Vritet, pasi lirohet nga paraburgimi! |
e Hënë, 19 Shtator 2011 00:10 |
Prizren, 19 shtator 2011 - Paraditen e së dielës, rreth orës 10:00, në rrugën “Pazari i Ri”, në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit, është vrarë me armë zjarri një qytetar. Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, e ka konfirmuar lajmin, por nuk ka dhënë më shumë detaje. “Një qytetar është vrarë, rreth orës 10:00, por ende nuk kemi më shumë informacione në lidhje me këtë rast”, ka thënë Berisha. Ndërkaq, burime zyrtare, brenda Policisë, bëjnë të ditur se viktimë e kësaj ngjarjes është Cenë Daka. Sipas këtij burimi, ende nuk dihen rrethanat dhe as kryesi i veprës. “Nuk i dimë rrethanat ende. Nuk ka diçka që mund të themi më shumë, ndërkohë që policia është duke i bërë hetimet”, ka bërë me dije ky burim. Mësohet se Cenë Daka, më 25 gusht ishte liruar nga paraburgimi, ku kishte qëndruar për disa muaj, i akuzuar për vrasjen e afaristit prizrenas, Sejdë Hoti, një vit më parë. Ai ishte liruar nga paraburgimi, pasi trupi gjykues i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prizren, i kishte konsideruar si të paligjshme provat e kryera gjatë hetimeve, përkatësisht bastisjes nga policia e Kosovës, në shtëpinë e të dyshuarit, e që ishte bërë vetëm me urdhëresë gojore të prokurorit dhe më pas, brenda afatit nuk janë mbuluar me shkresa të nevojshme.
|