• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Lajmet BLIC - edicioni i dytë |
e Hënë, 25 Janar 2010 16:49 |
Dragash - Komunën tonë dje e ka vizituar kreu i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka shtruar një drekë solemne për anëtarët dhe simpatizantët e partisë së tij, të cilët i uroi për fitoren në zgjedhjet lokale të nëntorit. Në këtë takim joformal, kreu i PDK-së e ka uruar kryetarin e Komunës, Salim Jenuzin, për fitoren në zgjedhjet lokale, ku edhe sërish ky i fundit mori postin e të parit të komunës së Dragashit.
Në këtë aheng, Thaçi ka konfirmuar edhe njëherë se premtimet që i ka bërë gjatë fushatës, do t’i realizojë gjatë këtij mandati që do të ketë legjislatura lokale.
Dragash - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, do të mbështesë sektorin e pemëtarisë në Dragash, përmes subvencioneve me fidane të mollës, të varieteteve të ndryshme.
Flamur Sylejmani, zyrtar i lartë në Drejtorinë komunale të Bujqësisë, tha se për këtë subvencion është vendosur, duke pasur parasysh faktin se komuna jonë ka sipërfaqe të bollshme dhe mjaft të përshtatshme për pemëtari.
Përfitues të këtij subvencionimi, sipas Sylejmanit, do të jenë të gjithë ata, të cilët posedojnë sipërfaqe për mbjelljen e pemëve, prej 0.5 deri në 2 hektarë, ndërkaq, afati për aplikim do të përfundojë me 5 shkurt.
Prishtinë - Ministria e Energjisë dhe Minierave dhe organizata gjermane GTZ prezantuan projektin për poçet efiçiente, i cili ka të bëjë me kursimin e energjisë elektrike dhe zvogëlim të lirimit të dioksidit të karbonit.
Ky bashkëpunim është vazhdimësi e projekteve të bashkëfinancuara nga Qeveria Gjermane, ndërsa donacioni do të jetë nga Fondi i Hapur Regjional.
Projekti përkon edhe me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të miratuar në tetor të vitit të kaluar, ku të gjitha institucionet publike, nga shkurti i vitit 2010, janë të obliguara që në mjediset e tyre të përdorin për ndriçim poçet fluoreshente. Suharekë - Gjashtë persona janë arrestuar në fshatin Gjinoc të Suharekës, pas raportimit në polici të një sërë vjedhjesh.
Në mëngjesin e djeshëm, policia ka bastisur dy shtëpi në fshatin Gjinoc, ku ka gjetur gjësende, të cilat dyshohet të jenë të vjedhura në territorin e Komunës së Suharekës dhe më gjerë. Pos tjerash, policia ka gjetur tek këta persona edhe tri pistoleta dhe një sasi të narkotikëve.
Pas intervistave, në konsultim me prokurorin, dy të dyshuar janë ndalur në objektet mbajtëse të policisë, ndërsa katër të tjerë, ndër ta edhe një femër, janë liruar.
Prizren - Dje, rreth orës 14:00, një qytetar ka informuar policinë se në rrugën “Hafis Ismail Haki”, në një shtëpi banimi në Prizren, ndodhet një trup i pajetë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka biseduar me raportuesin e këtij rasti, i cili i ka thënë policisë se aty banonte Dragica Kryeziu, një plakë e vetmuar dhe se atë nuk e kishte parë të ketë dalë nga shtëpia për dy javë rresht.
Dëshmitari, së bashku me gruan e tij, kishin shkuar ta vizitojnë këtë plakë, por në oborr kishin nuhatur një erë të pakëndshme dhe kanë parë trupin e pa jetë të saj.
Emergjenca kishte arritur në vendin e ngjarjes dhe mjeku ka konstatuar vdekjen.
Prishtinë - Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, filluan sot fushatën parazgjedhore për zgjedhjen e kryetarëve të Prizrenit dhe Lipjanit.
Kandidat për kryetar të Prizrenit është Ramadan Muja, i PDK-së, dhe Hanefi Muharremi nga radhët e LDK-së. Ndërkaq, për të parin e komunës së Lipjanit konkurrojnë Shukri Buja, i PDK-së dhe Imri Ahmeti i LDK-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se ka ndërruar komisionarët në vendvotime, në dy komunat dhe se në ditën e zgjedhjeve, më 31 janar, do të shtojë numrin e tyre për të parandaluar mundësinë e shpërdorimit të votës.
Prishtinë - Siç raportojnë mediat serbe, grupi prej 20 serbësh, të arrestuar të shtunën nga policia e Kosovës, për shkak se kishin kaluar kufirin ilegalisht, janë liruar dje, pasi që për ta është paguar mbi 4 mijë euro kaucion.
Me vendimin e gjyqtarit komunal në Podujevë, grupi i serbëve është dënuar me mbi 4 mijë euro, për shkak se në fshatin Metërgoc të Podujevës, kanë hyrë nëpërmjet një rruge, e cila nuk parashihet si vendkalim kufitar.
Paratë për grupin e arrestuar serb i ka paguar komuna e Medvegjës.
Prishtinë - Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, ka deklaruar se rreth strategjisë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, do të konsultohet edhe me Beogradin dhe se zbatimi i tij nuk nënkupton zgjidhje të imponuar dhe as përdorimin e dhunës.
Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka vlerësuar se vendosja e pushtetit në veri të Kosovës, mund të zgjasë me vite – ndërsa ka theksuar se qëllimi i strategjisë është që të tentojë që qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës t’iu ofrohen kushte më të mira për jetë.
|