• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Lajme BLIC - edicioni i parë |
e Martë, 05 Janar 2010 09:01 |
Dragash- Festa e ndërrimit të moteve në rajonin tonë është përcjellë pa incidente dhe me më pak raste të të lënduarve nga mjetet piroteknike, ndërsa kanë dominuar aksidentet e shumta në trafik, gjithsejtë 25 sosh, si pasojë e të cilave janë lënduar rëndë dhe lehtë disa persona. Në ditën e pestë të këtij viti, të gjitha institucionet publike fillojnë punën, përpos shkollave, të cilat vazhdojnë pushimin e rregullt dimëror. Dragash - Të përzgjedhurit e komunës së Dragashit, të mërkurën do të mblidhen në seancën e parë konstituive, në të cilën do të japin betimin, si delegatë për mandatin e ri katërvjeçarë.
Gjithsejtë 27 këshilltarë, aq sa do të ketë në këtë mandat asambleja komunale, vijnë nga tetë subjekte politike, prej tyre tri nga Gora.
PDK-ja dhe LDK-ja do të kenë numër të barabartë të këshilltarëve, nga nëntë, koalicioni “Vakat”- 3, AAK-ja - 2, ndërkaq me vetëm nga një këshilltarë do të përfaqësohen katër subjekte politike, LDD-ja, AKR-ja, GIG -u dhe SDA-ja.
Betimin në këtë seancë do ta jep edhe kryetari i komunës, Salim Jenuzi.
Dragash - Pas dhjetë vjetësh, hoteli i vetëm në Dragash “Sharri”, i është dorëzuar Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP), i cili do ta nxjerr më pas këtë objekt në shitje.
Burimet tona nga AKP-ja, mësojnë se hotel “Sharri” në Dragash, do të nxirret për shitje, që në valën e parë të privatizimit, për vitin 2010, saktësisht në muajin mars. Menjëherë pas përfundimit të luftës, kontingjenti i forcave turke të KFOR-it, ishte vendosur në këtë objekt, pronë e Ndërmarrjes Tregtare “Koritniku” në Dragash dhe, deri më tani, aty i ka zhvilluar të gjitha aktivitetet ushtarake, të cilat jo edhe aq këndshëm janë pranuar nga banorët që jetojnë afër tij.
Dragash - Në numrin më të ri të revistës “Sharri” lexuesi mund të shfletojë gjëra interesante nga historia, kultura dhe shumëçka tjetër që ka të bëjë me territorin e Opojës dhe Gorës.
Bedri Halimi, kryetar i Shoqatës Kulturore “Ymer Prizreni”, tha për radion tonë se ky numër i revistës, i cili tashmë është në shitje, për lexuesin tanë ka sjellë më shumë se kurrë materiale interesante, për të cilat, siç tha, ka pasur nevojë të publikohen.
Revista “Sharri” gjendet në shitje nëpër të gjitha pikat, kudo nëpër Opojë.
Prizren - Një grua e moshës 72 vjeçare, nga Sallagrazhda e Suharekës, vdiq ndërsa dy persona të tjerë u lënduan të hënën, si pasojë e një aksidenti fatal që ndodhi në aksin rrugor Prizren-Prishtinë, në afërsi të Suharekës.
Drejtori regjional i policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, konfirmoi se aksidenti fatal ndodhi nga ndeshja e dy veturave, ndërsa si shkak vlerësohen kushtet e rrugës, përkatësisht ngricat gjatë orëve të mëngjesit.
Sipas majorit Krasniqi, me këtë rast lëndime të lehta trupore kanë marrë edhe dy persona të tjerë, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësorë.
Podgoricë - Doganierët malazias konfirmuan se në pikën kufitare me Kroacinë “Debelli Brijeg” kanë penguar trafikimin e tre shtetasve kosovarë.
Në orët e para të mëngjesit të 2 janarit, nëpunësit e Doganës malazeze, gjatë kontrollimit të rregullt të makinës me targa të Kosovës, pas sedileve të para, kanë gjetur të fshehur dy persona, të cilët tentonin që të kalonin kufirin ilegalisht.
Në automjet, përveç klandestinëve të fshehur, shoferit dhe bashkëshortes, ndodheshin edhe tre fëmijët e tij.
Prishtinë - Institucionet e Kosovës thonë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i cili thuhet se ka shprehur dëshirën që ta vizitoj vendin tonë më 7 janar, për nder të Kërshëndellave Ortodokse.
Vetë Tadiq ka thënë se kërkesën ua ka dërguar institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, por që këto të fundit nuk janë prononcuar mbi këtë çështje.
Ndërkohë, mediat serbe thonë se Tadiq ka kërkuar leje tek autoritetet ndërkombëtare, të cilat, më pas, kërkesën thuhet se ua kanë përcjellë institucioneve kosovare.
Prishtinë - Autoritetet shtetërore të Kosovës e kanë cilësuar si të paligjshëm emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në veri të Mitrovicës, nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në Beograd.
Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, e cilësoi vendimin e Serbisë si ndërhyrje të rëndë në punët e brendshme të Kosovës. Ajo tha se gjykatat paralele në veri të Mitrovicës janë të paligjshme dhe nuk mund të funksionalizohen me vendimet e autoriteteve në Beograd. Sipas saj, asnjë vendim i tyre, nuk do të zbatohet në territorin e Kosovës.
Prishtinë - Institucionet e Republikës ende nuk janë të gatshme që me ndonjë ndërhyrje policore të shuajnë funksionimin e strukturave paralele në Kosovë, apo të mundësojnë shtrirjen e autoritetit të tyre edhe në veri të vendit.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, edhe gjatë këtij viti Qeveria e Kosovës do të jetë e kujdesshme dhe e matur në veprimet e saj, karshi veriut dhe strukturave paralele në vend.
Qëndrim të ndryshëm nga ministri Pajaziti kanë zyrtarë të Presidencës, të cilët kanë thënë se ndërhyrja e policisë, nuk duhet mohuar si mundësi për shuarjen e strukturave paralele.
|