Dragash - Në të gjitha shkollat e komunës së Dragashit dhe, në përgjithësi, rajonit të Prizrenit, gjysëmvjetori i dytë filloi mbarë. Të dhënat nga terreni bëjnë me dije së kudo nëpër shkolla, mësimi ka filluar pa asnjë pengesë teknik.
Ndërkaq, sa i përket suksesit të nxënësve në gjysmëvjetorin e parë, rezultatet e shkollarëve nga komuna e Dragashit nuk ishin në nivelin e dëshiruar. Ky konstatim doli nga takimi i drejtorëve të shkollave të kësaj komune, organizuar nga Drejtoria komunale e Arsimit. Përkitazi më këtë, për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, është marrë qëndrim që i tërë angazhimi të fokusohet në përmirësimin e suksesit të përgjithshëm të nxënësve, gjatë këtij gjysmëvjetori, në ngritjen e nivelit të përgjegjësisë, si dhe avancimin e disiplinës së përgjithshme nëpër shkolla.
Duke iu referuar suksesit të nxënësve në shkollën e mesme “Ruzhdi Berisha” në Dragash, në takim është konstatuar se suksesi i nxënësve në gjysmëvjetorin e parë ishte nën 50 për qind, por që, krahasuar me atë të vitit të kaluar, megjithatë është shënuar ngritje pozitive e lehtë.
Sipas të dhënave që dolën nga ky takim, përderisa vitin e shkuar suksesi pozitiv në këtë shkollë, në gjysmëvjetorin e parë ka qenë 45. 65 %, këtë vit ai është 49.20%. Sukses më të mirë kanë treguar nxënësit e klasave të dhjeta. Në të njëjtin nivel është edhe suksesi i nxënësve boshnjak nga Gora, ndërkaq suksesi i filloristëve, në gjysmëvjetorin e parë ishte më i mirë se ai i gjimnazistëve, por jo në nivelin e dëshiruar, është thënë në këtë takim. Nga shënimet e kësaj drejtorie, poashtu vërehet se, në fillim të këtij viti shkollor, në gjimnazin “Ruzhdi Berisha” janë regjistruar 939 nxënës, prej tyre vetëm 47 boshnjakë. Kjo, sepse shumica e nxënësve nga treva e Gorës, ende i ndjekin mësimet në gjimnazin paralel, në fshatin Mlikë të Gorës, sipas plan-programeve dhe legjislaturës nga Serbia.
|