Furnizim më i mirë me barna esencialë! |
e Diel, 13 Shkurt 2011 01:22 |
Dragash, 13 shkurt 2011 - Furnizimi me barna esencialë, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash, po përmirësohet çdo vit e me shumë. Këtë e bën të ditur drejtori komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Ramadan Jashari, i cili thotë se gjatë vitit që lamë pas, QKMF-ja në Dragash ka qenë më mirë e furnizuar. “Në fillim të çdo viti, ne ia dërgojmë kërkesën Ministrisë së Shëndetësisë për nevojat e barnave esencialë, për gjithë vitin në vazhdim. Në këtë mënyrë, ministria për çdo muaj na dërgon kontingjentin e barnave që ne kemi kërkuar dhe ne më pas i shpërndajmë në QKMF-në e Dragashit dhe në QMF-të tjera në trevën e Opojës dhe atë të Gorës”, thotë Jashari, duke shtuar se, megjithatë, këto barna nuk janë të mjaftueshme përherë. Prandaj, shpjegon dr. Jashari, QKMF-ja, me mjetet e tubuara nga participimi i pacientëve, intervenon në sigurimin e atyre barnave, të cilat herë pas here mungojnë. “Assesi nuk guxojmë që të mbetemi pa ndonjë bar esencial. Kjo, sepse një gjë e tillë mund të ketë pasoja fatale për ndonjërin nga pacientët, kur kihet parasysh fakti se këtu, gjatë orëve të natës nuk punojnë as barnatoret private, ndërkaq për të shkuar në Prizren humbet shumë kohë. Kjo, natyrisht, një pacient në gjendje të rëndë mund ta sjell në pozitë të vështirë, mbase edhe me pasoja fatale”, vlerëson Jashari, duke shpresuar se gjatë këtij viti furnizimi me barna do të jetë edhe më i mirë.
|