Dragashi kundër raportit të Dik Martit! |
Nga: Radio SHARRI
|
e Martë, 18 Janar 2011 10:40 |
Dragash, 18 janar 2011 - Me iniciativën e organizatave të dala nga lufta, edhe në Dragash u organizua aksioni për nënshkrimin e peticionit kundër raportit të Dik Martit. Ky aksion, i organizuar në hapësirën publike të qytezës së Dragashit, para ndërtesës së Komunës, është përkrahur masovisht nga qytetarët e komunës së Dragashit. Këtë e ka bërë të ditur, Galip Skeraj, drejtues i organizatës së OVL të UÇK-së, në Dragash. Sipas tij, gjatë pesë ditëve të para, këtë peticion e kanë nënshkruar rreth 2 mijë e 500 qytetarë të kësaj komune. Ai thotë se aksioni është organizuar edhe në qendrat më të mëdha të trevës së Opojës dhe asaj të Gorës. “Nënshkrimi i këtij peticioni ka zgjuar interesim të madh tek qytetarët e kësaj ane, të cilët janë të mllefosur tej mase ndaj këtij akti të pashembullt të prokurorit zviceran, i cili është ndërmarrë, me të vetmin qëllim që t’i shkaktoj dëme, sa më të mëdha, shtetit më të ri në botë, kur pritet të fillojnë bisedimet me Serbinë”, tha Skeraj.
|