• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Lajmet - BLIC |
e Mërkurë, 10 Shkurt 2010 15:04 |
Prishtinë - Në përvjetorin e tretë të demonstratës së 10 shkurtit, kur humbën jetën dy dhe u lënduan mbi 80 protestues, Lëvizja Vetëvendosje sot organizon një manifestim, me një varg aktivitetesh. Pas homazheve tek varret e Mon Balajt në Besianë dhe Arben Xheladini në Prishtinë, aktivistët e kësaj lëvizje do të vendosin lule tek pllaka përkujtimore, në sheshin “Nëna Terezë”, që do të pasohet me shfaqjen e filmit “10 shkurti”, në kinemanë ABC.
Ky aktivitet përmbyllet me një akademi përkujtimore në Sallën e Kuqe, në Pallatin e Rinisë, dhe me një ekspozitë fotografish.
Prishtinë - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, uroi presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun, me rastin e dyvjetorit të pavarësisë së vendit tonë. Në mesazhin e presidentit Obama, thuhet se SHBA-të vlerësojnë partneritetin me Kosovën dhe se ky vend mbetet i përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në hapat e nevojshëm për të arritur aspiratat euroatlantike.
“Në emër të popullit amerikan, ju përgëzoj ju dhe qytetarët e Kosovës, në përvjetorin e dytë të pavarësisë së Kosovës. Dëshiroj të përgëzoj popullin e Kosovës për përparimin që ka bërë në ndërtimin e një shteti demokratik, paqësor dhe shumetnik”, thuhet mes tjerash në letrën e Obamës.
Prishtinë - Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës u shpreh i shqetësuar për shpërthimin e protestave dhe grevave nga sektorë të ndryshëm të Kosovë, ndërsa kërkoi nga Qeveria që urgjentisht të ulet me sindikatën për të biseduar rreth të gjitha kërkesave të mundshme, për të gjitha kategoritë e të punësuarve. BSPK po ashtu shprehu shqetësimin e saj lidhur me nivelin e dialogut social si dhe mungesën e vullnetit dhe interesimit të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për ta funksionalizuar atë dhe për të kërkuar zgjidhjet afatgjate për çështje të shumta që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve.
Prishtinë - Me një kërkesë nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Faith, dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Ambasadori gjerman në Kosovë, Hans-Diter Shtajnbah personalisht do të ndihmojë në krijimin e një kanali të pavarur televiziv në gjuhën serbe, që do ta mbulonte tërë Kosovën.
Shtajnbah ka deklaruar se me kënaqësi do të mbështesë interesin e serbisht-folësve të Kosovës, që ata të kenë informata që do të prodhohen dhe do të transmetohen nga brenda vendit dhe të kenë argëtim në gjuhën e tyre.
Prishtinë - Presidenti Fatmir Sejdiu, thotë se strategjia që parasheh integrimin e veriut të Kosovës është inkurajuese që në këtë pjesë të vendit të vendoset rendi dhe ligji. Ai shtoi se se strukturat paralele serbe duhet të shuhen përfundimisht dhe se personat që janë në krye të tyre dhe që kanë bërë vepra penale, duhet të përballen me ligjin.
Presidenti Sejdiu, në një intervistë për Radion “Deutsche Welle”, thotë se në veri të Kosovës edhe më herët ka pasur hapësirë që të veprohet.
Sipas presidentit Sejdiu, ka qenë një vonesë e paarsyeshme e shtrirjes së misionit EULEX, me të gjitha kapacitetet, në veri të Kosovës. Por, tash është e rëndësishme që të zbatohet strategjia për veriun dhe për këtë kërkohen veprime energjike.
Kukës - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Qinamak të komunës Surroj, në rrethin e Kukësit. Një plak 65 vjeç, dyshohet të ketë vrarë me armë zjarri një 33 vjeçar, babai i tre fëmijëve. Burime të policisë tregojnë se vrasja ka ndodhur në derë të shtëpisë së viktimës, kur plaku nga pistoleta ka qëlluar mbi viktimën, duke e lënë atë të vdekur në vend.
Drejtori i policisë, Ali Elezi, tha se vrasja mendohet të jetë kryer për motive të dobëta, por nuk specifikoi konkretisht. Ndërkaq, një burim tjetër i policisë, ka thënë se motivi i vrasjes ishte një sherr mes dy bashkëfshatarëve, për shkaqe pronësie.
Policia e Kukësi ka nisur një operacion të shpejtë, për kapjen e autorit, i cili ishte larguar nga vendngjarja, për t’i shpëtuar arrestimit.
Beograd - Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, deklaroi se ky misionin nuk ka qenë pjesë e përpilimit të strategjisë për integrimin e veriut në institucionet e Kosovës.
Kjo nuk është strategji e Bashkimit Evropian. EULEX-i beson se përparimi në veri mund të bëhet hap pas hapi, vetëm përmes dialogut, citohet të ketë thënë Kermabon, në një intervistë për gazetën serbe “Veçernje Novosti”.
“EULEX-i është për të ndihmuar institucionet e Kosovës në ndërtimin dhe forcimin e sundimit të ligjit, përfshirë këtu edhe veriun e Kosovës. EULEX-i është kundër të ashtuquajturave struktura paralele”, ka thënë Kermabo.
Beograd - Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se vendimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovës, vendi i tij e ka marrë në pajtim me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe gjithë rajonit.
"Ky nuk është vendim i ri, por prej vitit 2008, kur ministria e Jashtme mori udhëzime që të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Prandaj, na ka habitur reagimi i ashpër i një pjese të opinionit në Serbi", ka thënë Gjukanoviq për mediat e Beogradit.
Ai ka shtuar se Mali i Zi ka shfaqur ndjeshmëri, prandaj nuk ka shpejtuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
|