Augsburg, 08 janar 2011 - Siç kanë mësuar burimet tona, i lënduari në aksidentin e së enjtes, në Gjermani, njëri nga drejtuesit e autobusit, Imran Hajrullahu, nga fshati Bresanë e Opojës, është shëndoshë e mirë dhe se të premten ka biseduar me familjarët, përmes telefonit. Mësohet gjithashtu se Imrani, sapo ia ka dorëzuar timonin kolegut të tij dhe eshte shtrirë për të pushuar, ka ndodhur aksidenti, midis autobusit të agjencionit turistik “Vector” dhe kamionit me targa italiane. Bëhet e ditur se arsye e aksidentit ka qenë rruga me ngrica. Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani, përmes një komunikate për medie, ka njoftuar për aksidentin, në autostradën afër qytetit Augsburg, në drejtim të Stuttgartit, në Republikën Federale të Gjermanisë. Ambasada e Kosovës, menjëherë ka vënë kontakte me organet e policisë gjermane, për të siguruar informacione lidhur me gjendjen e të lënduarve. Zv/konsulli në Stuttgart, Imer Lladrovci, dje i ka vizituar të plagosurit në këtë fatkeqësi dhe ka pasur takime me organet e policisë.
Ambasada e Kosovës njofton se, bazuar në burimet e autoriteteve gjermane, në autobusin kosovar kanë qenë 28 udhëtarë, prej të cilëve dy ishin ngasësit e autobusit. “Në ketë aksident, lëndime të lehta kanë marrë 23 udhëtarë, të cilët po trajtohen në spitalin e Augsburgut dhe, një pjesë e tyre, pritet të kthehen në shtëpi. Ndërsa, i lënduari rëndë, Faton Litaj, i cili për trajtim intensiv është shtrirë në spitalin ushtarak të Ulmit, është jashtë rrezikut për jete”, njofton Ambasada kosovare në Gjermani.
E para për këtë aksident, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA, ku saktësoi se në mëngjesin e së enjtes, në austostradën A8, në mes të Mynihut dhe Shtutgartit, në Gjermani, një kamion është ndeshur me një autobus, përplot me udhëtarë nga Kosova. Sipas njoftimeve të para nga policia e Augsburgut, në orën 7:15 të mëngjesit, kamioni me targa italiane dhe drejtues italian, është ndeshur me autobusin kosovar.
|