• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Gjahtarët e Dragashit kërkojnë rend! |
e Hënë, 18 Janar 2010 12:50 |
![]() Naim Ramadani, kryetar i Shoqatës së Gjahtarëve “Dhia e egër” në Dragash, thotë se ata po bëjnë të gjitha përpjekjet nga mundësitë që kanë, në mënyrë që të ruhet fauna në këtë trevë. “Mund të them se anëtarët aktiv të kësaj shoqate, që tashmë kanë fituar një traditë mjaftë të mirë në respektimin e kodit të gjahtarit, pos aktiviteteve të rregullta javore, janë angazhuar edhe në punët shtesë që kanë të bëjnë me përkujdesjen dhe shtimin e fondit të kaleshëve të egra që jetojnë në këto anë, si dhe respektimin rigoroz të akteve ligjore që përcaktojnë afatin e paraparë për gjah”, ka thënë Ramadani, duke shtuar se, me angazhimin e deritanishëm të pjesëtarëve të kësaj shoqatës, janë rregulluar dhe mirëmbajtur me kujdesin më të madh të gjitha gjahishtet, si në trevën e Opojës ashtu edhe në atë të Gorës. Ai ka veçuar me këtë rast vendet, ku numri i kafshëve është më i madh, si në “Vilan”, në afërsi të qytezës së Dragashit dhe ato në fshatin Krushevë dhe Brod të Gorës.
Në ushtrimin e aktiviteteve të saj, theksohet se “Dhia e egër” është përballur edhe me vështirësi të natyrave të ndryshme, sidomos kohëve të fundit. Lidhur me këtë, Ramadani është shprehur i pakënaqur, sidomos me veprimin e disa grupeve ilegale, të cilët fare nuk i respektojnë afatet e gjahut, si dhe moskoordinimin e mirë të punëve me policinë, gjë që, sipas tij, në një masë po ndikojnë në defunksionalizimin e aktiviteteve të shoqatës. “Nuk mund të themi se edhe nga një pjesë e anëtarësisë sonë, joaktive, nuk ka veprime të palejuara të gjuetisë. Por, më së shumti probleme na paraqesin poseduesit e armëve, të cilët, pas marrjes së lejes për posedimin e tyre, pa e lajmëruar fare shoqatën, dalin në gjueti ilegale”, është shprehur Ramadani, për të shtuar se këto veprime e vejnë në pozitë jo të mirë shoqatën, e cila sipas Ligjit të gjuetisë, i cili është miratuar në fund të vitit 2005, Shoqata e Gjahtarëve “Dhia e egër”, autorizohet si kompetente për menaxhimin e gjahishteve në territorin e komunës së Dragashit.
Ramadani ka përmendur edhe fenomenin në rritje të gjahut të palejuar, si nga qytetarët e kësaj komune, ashtu edhe nga ata të fshatrave, në juglindje të Kukësit, përgjatë vijës kufitare me Kosovën, e që me shumë neglizhencë po përballën me ligjin. “Gjatë periudhës së kaluar, kemi pasur disa raste të zbuluara nga rojet e gjahut për gjueti të palejuar dhe janë marrë disa masa disiplinore, disa prej të cilave janë ende nën përcjellje, ndërkaq pjesëtarët e policisë, deri më tani, nuk kanë dhënë atë që është pritur, në mbrojtje të faunës, sidomos nuk ka raste të zbulimit të aktorëve, konform detyrimeve të tyre ligjore, pavarësisht nga ndikimi i shoqatës”, është shprehur Ramadani.
|