• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Edhe kosovarët, në ferrin e Haitit!
Nga: Gazeta EXPRESS   
e Hënë, 18 Janar 2010 11:11
Radio_SHARRI_-_Termeti_ne_HaitiNë Haitin e shndërruar në ferr nga tërmeti, ka kosovarë që ishin duke punuar, në kuadër të Misionit të OKB-së. Disa prej tyre kanë shpëtuar, ndërsa për disa të tjerë nuk dihet ende asgjë.
Sado që Haiti, gjeografikisht ndodhet shumë larg Kosovës, edhe në këtë shtet të Atlantikut, kanë shkuar kosovarë që të punojnë. Gazeta Express ka mundur të sigurojë emrat e disa kosovarëve, të cilët jetojnë me familje atje. Shumë prej tyre e kanë përjetuar këtë tërmet të fuqishëm, i cili duket se ka shkatërruar gjysmën e këtij vendi.
Të gjithë këta kosovarë kanë qenë duke punuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara për Stabilizim në Haiti, i njohur me shkurtesën MINUSTAH.
Përmes zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara në Haiti, Expressi ka mundur të sigurojë informacione, se disa prej kosovarëve kanë shpëtuar dhe janë jashtë rrezikut për jetë. Albiana Kadriu, Lindita Hoxha, Bekim Bojku, Besnik Demolli, Artan Rexhepi, Habib Hoxha, Bujar Aliçkaj, Gojart Galica dhe Shqipe Hebibi, janë emrat që kjo gazetë i ka identifikuar.
Njëra prej shqiptareve të Kosovës, me të cilën Express ka mundur të kontaktojë është Shqipe Hebibi, të cilën kosovarët e njohin nga koha kur ajo ishte zënë peng nga talebanët në Afganistan, në verën e vitit 2005. Gjatë tërmetit në Haiti, ajo ka qëlluar të jetë në shtetin fqinj, Republikën Domenikane. “Nuk di çfarë të them... Tash për tash, nuk kam kurrfarë informate, sepse jam e izoluar këtu në Republikën Domenikane dhe jam në kaos edhe vetë”, është shprehur Hebibi.
Kontaktet me misionin e OKB-së në Haiti, janë të vështira, ngase i tërë vendi duket të jetë në kaos. Megjithëkëtë, Expressi ka kontaktuar me Aleksandra de La Falaise, e cila është një nga zyrtaret e misionit të OKB-së. Ajo konfirmon se ka parë me sytë e saj, ose di me siguri se këta nëntë kosovarë janë mirë dhe kanë shpëtuar. Megjithëkëtë, ajo nuk pranon të thotë asgjë për kosovarët e tjerë të Kosovës, që eventualisht kanë qenë duke punuar në kuadër të këtij misioni. “Unë nuk mund të përmend emra të kosovarëve, të cilët nuk i kam parë”, thotë kjo zyrtare e OKB-së në Haiti, e cila edhe vetë është me prejardhje nga rajoni i Ballkanit, saktësisht nga Vojvodina. Ajo është zyrtare e menaxhimit të kontratave ndërmjet shërbimeve të kontraktuesve lokalë dhe ndërkombëtarë, në Haiti. “Unë jam e lumtur t'ju informoj se të gjithë miqtë e mi kosovarë që punojnë për MINUSTAH, janë mirë dhe të gjallë”, ka thënë Aleksandra de La Falaise për Express, duke dhënë sqarime se shumë për tërmetin që ka goditur këtë ishull të Atlantikut. “Të tjerët janë të gjithë të sigurt. Isha me Albiana Kadriun të premten, kur ajo dhe familja e saj u nisën për në Maiami të SHBA-ve”, ka thënë Aleksandra de La Falaise, për të shtuar se edhe kosovarët tjerë i kishte parë. “Kisha mundësi për të parë Lindita Hoxhën, Bekim Bojkun, Besnik Demollin, Artan Rexhepin dhe Habib Hoxhën, madje disa herë. Të gjithë ata janë mirë. Ne jemi të gjithë në njërën nga bazat e OKB-së në Haiti. Bujar Aliçkaj, Gojart Galica dhe Shqipe Hebibi, në kohën e tërmetit nuk ishin në Haiti”, ka shtuar La Falaise, emri i së cilës nuk është i panjohur për opinionin në Kosovë, sepse ajo ka punuar në Prishtinë, në zyrën e ish-Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Bernard Kushner, në vitet 2000-2001.
Ndërkohë, burime të Expressit shpjegojnë se edhe Qeveria e Kosovës, saktësisht Ministria e Punëve të Jashtme, është informuar se në Haiti ndodhen duke punuar rreth 40 kosovarë. Këto informacione, Qeveria e Kosovës i ka marrë nga Departamenti amerikan i Shtetit, për shkak se komunikimi me Haitin është i pamundur, jo vetëm për faktin se ky shtet është në gjendje të rëndë pas tërmetit, por edhe për faktin se Haiti ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku, shpjegon se në këtë rast problem është, identifikimi i këtyre personave si shtetas të Kosovës, pasi ata kanë qenë duke punuar kryesisht me pasaporta të vendeve të tjera. “Nëpërmjet kanaleve të tjera diplomatike, ne kemi arritur të informohemi për bashkëqytetarët tanë në Haiti, ku llogariten se janë rreth 40 persona. Për aq sa kemi informacione, nuk ka të dhëna se ka viktima në mesin e tyre”, thotë Çitaku, pa mundur të japë sqarime se sa prej këtyre personave janë gjallë dhe sa kanë mundur të vdesin. “Ata janë me dokumente të shteteve të tjera dhe është e vështirë të dihet se sa janë me prejardhje nga Kosova”, thotë zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Ndryshe, nga ky tërmet ka mbetur i vdekur edhe shefi i misionit të OKB-së, tuniziani Hedi Annabi. Njoftimin e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.
Siç ka transmetuar Reutersi, kreu i OKB-së ka konfirmuar se nga tërmeti kanë vdekur edhe zëvendësi i Annabit, braziliani Luiz Carlos da Costa dhe shefi i policisë ndërkombëtare, kanadezi Doug Coates.
Në momentin e tërmetit, Anabi ishte në takim me bashkëpunëtorët e tij më të afërt në hotelin Cristofer, selinë e misionit të OKB-së, në kryeqytetin Port-au-Prince.
Deri tani është konfirmuar vdekja e 40 pjesëtarëve të OKB-së në Haiti, ndërsa 330 të tjerë konsiderohen të zhdukur.
Haiti ndodhet në Ishullin e Karaibeve, në oqeanin Atlantik, ndërmjet Amerikës Jugore dhe Veriore dhe është i ndarë në dysh, në shtetin e Haitit dhe Republikën Domenikane. Sipërfaqja e shtetit, duke përfshirë edhe zonën ujore, është 27 mijë e 750 km2. Të dhënat e popullsisë për vitin 2009, tregojnë se në këtë shtet jetojnë 9 milionë e 35 mijë e 536 banorë, kurse jetëgjatësia mesatare është 60.7 vjeç. Kryeqyteti është Port-au-Prince, me 1 milion e 764 mijë banorë, kurse monedha e këtij vendi është Gourde.
Share