Dragash - Në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, kushtuar dëshmorëve të kombit, vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni” organizoi në fshatin Kosavë dhe në Llopushnik orë letrare, ku të pranishëm ishin Karvani i shkrimtarëve nga Opoja, arsimtarë dhe nxënës të shkollave fillore “Ulina” dhe “Shaban Shabani”, si dhe përfaqësues të medias.
Ora letrare filloi në fshatin Kosavë, me ç’rast shkrimtari, Mirsad Kuteli, tha se ky manifestim tradicional mbahet për nder të dëshmorëve të kombit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, si dhe atdhetarëve të tjerë, të cilët ngritën zërin, sidomos në demonstratat e viteve ’68 dhe ‘81. “Ata e ndezën flakën e lirisë, të cilën e mbajtën të ndezur në vazhdimësi luftëtarët e lirisë, e që duhet ta vazhdoni, ju nxënës të dashur”, tha poeti Mirsad Kuteli. Ndërkaq, për biografinë e dëshmorëve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Nesim Elshani, etj., foli kryetari i Shoqatës Kulturore “Ymer Prizreni”, shkrimtari Bedri Halimi. Më pas, shkrimtarët e kësaj ane, Demir Reshiti, Ibrahim Skenderi, Ismet Lecaj, Bedri Halimi, Abaz Çengaj, Mirsad Kuteli, Hatim Neziri, Osman Bojaxhiu, si dhe artdashësi nga Prishtina, Vehbi Ejupi, lexuan poezitë e tyre me motive për dëshmorët e kombit. Edhe nxënësit e shkollës “Ulina” në fshatin Kosavë deklamuan poezitë e tyre që i kishin shkruar enkas për këtë orë dhe kushtuar dëshmorëve. Në fund, poetët dhuruan disa ekzemplarë të librave të tyre për bibliotekën e kësaj shkolle.
Karvani i shkrimtarëve e vazhdoi rrugëtimin edhe në Llopushnik, në shkollën fillore “Shaban Shabani”, në të cilën gravitojnë nxënës nga tre fshatrat e Opojës, Brezne, Buçe dhe Plavë.
Në hapje të orës letrare, drejtori i kësaj shkolle iu shprehi falënderime poetëve, të cilët në vazhdimësi po i mbajnë gjallë aktivitetet kulturore, përmes të cilave rikujtohet historia dhe tradita shqiptare. Më pas, moderatori dhe poeti i kësaj ane, Abaz Çengaj, bëri një prezantim të shkurtër rreth manifestimit. Ndërkaq, kryetari i Shoqatës Kulturore “Ymer Prizreni”, Bedri Halimi, njëherësh poet dhe aktivist i çështjes kombëtare, bëri një paraqitje të shkurtër për jetën dhe veprën e dëshmorëve të kombit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. “Aktivitete të tilla, për nder të të rënëve për liri, janë mbajtur edhe në të kaluarën, por duhet të mbahen edhe në të ardhmen, ngase dëshmorët meritojnë më shumë. Ata nuk kursyen asgjë, dhanë dhe më të shtrenjtën, që ne sot të festojmë pa frikë”, tha Halimi.
Edhe në këtë orë letrare, vargjet e tyre i recituan nxënësit e kësaj shkolle dhe poetët nga treva e Opojës. Këta të fundit dhuruan librat e tyre edhe për bibliotekën e kësaj shkolle.
|