• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Lajmet - BLIC |
e Martë, 23 Shkurt 2010 08:56 |
Vjenë - Autoritetet austriake thanë se, nga përplasja autobusit në Austri, kanë humbur jetën 6 persona dhe janë plagosur 36 të tjerë. Mësohet se autobusi i përkiste një firme nga Prizreni, por që bartte edhe udhëtarë të një firme nga Ferizaj. Të dhënat më të fundit tregojnë se dy, nga tre shoferët e autobusit, Dragan Mihajloviq nga komuna e Kamenicës dhe Ismajl Pajaziti nga Ferizaj, kanë humbur jetën, ndërsa vazhdon të kurohet në spital shoferi i tretë, Ramadan Veliu nga Mushnikova e Prizrenit.
Përveç tyre, në aksident kanë humbur jetën edhe Sadik Dellova, Mehmet Shkodra dhe Bashkim Bytyçi, ndërkohë që ende nuk bëhet i ditur emri i viktimës së gjashtë.
Prizren - Ekzekutivi prizrenas, në këtë mandat do të ketë dy resorë më shumë, duke ngritur numrin e tyre në 13 drejtori komunale.
Bisedat për formimin e qeverisë lokale janë në përmbyllje e sipër, megjithatë deri tash janë konfirmuar vetëm emrat e dy drejtorëve komunal, si dhe themelimi i sektorit për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm, që nuk ka ekzistuar deri më tash.
Fundjava ka kaluar me takime të shpeshta të subjekteve politike, të cilat kanë hise në pushtetin e ri lokal, por ende nuk janë përfunduar.
Prizren - Katër persona, të cilët po vidhnin material ndërtimor në një objekt në ndërtim, në lagjen periferike “Dardania” të Prizrenit, janë arrestuar, përderisa gjësendet e vjedhura bashkë me një kamion janë sekuestruar.
Zëdhënësi rajonal i policisë në Prizren, Hazir Berisha, tha se një qytetar ka informuar policinë se në këtë lagje persona të dyshuar po vidhnin materiale ndërtimore, kryesisht dërrasa, nga një objekt i cili ishte në ndërtim e sipër, ndërsa policia ka angazhuar njësitet në terren dhe shumë shpejt i ka ndaluar të dyshuarit.
Keln - Ish-shefi i UNMIK-ut, Søren Jessen Petersen, ka përsëritur qëndrimin e tij se, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Megjithatë, në një intervistë për Deutsche Welle, ai ka vlerësuar se progresi në Kosovë çalon në disa fusha kyçe, si në ekonomi, krijimin e vendeve të punës dhe sundimin e ligjit.
Kur është fjala për ekonominë, Petersen ka thënë se arsyeja qëndron në pasigurinë e vazhdueshme, lidhur me statusin e Kosovës. Ai shton se Kosova është e pavarur dhe kjo pavarësi është e pakthyeshme, megjithatë, sipas tij, për investuesit ende ekziston pasiguria dhe kjo sjell deri tek mungesa e investimeve më të mëdha, që do të krijonin vende pune.
Shkup - Policia e Maqedonisë ka konfiskuar rreth 140 kilogramë marihuanë, në rrugën Ohër-Resnjë, në afërsi të një fabrike.
Siç kumtoi Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, droga është me prejardhje nga Shqipëria, ndërsa përmes Maqedonisë duhej të përfundonte në territorin grek.
Sipas informatave të MPB-së, porositësi i kësaj dërgese ishte një shtetas grek, ndërkohë që sasia e drogës vlerësohet të jetë rreth 250 mijë euro. |