Rinia e Dragashit parandalon trafikimin! |
e Premte, 18 Mars 2011 10:22 |
Dragash, 18 mars 2011 - Me qëllim të parandalimit të dukurisë së trafikimit me qenie njerëzore, të mërkurën ka filluar trajnimi katërditor, si projekt i organizuar nga Qendra Rinore në Dragash, mbështetur nga shoqatat AED, IOM dhe USAID. Nexhat Tërshnjaku, zyrtar komunal për Rini, në fillim të këtij trajnimi, ka thënë se realizimi i këtij projekti ka për qëllim sensibilizimin e të rinjve për një luftë të mirëfilltë kundër kësaj dukurie devijuese, e cila e ka prekur edhe rininë e vendit tonë. “Për të pasur një rini të shëndoshë, duhet të angazhohen të gjithë, jo vetëm institucionet përkatëse, por edhe subjektet tjera që mund të kontribuojnë në këtë drejtim. Rol të veçantë në parandalimin e kësaj dukurie, në radhë të parë ka familja, pastaj shkolla dhe rrethi ku jetojmë e veprojmë”, ka thënë Tërshnjaku, duke shtuar se të rinjtë e komunës së Dragashit nuk kanë qenë të prekur nga kjo dukuri brengosëse, por që kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të jemi vigjilentë për ta ruajtur këtë gjendje të mirë.
Sipas disa sondazheve, të cilat Tërshnjaku i bëri publike në fjalimin e tij, Komuna e Dragashit që kufizohet me Maqedoninë dhe Shqipërinë, ka filluar të bëhet urë transiti për trafikantët e qenieve njerëzore. Prandaj, shtoi Tërshnjaku, fushata të këtilla vetëdijësuese duhet organizuar edhe më shumë, në mënyrë që banorët e kësaj komune të përgatiten për tu mbrojtur nga njerëzit që kërkojnë edhe këtu viktima. Pjesëmarrësit e këtij trajnimi, kanë shprehur kënaqësinë e tyre, për faktin se të rinjtë e kësaj komune nuk janë të prekur nga kjo dukuri. Megjithatë, ata kanë theksuar se ekziston nevoja permanente për të qenë të gatshëm në parandalimin e çdo tentim për t’i involvuar të rinjtë e kësaj treve në këto dukuri.
|