• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
e Enjte, 04 Nëntor 2010 09:44

alma_lama
Alma LAMA - Analiste e pavaruar e ngjarjeve aktuale

Ka shume mënyra për të ardhur në pushtet, por një nga to është fati, për shkak të rrethanave. E tillë ishte, pak a shumë, fitorja e PDK-së në vjeshtën e vitit 2007. Ajo pati një rritje shumë të vogël të numrit të votuesve që ia besuan votën e tyre, mirëpo shkaku i vërtetë i fitores ishte disfata që pësoi LDK-ja, me humbjen e liderit dhe më pas përçarja e saj, pas kuvendit të karrigeve. Këto rrethana e bënë Hashim Thaçin kryeministër të Pavarësisë, siç ka qejf ai ta quajnë.
Të tjerat, më pas, si dobësimi i kundërshtarit, deri në shkatërrim, janë meritë ekskluzivisht e tij. Pas situatës paradoksale, të krijuar në fund të mandatit, por me skenar që në pikat kryesore duket se mban vilën e tij, kryeministri i rrëzuar ka arsye të forta për ta ëndërruar këtë karrige edhe një mandat tjetër. Po kështu ka arsye që të mbajë sërish sloganin "Krenohu me PDK-në", ose mund ta bëjë edhe më personal, të thotë "Krenohu me mua", meqë në paraqitjet e fundit televizive përemrin vetor UNË e ka përsëritur më me dëshirë. E pranojnë apo jo armiqtë e tij, ai përbën një rrëfim të suksesshëm për veten e tij, ashtu sikurse edhe partinë që e drejton dhe e menaxhon. A ka storje më të lezetshme në ditët tona dhe në zemër të Evropës, kur vartësit vijnë në një pikë të tillë që të thurin lavde si ato që Enver Hoxhaj, me perunjësi i recitoi ditën e rikonfirmimit në krye të partisë!?
Por, të kthehemi tek qeverisja trevjeçare e Hashim Thaçit dhe e PDK-së. Është e vështirë të bësh një analizë në pak rreshta, por disa gjëra kryesore të cilat e karakterizuan qeverinë 'Thaçi' duhen përmendur.
Muajt e parë të qeverisë së tij ishin ato të përgatitjes së procesit të pavarësisë. E tërë shoqëria ishte mobilizuar që gjithçka të shkonte pa probleme dhe ashtu ndodhi. Por, kur festa mbaroi, filloi jeta e vërtetë e shtetit të ri që duhej të çohej në këmbët e veta. Vite të tëra të përgatitjeve nën administratën e OKB-së, e cila kompetencat kryesore i rezervonte për vete, por ama institucionet e përkohshme patën kohë të mjaftueshme për të bërë praktikën, e mbi të gjitha për të mësuar se Kosova duhej të ngrihej si një shtet ku sundon ligji, duket se kishin shkuar kot.
Qeveria e kryesuar nga Hashim Thaçi, vendimet e saj më të rëndësishme nuk i mori asnjëherë brenda ndërtesës shumëkatëshe, ku e ka selinë. Ky vend ishte vetëm ekspozeja, pasi për fatet e qytetarëve të Kosovës, shumë herë u vendos nëpër kafene, në zyrat e PDK-së apo më keq nëpër labirintet e shërbimeve sekrete që nuk i kursyen as privilegjet, e as shantazhet. Të mos flasim këtu për vendime që u morën nëpër ambasada të akredituara në Prishtinë…
Thaçi qeverisi me dorë të fortë. Ai pati mbështetjen e plotë të partisë, të cilën e kontrollon, dhe po kështu edhe të LDK-së, deri në komplotin kundër presidentit, i cili u zu në faj nga Gjykata Kushtetuese. Pra, ndryshe nga situata e djeshme, kur u detyrua të kërkojë shkarkimin e vetvetes, ai gjatë gjithë kohës i pati të gjithë numrat e nevojshëm për të kaluar në Kuvend çfarëdo iniciative apo projekt të tij. U akuzua për kontroll të Parlamentit apo tempullit të demokracisë, për ndryshim të agjendës së tij sipas dëshirave momentale, mirëpo, me shkathtësinë e natyrshme që ka, Hashim Thaçi ia doli të mbyllë edhe gojën e mediave, të cilat kur është çështja për lirinë e fjalës, do të duhej t'i hidheshin në fyt.
Qeveria që erdhi në pikën kur u rrëzua me votat e veta, si pasojë e krizës, por në radhë të parë të interesit të vet PDK-së për zgjedhje sa më të hershme, pati një performancë në rënie. Tërmetet që i ndodhën në vitin 2009 dhe 2010, e dëmtuan rëndë reputacionin e saj. Rasti 'Bllaca', i cili denoncoi krimin e organizuar të SHIK-ut, fuqisë së vërtetë të Hashim Thaçit, ishte goditja më e rëndë që morën bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, praktikisht njerëzit që e bënë atë, ai që është sot.
Më pas EULEX-i bëri goditjen e radhës. Vënia nën hetime e ministrit më të fortë në kabinetin e Thaçit, Fatmir Limajn, shërbeu për të shkundur fuqishëm opinionin publik për dukurinë e errët të korrupsionit që kishte përfshirë çdo pore të qeverisjes. Akuzat për Limajn ende nuk janë vërtetuar, mirëpo lista prej 90 funksionarësh të lartë që gjendet në duart e EULEX-it, ku një pjesë janë personalitete të PDK-së, iu rri mbi kokë si fantazmë.
Nën qeverisjen e Thaçit Kosova rrëshqiti gjithnjë e më poshtë në rangimin e organizatave ndërkombëtare që monitorojnë zhvillimin e demokracive nëpër botë. Vetëm raportet më të fundit, ku Kosova fluturoi në humnerën e vendeve që s'dinë ç'është demokracia sundimi i ligjit, liria e fjalës, por janë të korruptuara në mënyrë të pandreqshme, ishte vërtet brengosëse.
Nuk është puna se qytetarët e thjeshtë presin raportet e organizatave ndërkombëtare për t'u mllefosur. Jeta e tyre e përditshme është aq e vështirë dhe e pamundur, sa që janë në gjendje të bëjnë vlerësime vetë, pa syze partiake. Lideri është shpërndarës i shpresës, ka thënë Napoleon Bonoparti. Mirëpo, kryeministri i Kosovës, me gjithë propagandën e fuqishme që ka pasur në dispozicion, ku rol parësor kanë luajtur mediat, gjithë këto vite, duket se ka bërë pikërisht të kundërtën, ta vrasë atë tek një pjesë e mirë e qytetarëve. Qeveria nuk pati as vullnetin të ndryshojë ligjet bazike që do të garantonin transparencë; ende mbeten qesharake gjobat për zyrtarët e korruptuar, ende s'ka mekanizma të ndëshkimit të zyrtarëve që fshehin pasurinë e për më tepër nuk deklarojnë se si e kanë arritur atë; ende nuk ka një ligj demokratik për zgjedhjet e aq më shumë një ligj për financimin e partive politike. Mbi të gjitha, ende nuk u miratuan ligjet për prokurorinë dhe gjyqësorin, pa të cilat nuk mund të pretendohet të ndërtohet një sistem i fortë i drejtësisë. E një gjyqësor i dobët dhe i manipulueshëm, i intereson vetëm atyre që janë zhytur në mëkate.
Në Kosovë krimi i organizuar është prezent dhe i ka shtrirë krahët në strukturat më të larta të shtetit. Shteti i ri, pas shpalljes së pavarësisë, ka hyrë në fazën e tij më të rrezikshme të funksionimit të një demokracie; atë të “state capture” apo kapjes së shtetit. Vendet përreth e kanë kaluar këtë fazë dhe po bëjnë përpjekje të fuqishme të spastrimit, sepse e kanë kuptuar se Evropa nuk ka vend për këtë model, mirëpo Kosova është ende larg.
Fatkeqësisht, Thaçi nuk ia doli dot gjatë kësaj kohe të realizojë formulën që përsëriti kaq shumë "Zero tolerancë" për korrupsionin apo krimin. Nuk pati vullnetin apo i pati duart e lidhura; kjo mbetet të shihet në të ardhmen. Por, kushdo e kupton se duart e lidhura nuk janë tjetër, veçse state capture.
Dhe në fund, nuk duhet harruar se një pjesë e madhe e mëkateve të kësaj qeverisjeje i takon edhe partnerit të deri pak ditëve më parë, LDK-së. Nëse jo gjë tjetër, ka heshtur dhe është bërë palë në të gjitha aksionet, duke shkelur parimet, për të cilat sot flasin me megalomani.
Së paku një gjë është e sigurt se, në zgjedhjet e ardhshme, parimet nuk do të mund t'ia shesin askujt, asnjëra nga partitë që ishte në pushtet gjatë këtyre tre vjetëve. Kjo teori nuk pi më ujë.
Share