• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Dy milion euro për projektet arsimore
e Enjte, 31 Dhjetor 2009 03:36
studentKomisioni Evropian ka zgjeruar fushat e financimit në sektorin e arsimit në Kosovë. Derisa evropianët në të kaluarën kanë financuar projektet e arsimit të lartë në Kosovë vetëm nëpërmes programit Tempus, tani profesorët dhe mësimdhënësit e sektorit publik dhe privat mund të përfitojnë fonde edhe nga projekti Erasmus Mundus dhe projekti tjetër Jean Monnet, që mban emrin e ideologut të krijimit të Unionit Evropian.
Zëdhënësja e Zyrës ndërlidhëse e KE-së në Prishtinë, Maja Pavlovic tha për KosovaLive se programet e reja të arsimimit universitar të BE-së do të jenë të hapur për propozime deri më 9 mars 2010. Buxheti fillestar i alokuar për bashkëfinancimin e projekteve në këtë program është 53.8 milionë euro, nga të cilat 2 milionë euro janë të destinuara për projektet nga Kosova.
Ftesa e dytë për propozime me buxhet prej 1.8 milion euro do të financojë gjashtë projekte Tempus IV nga Kosova, të cilat do të fillojnë të zbatohen nga mesi i janarit 2010.
Projektet e përkrahura nga faza e dytë e programit kanë të bëjnë me zhvillimin e studimeve ndërdisiplinore regjionale të mekatronikës (në UBT), krijimin e studimeve të doktoraturës në meteorologji, një magjistraturë (Master) i përbashkët ndërkombëtar në mjekësinë bimore, përkrahjen dhe zhvillimin e strukturave të sigurimit të cilësisë në institucionet private të arsimit universitar, hulumtime e trajnime për shkencat mjekësore dhe shkencat natyrore dhe shfrytëzimin e burimeve vendëse për agrobiznes dhe turizëm të qëndrueshëm në Ballkanin jugor.
Institucionet e arsimit të lartë në Kosovë filluan të marrin pjesë në programin e BE-së Tempus nga viti 2003. Që prej atëherë janë financuar 41 projekte si dhe është siguruar një numër i granteve të përkrahjes financiare.
Projektet e përkrahura kanë trajtuar zhvillimin e planprogrameve në bujqësi, ekonomi, biznes, drejtësi, mjekësi, mekatronikë, psikologji, përkthim me shkrim dhe gojor, edukim, sporte, informatikë, studime evropiane dhe bioteknologji.
Disa projekte kanë iniciuar bashkëpunimin me industrinë apo kanë nxitur bashkëpunimin me sektorin joakademik.
Projektet e Tempus-it në Kosovë kanë përkrahur realizimin e strategjive të arsimimit universitar duke krijuar sisteme të studimit me dy dhe tri cikle në përputhje me Procesin e Bolonjës, duke përkrahur zbatimin e ECTS-së (sistemi evropian i transferimit të pikëve), ofrimin e shtojcës së diplomave, përkrahjen e udhëtimit të profesorëve universitarë dhe studentëve në regjion dhe në BE, mundësimi i metodologjive të studimit nga distanca dhe promovimi i metodave interaktive të mësimdhënies dhe mësimnxënies në ambientin akademik të Kosovës.
Krahas institucioneve private të arsimit të lartë, pjesa dërmuese e buxhetit të BE-së për sektorin e arsimit të lartë në Kosovë do të përdoret për avancimin e punës së Universitetit të Prishtinës. Drejtues të UP-së vlerësuan se përfitimet nga programet e Komisionit Evropian për arsim “Tempus” dhe “Erasmus Mundus External Cooperation Window” janë të mëdha, prandaj inkurajuan profesorët dhe studentët kosovarë të aplikojnë për projekte dhe marrjen e bursave për studime jashtë vendi.
Zyrtarë të UP-së thonë se në programin “Tempus” afati i aplikimit është 28 prill, në programin “Erasmus Mundus External Cooperation Window“ afati i fundit është data 13 mars, ndërkaq për projektin që tanimë UP e ka fituar dhe në të cilën studentët dhe profesorët mund të aplikojnë për mobilitete është data 15 mars.
Suzana Manxhuka-Kërliu, prorektore për marrëdhënie me jashtë në UP tha se universiteti ka përfituar shumë nga këto projekte, sidomos nga programi “Tempus”.
Ajo theksoi se nga programet e arsimit të Komisionit Evropian, UP-ja nuk ka përfituar vetëm në aspektin material por edhe atë përmbajtjesorë, pasi që këto programe kanë ndihmuar në zbatimin e principeve themelore të Bolonjës, në zhvillimin kurrikular treciklor, në zbatimin e sistemit të akumulimit dhe transferit të kredive, sigurimin e cilësisë etj.
Sipas prorektores së UP-së, përmes këtyre projekteve është mundësuar mobiliteti i stafit akademik, profesorët janë njoftuar me metodologjitë më të reja të mësimdhënies, është themeluar Qendra për përsosmëri në mësimdhënie në universitet, Qendra për telekonferencë, mësim në distancë, Qendra për interpretim, gjuhë të huaja.
Ndërsa, Lindita Tahiri, nga UP-ja njoftoi se programi “Tempus” në Kosovë ka qenë i pranishëm që nga 2003 ndërsa “Erasmus Mundus External Cooperation Window” aplikohet për herë të dytë.
Ajo theksoi se të dy programet synojnë reformimin e arsimit të lartë përmes bashkëpunimit me shtetet e Unionit Evropian dhe nga projektet e fituara synohet që në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë të zhvillohen metoda të reja të mësimdhënies, të sigurohen pajisje, laboratorë, të bëhen vizita studimore, etj.
Derisa në “Tempus” janë të kufizuara fushat si në inxhinieri, shkenca ekzakte, bioteknologji, shkenca sociale, në programin “Erasmus Mundus External Cooperation Window” fushat nuk janë të kufizuara.
Shuma e ndarë për projektet e Kosovës për këtë vit në programin “Tempus” është 1 milion e 800 mijë euro, ndërsa shuma prej 8 milionë e 500 mijë euro nga programi “Erasmus Mundus External Cooperation Window” vlen për gjithë Ballkanin, në kuadër të së cilës hyn edhe Kosova.
Ndryshe, zyrtarë të UP-së, në mënyrë të detajuara paraqiten kriteret, kushtet që duhet plotësuar për të aplikuar në këto programe për bursa apo projekte, ndërkaq inkurajuan studentët dhe stafin akademik për të aplikuar.
Share