Subvencionohen fermerët e Opojës! |
e Martë, 28 Qershor 2011 17:04 |
Dragash, 28 qershor 2011 - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit rural (MBPZHR), ka filluar të martën subvencionimin për fermerët e komunës së Dragashit, saktësisht, ata nga treva e Opojës. Këtë e bëri të ditur sot, Flamur Sylejmani, zyrtar i lartë i Bujqësisë në Dragash, sipas të cilit, nga këto subvencione, këtë vit kanë përfituar rreth 35 fermerë nga treva e Opojës. Ndërkaq, asnjë fermer nga treva e Gorës nuk përfiton kësaj radhe, për shkak se në këtë trevë, shkaku i konfiguracionit të terrenit, toka nuk punohet fare. “Për një hektarë tokë të punueshme, të gjithë fermerët që i plotësojnë kriteret, do të marrin nga 100 euro subvencion. Marrë parasysh faktin që sivjet janë mbjellë rreth 100 hektarë, fermerët do të përfitojnë rreth 12 mijë euro”, tha Sylejmani, duke njoftuar se këtë vit janë mbjellë 20 hektarë më pak se vitin e kaluar. Sylejmani ka thënë se, edhe këtë vit, toka bujqësore e “Sharrprodhimit” ka ngelur e papunuar, për shkak të mosdefinimit të pronësisë së saj. “Si pasojë e mosdefinimit të pronës së kësaj ndërmarrje bujqësore, qindra hektarë të tokës së bukës, nuk kanë mundur të mbillen”, tha Sylejmani.
Kohë më parë, Kuvendi komunal i Dragashit, ka marrë vendim që tokat e “Sharrprodhimit” t’i kthehen në pronësi Komunës, pasi ish sistemi ia kishte dhënë kësaj ndërmarrje në shfrytëzim dhe kjo e fundit i kishte kthyer në pronësi të vetë. Mirëpo, duket që ky vendim nuk do të jetë aq i fuqishëm, për ta realizuar këtë synim, pasi që Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), mëton që këto toka t’i nxjerr në shitje.
|