• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Gratë e Dragashit ekspozojnë artizanate! |
e Mërkurë, 12 Maj 2010 21:32 |
Dragash - Në përfundim të një projekti që ka mbështetur UNDP-ja, e që e ka implementuar Zyra për Barazi Gjinore në Dragash dhe Bordi Inicues i Grave të Dragashit, pas një pune të suksesshme tremujore, të mërkurën, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Dragash, gratë nga dy komunitetet e kësaj komune kanë hapur zyrtarisht ekspozitën e punëdoreve artizanale.
Lindita Piraj, koordinatore e projektit “Gratë e Dragashit ruajnë Kulturën dhe Traditën vendore”, ka folur për punën tremujore që kanë bërë gratë e Opojës dhe Gorës, rreth përgatitjes së punimeve artizanale. “Projekti është realizuar me mjaft sukses, ngase, pos përfshirjes së drejtpërdrejt e më tepër se 300 femrave, ka pasur edhe efekt anësor tek shumë femra të tjera, tek të cilat është shtuar optimizmi, se me angazhimin e tyre, pos që kontribuojnë në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, i japin edhe një kontribut material familjeve të tyre.
Kjo ekspozitë, e mbështetur nga UNDP-ja, e përmbyll projektin tonë”, tha Piraj.
Për rëndësinë e realizimit të këtij projekti, i cili ka për qëllim ruajtjen e kulturës dhe traditën autoktone të këtyre trevave të Dragashit, të cilat kanë dallueshmëri ekstreme, njëherësh edhe për përfitimet materiale të femrave që janë kyçur në projekt, folën Salim Jenuzi, kryetar i Komunës, Xhejrane Lokaj, drejtuese e Bordit Inicues të Grave në Dragash dhe përfaqësuesja e OSBES-së, Valeria Vulkman, si nismëtare e fillimit të realizimit të këtij projekti.
Meqenëse ky projekt është realizuar me nismën e znj. Vulkman, gjatë pamjeve të vlerave që kanë shpalosur femrat e Dragashit, vetë ajo ka premtuar se është e angazhuar për realizimin edhe të disa projekteve tjera, të cilët do ta ndihmonin femrën e kësaj komune, për të dalë nga izolimi i trashëguar tradicionalisht. "Unë shpresoj se edhe në muajt e ardhshëm, do të realizojmë projekte të ngjashme, ngase edhe shoqatat e ndryshme dhe autoritetet lokale, kanë shprehur gatishmërinë për këtë", ka thënë Vulkman.
Ndërkaq, Xhejrane Lokaj, kryetare e Bordit Inicues të Grave të Dragashit, ka thënë se ky projekt ka peshën e vetë, edhe për faktin se gjatë takimit me femrat, janë identifikuar një varg kërkesa të tjera, për realizimin e të cilave duhet një angazhim i përbashkët i strukturave komunale, shoqatave të ndryshme dhe shoqërisë civile.
Në anën tjetër, gratë të cilat kanë sjellë punimet e tyre në këtë ekspozitë, kanë kërkuar nga UNDP-ja, që në projektet e ardhshme, të cilat pritet t'i realizojë në këtë komunë, me kujdes të shikohet ideja e hapjes së në një muzeu etnologjik, nga i cili përfitimet do të ishin shumëdimensionale.
Kjo ekspozitë, e cila do të mbetet e hapur deri të premten, përmbyll projektin “Gratë e Dragashit ruajnë Kulturën dhe Traditën vendore”, i cili është implementuar nga Zyra për Barazi Gjinore dhe Bordi Inicues i Grave të Dragashit. |