• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
e Shtunë, 23 Janar 2010 13:09

Radio_SHARRI_-_Skender_Hyseni
Skender HYSENI - Ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës
  
Deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
 
Z. President,
Anëtarë të shquar të Këshillit të Sigurimit,
 
Si gjithmonë, do të dëshiroja së pari t’ju falënderoj për mundësinë e dhënë që t’ju njoftoj për gjendjen në Kosovë, që do të thotë për të arriturat e vazhdueshme dhe përparimin e qëndrueshëm që Republika e Kosovës ka bërë që nga fjala ime e fundit në Këshill më 15 tetor të vitit të kaluar. Përpara se të vazhdojë, do të dëshiroja të uroja pesë anëtarët e rinj, Brazilin, Gabonin, Libanin, Nigerinë dhe Bosnjë e Hercegovinën për zgjedhjen e tyre në Këshillin e Sigurimit.
 
Z. President,
 
Kosova ka vazhduar të ndërtojë institucionet e saj mbi bazat e Kushtetutës sonë të re demokratike, si dhe mbi bazën e dispozitave të Planit Gjithëpërfshirës të Presidentit Martti Ahtisaari. Viti 2009 ka qenë vit i suksesshëm për Kosovën në shumë rrafshe. Ne kemi kompletuar procesin e anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Njohja e pavarësisë së Kosovës ka vazhduar në mënyrë të pandërprerë.
Qeveria e Kosovës ka qenë shumë e suksesshme në adresimin dhe zgjidhjen e shumë çështjeve nga fusha e ekonomisë, drejtësisë dhe sigurisë në të gjithë Kosovën. Mirëqenia e komuniteteve pakicë, si dhe kthimi i refugjatëve të Kosovës në shtëpitë dhe pronat e tyre ka qenë prioritet, dhe përparimi i arritur gjatë vitit 2009 është i dukshëm.
Përmirësimi i kushteve në rajonet e komuniteteve pakicë, veçanërisht në komunat me shumicë serbe mbetet një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe gjatë këtij viti. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona të veçanta për të intensifikuar tutje kthimin e refugjatëve serbë të Kosovës dhe për mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore.
Sa u përket marrëdhënieve me shtetet e tjera, 65 shtete nga e mbarë bota tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Njohjet më të fundit kanë ardhur nga Zelanda e Re, Republika e Malauit dhe Republika Islamike e Mauritanisë. Dëshiroj t’ju shpreh këtyre shteteve mirënjohjen më të thellë për njohjen e pavarësisë së vendit tonë.
Kosova ka hyrë në marrëdhënie diplomatike me mbi 25 shtete nga e mbarë bota. Në vazhdimësi të përfundimit të suksesshëm të procesit të demarkacionit fizik të vijës kufitare me Republikën e Maqedonisë, ne kemi nënshkruar një marrëveshje për marrëdhëniet diplomatike dhe hapja e ambasadave është në rrugë e sipër. Më 15 janar 2010, marrëdhëniet diplomatike janë vendosur edhe me Malin e Zi. Ambasadorët do të shkëmbehen në kohën e duhur.
Kosova është e gatshme që të përmirësojë marrëdhëniet edhe me Republikën e Serbisë. Dialogu mes vendeve tona mund të zhvillohet për shumë çështje të interesit të përbashkët dhe mund të ndodhë vetëm në nivel të barabartë, si midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Ne refuzojmë çfarëdo thirrje për rifillim të negociatave për statusin. Për më tepër, ne vlerësojmë se thirrjet për ripërtëritje të negociatave për statusin e Kosovës vijnë nga njerëz që janë qoftë të pavetëdijshëm për situatën dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të gjetur konsensus ose, edhe më keq, kërkojnë aktivisht që të destabilizojnë rajonin.
Negociatat e reja do të ishin tepër destabilizuese, dhe madje mund të prodhojnë konflikt të ri në rajon. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë.
Ne po ashtu kemi lidhur një numër marrëveshjesh dypalëshe për çështje si Nxitja e Investimeve, Zbatimi i Ligjit, Bashkëpunimi në Fushën e Shëndetësisë, Lëvizja e Ndërsjellë e Qytetarëve, Ripranimi i Personave, Bashkëpunimi Ekonomik, Bashkëpunimi Policor, Asistenca Reciproke në Çështje Doganore, Bashkëpunimi Zhvillimor, Heqja e Ndërsjellë e Vizave, etj., përfshirë me Shqipërinë, Austrinë, Danimarkën, Francën, Luksemburgun, Maqedoninë, Slloveninë, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së fundi, ne kemi lidhur dhe marrëveshjen e parë për suksedim të traktateve me Belgjikën.
 
Z. President, Shkëlqesi,
 
Në nëntor dhe dhjetor kanë ndodhur dy ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën: E para: Zgjedhjet. Mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim me një numër ligjesh që qeverisin mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, që do të thotë Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, por edhe ai për Zgjedhjet Komunale, të dy të miratuar në qershor 2008, ne kemi organizuar zgjedhjet për kuvendet dhe kryetarët e komunave të 36 komunave të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës si rrjedhojë është ngarkuar plotësisht me organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të 15 nëntorit.
Ato ishin shumë të rregullta dhe paqësore. Pjesëmarrja e komuniteteve jo-shumicë në këto zgjedhje ishte e konsiderueshme. Prej 74 entiteteve të certifikuara për të garuar në këto zgjedhje, 40 sosh përfaqësojnë komunitete të ndryshme pakicë. Prej tyre, 22 ishin entitete politike të serbëve të Kosovës. Kjo është dëshmi e qartë se, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Serbisë, dhe në të vërtetë përkundër presionit të Qeverisë së Serbisë dhe thirrjes për bojkot, serbët e Kosovës gjithnjë e më tepër po marrin pjesë në ndërtimin e institucioneve në Kosovë.
Pjesëmarrja e mirë e serbëve të Kosovës në këto zgjedhje është mirëpritur gjerësisht. Në një rezolutë, menjëherë pas zgjedhjeve, Parlamenti Evropian mirëpriti “pjesëmarrjen shumë të mirë të serbëve të Kosovës” dhe i vlerësoi ato si “një tregues inkurajues se komuniteti serb i Kosovës është i gatshëm të marrë përgjegjësitë e veta në institucionet e Kosovës.”
 
Z. President,
 
Ne besojmë se zgjedhjet e nëntorit kanë krijuar një moment të ri në ndërtimin e një Kosove shumetnike.
Misionet vëzhguese të zgjedhjeve të 15 nëntorit në deklaratat e tyre përfundimtare i kanë përshkruar zgjedhjet si të lira, të drejta dhe demokratike. Delegacioni Ad Hoc i Parlamentit Evropian e mirëpriti në deklaratën e vet, procesin në vazhdim të decentralizimit dhe, si e kanë quajtur ata, ditën paqësore të zgjedhjeve në Kosovë. Deklarata e Presidencës së Bashkimit Evropian, “mirëpriti mbajtjen e rregullt të zgjedhjeve komunale,” si dhe pjesëmarrjen e gjerë të grupeve të ndryshme etnike.
Reagime shumë pozitive për zgjedhjet erdhën edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorët e shteteve të ndryshme të akredituar në Prishtinë, dhe OJQ të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Edhe PSSP-ja “e vlerësoi trendin drejt një pjesëmarrjeje më aktive nga komuniteti serb i Kosovës si një hap inkurajues drejt pajtimit afatgjatë dhe integrimit me komunitetin lokal.”
Pjesëmarrja në votime në komunat me shumicë serbe ka shkuar deri në 54 përqind, në Shtërpcë në raundin e dytë, përderisa në tri komunat e tjera të reja të Graçanicës, Kllokotit dhe Ranillug-ut, pjesëmarrja në votime ishte rreth 25 përqind. Si rezultat, ne tash kemi katër kryetarë të zgjedhur komunash nga partia SLS në katër komuna.
Zhvillimi i dytë që unë do të doja ta theksoja ishin deklaratat gojore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga 1 deri më 11 dhjetor 2009. Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Ministri i Punëve të Jashtme, ju drejtua Gjykatës më 1 dhjetor, duke ofruar informacion përmbajtjesor për procesin. Pasi të gjitha deklaratat drejtuar Gjykatës tashmë janë në dispozicion të publikut, më lejoni që të theksojë se, Republika e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata, që në rast se e sheh të përshtatshme që të përgjigjet në kërkesën për një mendim këshillëdhënës, sipas rezolutës 63/3 të Asamblesë së Përgjithshme, të gjejë se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk ka qenë në kundërshtim me asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës ndërkombëtare. Ne kemi besim të plotë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
 
Z. President,
 
Siç kam thënë në deklaratën drejtuar Gjykatës, ne nuk mund dhe nuk duhet të harrojmë krimet kundër njerëzimit dhe terrorin që Republika e Serbisë e ka ushtruar mbi popullin e Kosovës; gjëra të këtilla nuk duhet të përsëriten asnjëherë. Sido që të jetë, Z. President, Shkëlqesi, ne në Kosovë jemi të përkushtuar që të shikojmë kah e ardhmja.
Ne jemi të vendosur që të ruajmë paqen dhe sigurinë në Kosovë, dhe në rajon. Tash është më e sigurt se asnjëherë më parë se e ardhmja e përbashkët si për Kosovën ashtu dhe për Serbinë, dhe në të vërtetë për të gjithë kombet e Ballkanit Perëndimor, është në anëtarësimin përfundimtar në Bashkimin Evropian, ashtu siç thuhet në raportin më të fundit të Komisionit Evropian të tetorit 2009.
Ne po ashtu shikojmë kah dita kur do të mund të zëmë vendin tonë si Anëtar i Kombeve të Bashkuara. Zotimet e shprehura në Deklaratën tonë të Pavarësisë dhe në Kushtetutën tonë, demonstrojnë vullnetin tonë për të marrë përgjegjësitë e këtij anëtarësimi. Në vijë me këtë, Qeveria ime së fundi u pajtua për një projektligj që i mundëson Kosovës të zbatojë sanksionet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Shkëlqesi, gjendja e përgjithshme e sigurisë në Republikën e Kosovës është e qetë dhe e qëndrueshme, ndonëse gjendja në veri mbetet një çështje shqetësuese. Përpjekjet e shtuara dhe të vazhdueshme janë të nevojshme për të parë përmirësim të mëtejshëm të gjendjes dhe përparim në atë pjesë të Kosovës. Institucionet dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë bashkëpunuar ngushtë me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si dhe për të parandaluar veprime të mëtejshme shkatërrimtare të strukturave paralele dhe kriminale në veri.
Ndërhyrja skajshmërisht përçarëse e Qeverisë së Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës, dhe mbështetja për strukturat paralele ka vazhduar. I ashtuquajturi nominim i gjykatësve dhe prokurorëve për gjykatat në Kosovë i kohëve të fundit nga autoritetet e Serbisë ishte një sulm tjetër i rëndë në sistemin e gjykatave të Kosovës, siç duket me qëllimin e qartë të minimit të procesit në vazhdim të decentralizimit dhe themelimit të komunave me shumicë serbe. Ky është po ashtu një tentim për të bllokuar dhe minuar përpjekjet e përbashkëta të EULEX-it dhe Kosovës në vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjithë Kosovën përmes ndërtimit të institucioneve shumetnike. Ndërhyrja e vazhdueshme destabilizuese e Serbisë në vendin tim është e papranueshme dhe ajo duhet të marrë fund.
Kosova, nga ana e saj, do të vazhdojë të gjejë mënyra për të përmirësuar dhe forcuar edhe më shumë marrëdhëniet me fqinjët, përfshirë me Serbinë, dhe kjo mbetet një prej prioriteteve kyçe të Qeverisë sime.
 
Z. President,
 
Në fund, dëshiroj t’ju falënderoj ju dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit për mundësinë e dhënë që t’i paraqes pikëpamjet e Kosovës. Ne mezi presim të punojmë me të gjithë anëtarët e Këshillit, dhe në të vërtetë me të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara, për të promovuar qëllimet tona të përbashkëta të paqes ndërkombëtare, dhe të stabilitetit e të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.
 
Ju faleminderit!
Share