Qeveria e Kosovës bllokon mallrat serbe! |
e Mërkurë, 20 Korrik 2011 21:47 |
Prishtinë, 20 korrik 2011 - Me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për zbatimin e masave të reciprocitetit, në shkëmbimin tregtar me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. “Duke u nisur nga fakti se kanë dështuar arritjet e marrëveshjeve për njohjen e vulave doganore të Kosovës dhe për këmbimin e lirë të mallrave, në procesin e dialogut me Serbinë, në Bruksel, Kosova nuk do të njohë vulat doganore të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe do të aplikojë masën e tarifës doganore prej dhjetë përqind, për mallrat nga këto vende. Qeveria inkurajon dhe do të mbështes Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në zbatimin e këtij vendimi”, ka thënë kryeministri, Hashim Thaçi. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë mbështetjen e plotë të kabinetit qeveritar për vendimit rreth zbatimit të masës së reciprocitetit me këto dy shtete. Ajo ka njoftuar Qeverinë me vendimin që ka marrë, pas dështimit të raundit të gjashtë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Ky vendim është marrë duke u mbështetur në nenin 93, 119 dhe 145 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 4 të Ligjit për administratën shtetërore të Republikës së Kosovës dhe nenin 8 të Rregullores për fushat dhe përgjegjësitë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive. Për mallrat e Republikës së Serbisë, nuk njihet vulat doganore dhe vulat tjera administrative të të gjitha produkteve nga ky shtet. Do të ndalohet importi i të gjitha mallrave të përcjella me dokumente që përmbajnë këto vula. Gjegjësisht, ndalohet hyrja e këtyre mallrave në territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa nuk njihen vulat doganore të Republikës së Bosnjë e Hercegovinës, konform marrëveshjes për tregti të lirë dhe se do të vendoset taksë doganore, 10 përqind, në mallrat e përcjella me dokumentet që përmbajnë këtë vulë”, ka sqaruar Kusari-Lila, duke paralajmëruar qytetarët se nuk ka vend për shqetësim nga mungesa e mallrave, ngase, sipas saj, qysh tani kanë shprehur interesim për bashkëpunim dhe furnizim me ato mallra firmat nga Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia e madje edhe Turqia. Ministrja, Kusari-Lila, ka shtuar se është Serbia ajo që duhet të shqetësohet që e ka humbur një treg të tërë, siç është Republika e Kosovës.
|