• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
e Martë, 11 Maj 2010 16:20 |
Dragash - Nesër, me fillim në orën 11:30, në Shtëpinë e Kulturës në Dragash, bëhet hapja zyrtare e ekspozitës së punëdoreve, vepra këto të grave nga komuna e Dragashit. Sipas koordinatores së projektit “Gratë e Dragashit ruajnë Kulturën dhe Traditën vendore”, Lindita Piraj, kjo ekspozitë e përmbyll projektin, i cili është implementuar nga Zyra për Barazi gjinore dhe Bordi Inicues i Grave në Dragash, me donacion nga UNDP-ja. Ajo u ka bërë ftesë të gjithë qytetarëve, me theks të veçante femrave, që të marrin pjesë në këtë ekspozitë, e cila do të mbetet e hapur tre ditë, të mërkurën, të enjten dhe të premten.
Dragash - Në një debat të kryesisë së degës së LDK-së, në Dragash, është vlerësuar se ky është momenti i fundit që të fillohet me punë të mirëfilltë, e jo vetëm të konstatohet gjendja.
Siç u tha në mbledhjen e së shtunës, kjo rutinë ende po vazhdon nga një pjesë e kuadrove të këshillit të përgjithshëm të LDK-së, për të cilin u tha se nuk është zëri i anëtarësisë së partisë. Halim Shemsidini, kryetar i degës, ka bërë të ditur se, së shpejti, Këshilli i përgjithshëm i LDK-së do të analizojë zgjedhjet, si dhe do të bëj ndryshimin dhe plotësimin e Statutit.
Shemsidini ka njoftuar Kryesinë se, pas zgjedhjeve partiake, të cilat duhet të përfundohen deri në nëntor të këtij viti, ai nuk do të mbetet kryetar i degës së LDK-së, por do të angazhohet maksimalisht për ta rikthyer këtë subjekt në qeverisjen lokale në Dragash.
Dragash - Duke përjashtuar Bibliotekën Publike në Dragash, në të cilën sadopak janë krijuar disa nga kushtet elementare për punë, bibliotekat tjera në komunën e Dragashit, jo vetëm që kanë mbetur me një fond librash nga koha e paraluftës, por ato veprojnë në kushte tejet të papërshtatshme për këtë veprimtari. Kështu ka thënë, Mehmet Shala, përgjegjës i bibliotekave në Dragash, duke shtuar se ai ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndryshuar gjendjen aktuale, por, për shkak të mungesës së përkrahjes institucionale, shumë pak është bërë në këtë drejtim. Sipas tij, në kushte mjaft të vështira punojnë bibliotekat në Bellobrad dhe ajo e fshatit Brod, të cilat më herët kanë pasur shumë lexues.
Dragash - Në kuadër të projektit “Një ambient i përshtatshëm – shoqëri për të gjithë”, personat me aftësi të kufizuara kanë kërkuar qasje të përshtatshme në objektet publike.
Ata kanë identifikuar ndërtesën e Komunës, Shkollën Fillore, Gjykatën Komunale, QKMF-në dhe Shtëpinë e Kulturës, të cilave iu mungon staza speciale për qasjen e personave me karrocë. Të tubuar rreth HANDIKOS-it, personat me nevoja të veçanta kanë kërkuar qasje pa pengesë në të gjitha objektet publike dhe planin e veprimit, ku përfshihet roli i organizatave ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Dragash - Në sondazhin e radios sonë, në faqen e internetit, lidhur me pastrimin e rrugëve nga bora, gjatë dimrit që shkoi, shumica e anketuesve i kanë dhenë notë pozitive firmave të kontraktuara për këtë detyrë, si dhe organeve komunale, të cilat kanë qenë të obliguara për pastrimin e rrugëve lokale.
Nga gjithsejtë 223 votues, 44.8% janë shprehur të kënaqur me gatishmërinë e treguar nga përgjegjësit për pastrimin e rrugëve nga bora. 30.5% kanë thënë se deri diku ishin të kënaqur, ndërsa 24.7% janë shprehur të pakënaqur me mirëmbajtjen e rrugëve.
Anketa e hapur për publikun, që nga muaji mars, ka nxjerrë në pah shkallën e kënaqësisë së qytetarëve, për angazhimin rreth mirëmbajtjes së rrugëve, ndërkohë që përgjegjësit kanë thënë se, ata kanë dhënë maksimumin në punën e tyre dhe se asnjëherë nuk ka ardhur deri tek bllokimi i rrugëve.
Kukës - Zyrtarë të kompanisë ndërtuese “Bechtel & Enka” kanë konfirmuar se më 21 maj do të rihapet tuneli i Kalimashit, i cili është pjesë e autorrugës që lidh Kosovën me bregdetin e Shqipërisë. Kompania ka kërkuar edhe ndihmën e policisë, që të mos lejojë, deri më 21 maj, qarkullimin e automjeteve me leje zyrtare, nëpërmjet tunelit, sepse kjo i pengon punëtorët.
Qeveria e Shqipërisë pat thënë se 15 maji është data kur do të lëshohet për qarkullim tuneli, por në fund të muajit të kaluar, zyrtarë të kompanisë ndërtuese njoftuan për një shtyrje të mundshme të punimeve edhe për disa ditë.
Prishtinë - Shefi i diplomacisë bullgare, Nikola Mladenov, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë, ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojë me Kosovën, në mënyrë që të bëhet më e lehtë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Ballkan. Ai gjithashtu ka shpalosur përvojat e shtetit bullgar, në luftën kundër këtyre dukurive negative dhe ka thënë se edhe Kosova duhet të ndjekë këta hapa, duke bërë reforma në gjyqësi, ndryshim në legjislacion, për ta ngushtuar mundësinë e korrupsionit dhe për ta bërë krimin më të dënueshëm.
|