Dragash - Gjithsejtë 11 subjekte politike, të cilat kanë shtrirje edhe në komunën e Dragashit, në zgjedhjet nacionale të 12 dhjetorit, do të garojnë me 32 kandidatë. Nga subjektet shqiptare, PDK-ja do të garojë vetëm me një kandidat, LDK-ja me dy, ndërkaq AAK-ja, LDD-ja dhe AKR-ja me nga një kandidatë. Ndonëse kanë shtrirje në këtë komunë, Balli Kombëtarë, Partia e Drejtësisë dhe Lëvizja “Vendvendosje”, nuk do të kenë kandidat nga Dragashi.
Nga subjektet politike gorano-boshnjake, koalicioni “Vakat” ka propozuar 5 kandidatë, GIG - 6, SDA - 2, ndërsa, me më shumë kandidatë (13 sish), do të garojë subjekti më i ri politik i këtij komuniteti “Partia Socialdemokrate e Gorës” (SPDK).
Dy subjektet më të mëdha ndër shqiptarët, PDK dhe LDK, shpresojnë në fitore të sigurt, ndërsa AAK-ja shfaq aspirata, por më shumë e konsideron këtë garë si test për të matur besueshmërinë e qytetarëve, por gjithnjë duke shpresuar se në këto zgjedhje do të kalojë më mirë se në ato paraprake. Edhe LDD e AKR, gjithashtu kërkojnë shansin, që më 12 dhjetor të tubojnë më shumë vota, por duket se janë të bindura që nuk do të mbledhin vota të nevojshme për ta futur kandidatin e tyre në Kuvendin republikan.
Njohësit e mirë të situatës politike në Dragash, janë të bindur se, pavarësisht angazhimit, mundit për të bërë fushatë dhe harxhimit të parasë e kohës, asnjëri nga kandidatët shqiptarë nuk do ta ketë nderin që të ulet në Kuvendin republikan, për shkak se asnjëri nuk do të marrë votat e nevojshme. Megjithëse, kur një fakt i tillë u thuhet në sy partive që garojnë, e sidomos kandidatëve, nuk u pëlqen dhe e refuzojnë këtë parashikim, duket se edhe vetë ata e dinë mirë se ky është realiteti. Por, e diela do ta dëshmoj me saktësi këtë fakt. Një gjë është e sigurt, sikurse partitë, ashtu edhe kandidatët, këto zgjedhje do t’i shfrytëzojnë si test për të parë se sa e kanë përkrahjen e banorëve të Dragashit, në mënyrë që, deri në zgjedhjet lokale, të ndryshojnë strategji.
Nga ana tjetër, ndonëse situata është mjaftë e paqartë në skenën politike të Gorës, ky komunitet e ka të sigurt një ulëse në Kuvendin shtetëror, në emër të “nacionalitetit” goran, të cilin e rezervon edhe Kushtetuta, si trashëgimi nga legjislacionet e UNMIK-ut, e të cilat u shfrytëzuan edhe gjatë propozimit të Ahtisarit, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Në zgjedhjet e fundit, ky komunitet ka fituar edhe ulësen e dytë, në emër të nacionalitetit boshnjak, e që ka shumë gjasa që edhe në këto zgjedhje të ndodhë kështu. Por, e veçanta është se GIG-u, kësaj radhe do të ketë konkurrencë, Partinë e re Socialdemokrate të Gorës, e cila shfaq aspiratat për ta fituar një ulëse. Ndërkaq, boshnjakët e Gorës, përpos që ndihen të sigurt se do ta fitojnë një ulëse në vendet e rezervuara, ata shprehin bindjen se një tjetër do ta fitojnë përmes votave, ku natë e ditë nuk lënë derë pa trokitur në këtë trevë, për të kërkuar nga popullata, në radhë të parë që të marrin pjesë në votime, e më pas, që votën t’ia japin koalicionit “Vakat”. Madje, krerët e këtij koalicioni disa herë kanë kërkuar edhe votën e shqiptarëve të Opojës, duke ua shfaqur skepticizmin se dikush nga shqiptarët e kësaj treve do të fitojë vota të mjaftueshme, për tu bërë deputet.
Deri në këto çaste, nëpër fushatat e partive politike, fare pak është dëgjuar ftesa për qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje, pavarësisht se kujt do t’ia jepnin votën. Por, në të shumtën e rasteve dëgjohet vetëm ftesa për të votuar partitë dhe numrat përkatës.
Sipas një sondazhi, të realizuar përmes ueb-faqes së radios sonë, në lidhje me pjesëmarrjen e qytetarëve në votimet e 12 dhjetorit, diç më shumë se gjysma e votuesve kanë thënë se nuk do të marrin pjesë. Nëse i referohemi këtij sondazhi, frika më e madhe do të duhej të ishte mospjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje, se sa vota e tyre.
Në pyetjen, nëse do të votojnë në zgjedhjet e nëntorit, 51% e votuesve kanë thënë JO, 43% janë përgjigjur me PO, ndërsa 6% janë shprehur të pavendosur. Vlen të theksohet se sondazhi është kryer, para se të filloj fushata dhe, mbase do të ndryshoj për të mirë, pas shpalosjes së ofertave nga partitë politike, të cilat mund të kenë joshur qytetarët për të marrë pjesë në votime.
Sido që të jetë, e mira është këtu se krerët e të gjitha subjekteve politike, janë zotuar se procesi zgjedhor, do të jetë i qetë, pa manipulime, transparent dhe demokratik, siç u ka hije qytetarëve të kësaj komune. |