Muammar Gaddafi është i vdekur! |
e Enjte, 20 Tetor 2011 15:13 |
Tripoli - Ish-lideri i Libisë, Muammar Gaddafi, është i vdekur. Vdekja e tij ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por mësohet se ai nuk u ka përballuar plagëve të marra, pas një sulmi që ndërmorrën në Sirte kundërshtarët e tij. Fillimisht u raportua nga mediat ndërkombëtare, se koloneli ishte plagosur, por më pas u njoftua se Gaddafi vdiq, gjatë transportit për në ambulancë. Në Spitalin e Misuratas, ish-dikatori mbërriti i vdekur, raportojnë mediat botërore. Koloneli u kap teksa po tentonte të largohej nga qyteti i tij i lindjes, Sirte. Por, një sulm i NATO-s, i mbështetur edhe nga rebelët, rezultoi me plagosjen e Gadafit. “Ai është kapur. Ai është i plagosur në kokë dhe në të dyja këmbët”, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” anëtari i Këshillit Kombëtar Tranzitor, Abdel Majid. Ministri i informacionit të Këshillit Kombëtar Tranzitor të Libisë, Mahmud Shamam dhe zëdhënësit Abdel Hafiz Goga dhe Abdullah Berrasali, thanë se Muammar Gaddafi është vrarë. Rrjetet e ndryshme televizive kanë transmetuar një fotografi, në të cilën shihet trupi i pajetë i Gaddafit. Sipas burimeve të mediave lokale, koloneli nuk ishte larguar asnjëherë nga vendi. Ndërkohë që televizioni shtetëror i Libisë njoftoi se koloneli po tentonte te largohej drejt Misurata-s, por nuk ia arriti qëllimit.
Gaddafi, i cili ka qeverisur Libinë prej vitit 1969, u rrëzua nga pushteti pas protestave që nisën në vend, në muajin shkurt. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kërkoi arrestimin e tij, nën akuzën për krime kundër njerëzimit, të kryer ndaj popullsisë libiane. Edhe pse lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, raportohet se ne mbare Libinë kanë nisur festimet.
|