• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Izet Aliu ankohet - OVL e përkrahë! |
e Hënë, 22 Shkurt 2010 10:51 |
Kryesia e OVL e UÇK-së, në Dragash, ka shprehur shqetësimin e saj për largimin e pjesëtarëve të FSK-së, të cilët më parë kanë qenë ushtarë të UÇK-së, e më pas edhe pjesëtarë të TMK-së.
Në rastin e fundit, kur u larguan 14 pjesëtarë të FSK-së, është edhe kapiteni, Izet Aliu, nga fshati Brrut i Opojës, i cili ka qenë shkas që të reagojë kjo organizatë në Dragash.
Në një komunikatë për media, OVL e UÇK-së ka potencuar se Aliu kurrë nuk ka pasur probleme me Ligjin, prandaj shkarkimin e tij e konsideron se nuk është i bazuar në ligj dhe se është i pa drejtë. “Vendimi për ndërprerjen e shërbimit të kapitenit, Izet Aliu, në FSK dhe ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, është qesharak, i pa qartë dhe aspak arsyetues. Prandaj, reagojmë ashpër dhe se nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet identiteti i ish-pjesëtareve të UÇK-së dhe vlerave të Luftës Çlirimtare”, thuhet në komunikatën publike të OVL të UÇK-së, në Dragash.
Kapiteni, Izet Aliu, e ka dorëzuar uniformen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkë me 13 pjesëtarë të tjerë. Ai është përgatitur si pjesëtar i inteligjencës në FSK, por që papritur, atij ia komunikojnë zyrtarisht lajmin, se nuk është më pjesë e kësaj force. “Nuk e di pse”, thotë shkurt për “Radio Sharri” Izeti, i cili tregon bllokun e tij të shënimeve, ku ai ka evidentuar disa data, kur janë larguar edhe më parë pjesëtarë të kësaj force.
Sipas Aliut, çudia në këtë rast është, se pjesa dërmuese e të përjashtuarve kanë qenë më parë pjesëtarë të ish TMK-së, e para saj të UÇK-së. “Arsyetimet zyrtare për këto përjashtime janë të njëjta dhe ndryshojnë vetëm emrat e personave, të cilëve u ndërpritet marrëdhënia e punës në FSK. Kemi pranuar njoftimin, i cili na komunikon lajmin se na është refuzuar certifikata e verifikimit. Pastaj thuhet se, në mungesë të suksesit, shërbimi në FSK na ndërpritet dhe se ne duhet të largohemi nga FSK-ja”, sqaron Izeti.
Zyrtarët e Ministrisë së FSK-së nuk i konfirmojnë këto përjashtime, duke thënë se nuk kanë informacione dhe se për diçka të tillë, përgjegjësinë e ka KFOR-i. Por, zyrtarët e trupave të NATO-s në Kosovë janë kategorikë, se përgjegjësia për veprime i takon FSK-së dhe ministrisë së saj. Edhe Izeti mendon se është përjashtuar pa të drejtë, prandaj ka vendosur të ankohet, sepse, siç thotë, deri më tash e ka kryer punën e tij me nder dhe është i gatshëm të ballafaqohet edhe me drejtësi. “Unë jam i gatshëm që për gjithçka të jap përgjegjësi para institucioneve të Kosovës dhe popullit tim. Por, jam i bindur se në FSK ka shumë parregullsi”, thotë Aliu, i cili ka dorëzuar një padi ndaj FSK-së dhe komandantit të përgjithshëm të saj, gjeneralit Sylejman Selimi. Padia e Izetit, në këtë rast, ka të bëjë me vendimin e nënshkruar nga gjeneral Selimi, për largimin e tij nga puna. Ai kërkon rikthim në vendin e punës, ngase pretendon se përjashtimi i tij është bërë pa asnjë arsye.
Edhe pse në vendimin për largim nga puna, i shkruan qartë se nuk ka të drejtë ankese, para se të shkojë në gjykatë, Izeti është ankuar në zyrën e Avokatit të Popullit dhe Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. “E kanë regjistruar rastin, por më kanë thënë se fillimisht duhet t’i drejtohem gjykatës. Këtë e kam bërë. E nëse këtu nuk gjej drejtësi, do të shkoj deri në Strasburg”, thotë Izet Aliu, në një prononcim për “Radio Sharri”, duke këmbëngulur se kësaj çështje do t’i shkojë deri në fund. “Dua që drejtësia të dalë në shesh e të mos luhet me dinjitetin tonë, sepse e ndiej vetën se nuk jam fajtor dhe dua të kthehem në vendin tim të punës”, këmbëngul Aliu. |