• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Zgatari - Fuqi energjetike?
e Hënë, 12 Tetor 2009 00:00

Furnizimi me energji elektrike vazhdon të jetë sfidë e pakapërcyeshme për Kosovën. Ndërprerje të shpeshta, çmime të larta dhe rrymë elektrike jo stabile, janë ende shoqërues besnikë dhe padyshim bezdisës të familjeve dhe bizneseve kosovare.Pos kësaj, kjo rrymë elektrike e prodhuar në Obiliq dëmton shëndetin e mijëra e mijëra qytetarëve jo vetëm në këtë lokacion, por edhe më gjerë. Çfarë duhet bërë atëherë? Cilat janë alternativat? Pyetje këto që e shoqëronin çdo ditë dhe çdo hap edhe prizrenasin Shukri Çela dhe të cilat, zatën, e shtynë të veprojë individualisht në këtë drejtim. Era ishte njëra prej mundësive që shpesh i shkonte në mend.

Me hapa të sigurt drejt cakut

Miqësia e vërtetë është një urë që hap shtigje të reja, thotë një urti. Kjo gjë vërtetohet plotësisht edhe në rastin e Shukri Çelës. „Një mik imi italian ishte ura e parë lidhëse me biznesmenët italianë“, fillon Shukriu. Që nga takimi i parë, ai ia kishte vënë vetes një detyrë fisnike - t´u dëshmojë dhe t´i bindë biznesmenët italianë se Kosova ofron mundësi të mëdha për biznes dhe se është një vend i sigurt për të investuar. Kësaj edhe ia doli. „Me biznesmenët italianë, që erdhën në Kosovë, kemi zhvilluar takime me të gjithë, duke filluar nga niveli komunal, ministror e deri në instancën më të lartë institucionale, pra me Presidentin e Kosovës. Prej çdonjërit kemi marrë përkrahjen e duhur“, shpjegon Shukriu, përfaqësuesi gjeneral i ndërmarrjes „Bondcom – Energy Point“ për Kosovë.  

Një angazhim maratonik ky, por tepër i domosdoshëm për të vazhduar në fazën tjetër vendimtare – gjetjen e pikave ku supozohet të ketë erë të mjaftueshme. Një ndërmarrje po aq e vështirë, kur kihet parasysh ky det i pafund bjeshkësh e kodrash me të cilat mbulohet Kosova dhe, siç dihet, jo secila nga to përkëdhelet pandërprerë nga era. Megjithatë, Shukriu iu përvesh punës dhe filloi bisedat me qytetarë në vendbanime të ndryshme anëmbanë vendit. Paralelisht trokiti edhe në porta të institucioneve përkatëse. „Ju drejtuam Institutit Meteorologjik të Kosovës, gjegjësisht drejtorit Sylë Tahirsylaj, ku gjetëm mbështetje të madhe. Bazuar në statistikat e institucionit që udhëheq ai, Kosova ofron një potencial të madh në këtë drejtim“, vërteton Shukriu. Ky ishte argumenti tjetër bindës për ndërmarrësit italianë, për ta bërë hapin e parë konkret investues prej rreth 300 000 eurosh, duke vënë „Anomometrat“, pra matësit e erës në katër lokacione. „Fshati Zgatarë i Dragashit, Budakovë i Suharekës, pastaj Istogu dhe Podujeva, janë pikat ku kemi vendosur fillimisht këto pajisje. Ato janë teknologji e fjalës së fundit dhe kryejnë matje në 60, 50 dhe 40 metra lartësi“, përshkruan ai këtë hap shpresëdhënës për energjetikën kosovare. Që nga muaji gusht, ato dokumentojnë saktësisht çdo lëvizje të erës dhe ato të dhëna pastaj do të jenë kyçe për hapin final investues. „Nëse rezultatet dalin pozitive, për të cilat shpresojmë dhe i presim me padurim, atëherë do të ketë parqe të tëra moderne energjetike në këto treva. Pra, vetëm në një lokacion do të ndërtohen deri në 50 impiante me erë, me ç´rast do të prodhohen deri në 100 megavatë energji elektrike. Të katër parqet do të prodhonin, pra, deri më 400 megavatë (vetëm sa për krahasim: gjithë kapaciteti prodhues i energjisë në Kosovë aktualisht është rreth 800 megavatë). Investimi total vetëm për një park ndërkaq, do të arrijë shifrën prej 150 milionë eurosh“, premton përfaqësuesi i „Bondcom – Energy Point“-it. Të dhënat e para konkrete priten të dihen pas rreth dy muajsh. Këto të fundit i mbajnë në ethe jo vetëm përfaqësuesit kosovarë e italianë të „Bondcom – Energy Point“-it, por edhe shumë të tjerë.

„Fat i madh për komunën tonë“

„Dhashtë zoti që rezultatet të jenë pozitive dhe të kemi një investim të tillë“, thotë Sali Asllanaj, kryetari i KK Suharekë. Kështu shpreson edhe Salim Jenuzi, kryetar i KK Dragash. „Nëse të dhënat dalin pozitive, atëherë kjo do të thotë shumë për komunën tonë. Kjo do të ndikojë në zhvillimin e metejshëm ekonomik, ku do të krijohen vende të reja pune, do të investohet në infrastrukturë, e kështu me radhë“, shton kryetari i KK Dragash. Përveç ruajtjes së ambientit, ndërtimi i këtyre impianteve pritet të krijojë një stabilitet energjetik dhe të ketë si rrjedhojë një zinxhir të gjatë investimesh. „Vendosja e kësaj kompanie italiane do të shërbente si shembull i mirë dhe do të tërhiqte edhe ndërmarrje të tjera të fuqishme. Mendoj që ky do të ishte një fat i madh jo vetëm për komunën që udhëheq unë, por edhe për tërë Kosovën“, pohon kryetari Sali Asllanaj. Njësoj mendon edhe Salim Jenuzi, i cili me ardhjen e kësaj firme pret që të zbulohen edhe më shumë bukuritë e shumta dhe të rralla natyrore të komunës që udhëheq ai.

„Diç me të cilën mund të mburremi të gjithë“ 

Derisa anomometrat çast për çast regjistrojnë përpikmërisht çdo rrymë ajri, Shukri Çela vazhdon me vlugun e njëjtë të punës. Fundja, ndërtimi është vetëm njëra anë e medaljes. Mirëmbajtja e impianteve ndërkaq, është edhe më e rëndësishme se vetë ndërtimi i tyre. „Pritet që në çdo park të punësohen deri në 100 veta. Midis tyre, do të kemi patjetër nevojë edhe për punëtorë të përgatitur profesionalisht nga lëmia e energjetikës. Lidhur me këtë, kam pasur po ashtu sukses“, konfirmon ndërmarrësi ambicioz. Nëse era nuk e lë në baltë ndërmarrjen kosovaro-italiane, atëherë pranvera e ardhshme nuk do të sjellë vetëm lule dhe gjelbërim për katër komunat e lartcekura. „Nëse matjet dalin pozitive, atëherë qysh në pranverë do të fillohet me ndërtimin e impianteve me erë“, garanton Shukri Çela, duke shtuar më tutje: „me ndërtimin e këtyre parqeve nuk do të mund të mburremi vetëm ne, por e tërë Kosova“. Në këtë drejtim, Shukriut dhe partnerëve të tij nga Italia, u urojmë që mundimi mos t´u shkojë kot, ngase Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë për një alternativë të pastër dhe të ripërtërishme energjetike. Energjia elektrike e prodhuar nga burime të ripërtërishme është edhe një kusht i patejkalueshëm për t´u integruar në Bashkimin Europian. Fundja, ky është po ashtu një cak të cilin e dëshirojmë të gjithë.

Share