Dragash - Policia Kufitare e Kosovës mori të shtunën kontrollin e një pjesë të kufirit me Maqedoninë, në jug të Dragashit. Në një ceremoni të veçantë u nënshkrua një marrëveshje mbi dorëzim-pranimin e përgjegjësisë për këtë pjesë të kufirit Kosovë - Maqedoni. Zyra për marrëdhënie me publikun e KFOR-it ka njoftuar se ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së pranim-dorëzimit të një pjese të kufirit me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, nga KFOR-i tek Policia Kufitare e Kosovës, u bë në Shtabin Qendror të KFOR-it në Prishtinë.
Marrëveshja e pranim-dorëzimit të përgjegjësisë u nënshkrua nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Erhard Bühler, ministri në largim i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi dhe zëvendësshefi i EULEX-it, Andrej Sparks,
ndërsa në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankulovska.
Në një konferencë për media, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Erhard Bühler, theksoi se ky transferim i kompetencave, nga Forcat e NATO-s tek Policia e Kosovës, bëhet në bazë të planit dhe të vlerësimeve paraprake për situatën në vend dhe shkallën e arritjes së nivelit të përgjegjësisë së forcave policore të Kosovës.
Ndërkaq, nga zyrtarët kosovarë këtë hap e vlerësuan si një arritje e re në marrjen e përgjegjësive të policisë kosovare.
Forcat e NATO-s po transferojnë nëpër faza kalimin e përgjegjësive, për ruajtjen e kufirit, tek forcat kosovare. Ndonëse ishte paraparë që kjo ceremoni te zhvillohej në vendngjarje, përkatësisht në Dragash, në momentin e fundit është anuluar kjo ide, pa dhënë sqarim nëse ishte moti i lig në pyetje apo diç tjetër. |