Mbështetet certifikimin i pyjeve të Dragashit! |
Nga: Radio SHARRI
|
e Shtunë, 25 Dhjetor 2010 11:22 |
Dragash, 25 dhjetor 2010 - Menaxhimi dhe certifikimi i pyjeve të Sharrit, si pasuri nacionale, ishin tema të një punëtorie, të cilën e organizuan ditë më parë USAID-i, organizata finlandeze, FCS, dhe Agjensioni Pyjor i Kosovës. Në këtë punëtori është bërë e ditur se është hartuar një plan konkret, në lidhje me mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve. Hysen Shabanaj, përfaqësues i USAID-it, ka thënë se Grupi Punues tashmë ka hartuar draftin që përcakton standardet, të cilat pritet të akreditohen nga një organizatë e jashtme qeveritare. “Kjo ka për qëllim që ne të bëhemi pjesë e atyre vendeve, të cilat i menaxhojnë pyjet sipas standardeve më të avancuara. Ky proces nuk është obligativ por vullnetar, e që kontribuon në menaxhimin e pyjeve me standardet më të larta”, ka theksuar Shabanaj, duke sqaruar se certifikimi është një vlerësim i standardeve për menaxhimin e pyjeve që duhet të bëhet nga ndonjë organizatë ndërkombëtare. Sipas tij, planifikohet që në trevën e komunës së Dragashit, me tri zona pyjore, të certifikohen dy prej tyre. “E tëra kjo është ndërmarrë, për shkak se kanë dështuar iniciativat qeveritare. Po qe se mungon certifikimi, atëherë druri ynë nuk mund të plasohet në tregjet evropiane”, ka thënë ai. Ndërkaq, Naim Ramadani, ekspert rajonal i pyjeve, i ka njoftuar të pranishmit me të gjitha veçoritë e pyjeve të këtij rajoni, për të cilat tha se janë tejet cilësore. “Kjo trevë është shembull i mirë në vend për menaxhimin dhe mbrojtjen e pyjeve, falë vetëdijesimit të qytetarëve”, ka vlerësuar ai, duke potencuar se këto standarde duhet të plotësohen, para se të bëhet certifikimi. Hajrush Kurtaj, anëtar i Grupit Punues për Hartimin e Standardeve, u pajtua plotësisht me këtë konstatim dhe shprehu falënderim për popullatën e kësaj ane, e cila nuk i shkatërron pyjet sikurse që ndodh në shumicën e rajoneve të vendit.
Krejt në fund të këtij debati, është diskutuar edhe rreth parimeve dhe kritereve të FCS-së, si dhe rëndësinë e certifikimit të pyjeve.
|