte njohuri për rrethanat e krijuara, se si ka hipur nxënësja në makinën e arsimtarit, i cili kishte tentuar të kryej këtë vepër, në një vend jashtë hapësirës së shkollës.
Pavarësisht vendimit final të drejtësisë, drejtori i arsimit garanton se ky arsimtar e ka përfunduar tashmë karrierën e tij si mësimdhënës në komunën e Pejës. “Nuk ka vend në arsim për këtë arsimtar dhe njerëz të natyrës së tillë, me nivel të ulët morali dhe me prirje të abuzimeve seksuale”, tha Kelmendi.
Policia e Pejës, vetëm e ka konfirmuar rastin, pa dhënë sqarimet tjera për vendin dhe ditën kur ka ndodhur ky rast. “Mund të them vetëm që ndaj atij arsimtari është ngritur kallëzim penal”, ka thënë shkurt zëdhënësi i policisë në Pejë, Avni Gjevukaj, pa sqaruar nëse ka qenë ky person edhe më herët i njohur për policinë, për të tilla raste.
Derisa policia nuk tregon se ky person ka qenë i dyshuar edhe më herët për një vepër të njëjtë, drejtori i arsimit në Pejë thotë se policia ia ka pranuar se ka pasur njohuri nga më herët, për animet e këtij arsimtari për veprime të tilla. “Ky arsimtar ka qenë duke punuar në Gjimnaz, kur unë kam ardhur para dy viteve në postin që kam, por unë nuk e kam ditur deri dje, që policia ka pasur njohuri për synimet e tij devijuese dhe abuzuese”, ka thënë Kelmendi.
|