Trajnohen blegtorët e trevës së Gorës! |
e Hënë, 21 Shkurt 2011 14:02 |
Dragash, 21 shkurt 2011 - Organizata HEIFFER, e cila synon shtimin e fondit të gjedheve me raca cilësore, kudo në vendet e varfra të të gjitha meridianëve, ka organizuar një trajnim me blegtorët e trevës së Gorës, anëtarë të OJQ “Vatan”, rreth reproduksionit të gjedheve dhe mënyrës së të ushqyerit të tyre. Në lidhje me këtë, Nevzat Hamza, ekspert i veterinës, i ka rekomanduar blegtorët që të bëjnë kujdes rreth trajtimit të gjedhëve, në mënyrë që të kihet më shumë leverdi nga puna që bëjnë. Ndërkaq, blegtorët, Veis Sherifi nga Krusheva, Bekim Lajko nga Glloboçica dhe Hazer Koska nga Zlipotoku, kanë vënë në pah problemet, me të cilat përballen blegtorët e kësaj ane, siç thanë, mungesa e pikave grumbulluese të qumështit, infrastruktura e dobët për qasje në kullota, si dhe ndihmat e pamjaftueshme në ushqim, nga ana e HEIFFER-it. Nga ana tjetër, Arsim Ademi, përfaqësues i HEIFFER-it, ka shfaqur pakënaqësinë e tij lidhur me mosrealizimin e duhur të pasimit të dhuratës nga ana e blegtorëve, të cilët, sipas tij, janë të obliguar që ta bëjnë këtë. “Ky është njëri ndër qëllimet e HEIFFR-it”, ka thënë Ademi.
Përkitazi me këtë, blegtorët janë arsyetuar se një numër i konsiderueshëm i viçave kanë qenë të gjinisë mashkullore, dhe se kjo ka paraqitur pengesë në pasimin e dëshiruar të dhuratës. Në përfundim, Arif Kushi, drejtues i OJQ “Vatan”, ka premtuar se do të formojë grupe veprimi në terren, me qëllim të mbikëqyrjes së veprimtarinë së blegtorëve të kësaj ane, e në veçanti në pasimin e rregullt të dhuratës.
|