• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Nga: Gëzim AJGERAJ   
e Martë, 13 Mars 2012 11:10

gezim_ajgeraj

Gëzim Ajgeraj

 
NË KUJTIMIN E BETEJËS SË 11 MARSIT `99, NË JESHKOVË!
 
 
Vërrini, kjo pikë e gjakut në gjeografinë e hartave të historisë së atdheut, është arena e të gjitha luftërave dhe përpjekjeve që i zhvilloi populli ynë në këto anë, gjatë shekullit që shkoi, kundër armikut dhe pushtuesit serb. Kosova, që tanimë kishte hyrë në vitin e dytë të vazhdimit të luftës çlirimtare kundër pushtuesit serb, në trupin e saj, Vërrinin e kishte plot e përplot plagë dhe gjak nga luftërat që u zhvilluan verën dhe vjeshtën e vitit `98, pa djemtë më të mirë të atdheut, si: Remzi Ademaj, Xhevat Berisha, Selajdin Berisha, Asim Berisha, Shefqet Berisha, Bekim Berisha, Alajdin Berisha, Naip Berisha, Shahadin Berisha, Ibrahim Osmanaj, Nehat Berisha, Agim Shala, Besim Shala, Avdi Shala, Fatmir Berisha, Tamil Shala, Milaim Thaçi, Refki Shala, Fejsali Hoti, Astret Poniku, Arsim Poniku, Nesim Krasniqi, Hasim Maliqaj, Beamir Memaj, Ylber Fanaj, Albrim Fanaj, Nexhat Fanaj, Muhamet Shemsedini, Xhymret Shemsedini, Sabri Maliqi..., të cilët dhanë gjithçka nga vetvetja për atdheun dhe lirinë. Gjakut të derdhur të dëshmorëve në Vërri, ju bashkohet edhe gjaku i shumë martirëve të kësaj ane, që në mesin e tyre kishte edhe fëmijë, pleq e plaka, që u flijuan në votrat e tyre shekullore; Asllan Berisha, Izair Berisha, Bajram Thaçi, Mursel Halilaj, Skender Mehmedaj, Ogush Kryeziu, Qazim Poniku, Kadishe Berisha, Merxhan Shala, Myrvete Shala, Fatime Shala, Hate Shala, Xhemil Krasniqi, vogëlushi Arlind Kryeziu dhe Idriz Krasniqi. Por, kullat e Vërrinit nuk ishin mposhtur! Prapë se prapë tymonin oxhaqet, prapë tymonin votrat, prapë frymonte jeta edhe gjatë dimrit të ashpër të Sharrit, dimrit të luftës dhe të rimëkëmbjes, për ta marrë fuqinë për luftërat e reja për pranverën e kuqe të Kosovës.
 
Lufta vazhdonte!
 
Syrin e pranverës e paralajmëronin luleborat që po sa kishin filluar t’i hapnin fletët, për ta thithur ngrohtësinë e rrezeve të diellit. Ndërsa, kthimi i luftëtarëve të lirisë (njësisë speciale) në Vërri, paralajmëronte shpresën se atdheu ka djem që i dalin zot përherë, në udhëtimin drejt dritës. Pra, me urdhër të komandës së zonës operative të Pashtrikut (komandant Drinit) dhe komandës së brigadës 125 të UÇK-së (komandant Nehat Basha), më 3 mars, nga Retia në drejtim të Vërrinit, u nisë njësia speciale, e udhëhequr nga komandant Samidin Xhezairi – Hoxha, për të arritur më 4 mars në Gjeq (Jeshkovë), në zonat më të dëmtuara nga betejat e mëparshme. Me vendosjen e luftëtarëve të lirisë në këtë fshat, nga familja e vetme që kishte mbetur aty, ishte kërkuar që të largohej nga fshati, sepse aty pritej një luftë e ashpër me okupatorin serb, ndërsa këtë situatë vazhdimisht e vëzhgonte edhe misioni i OSBE-së, me seli në Prizren. Ishte ky fillimi i riorganizimit të UÇK-së në këto anë, pas shumë betejave të përgjakshme që ishin zhvilluar më herët dhe pas rënies së shumë udhëheqësve dhe luftëtarëve të UÇK-së në Vërri, gjatë shtatorit `98.
Oxhaqet e kullave të pathyeshme i pritën krahëhapur djalërinë militante të pushkatarëve të lirisë me luleborat e para, si sy të pranverës së Vërrinit. Dhe, orët e historisë po rridhnin, bashkë me vrullin e lumenjve nga bora e Sharrit.
 
Fillimi i Betejës
 
Mëngjesi i 11 marsit, sapo kishte aguar. Tufat e borës së dimrit Vërrinas, shkëlqenin në dritën e diellit që sapo i kishte lëshuar rrezet, për t’i ngrohur filizat e pranverës që po fillonte. Ndërsa dita për luftëtarët e lirisë, majën e djalërisë shqiptare, po fillonte, jo vetëm me përditshmërinë e rregullit ushtarak, por edhe me lajmin e Valbona Shalës (zana e maleve të Vërrinit), se njësiti i motorizuar serb ka depërtuar në fshatin Hoçë të Qytetit dhe se është pozicionuar në drejtim të Jeshkovës. Ndërsa luftëtarët e lirisë, të vendosur në luftën për çlirimin e atdheut, ngjeshën armët dhe morën pozicionet për fillimin e luftës kundër armikut shekullor serb, lufta tanimë kishte filluar. Granatat serbe binin pa ndërprerë, nga të gjitha drejtimet, mbi luftëtarët e lirisë të cilët e morën sinjalin se këmbësoria armike po afrohej. Në çdo moment pritej fillimi i luftës ballë për ballë me armikun. Gjatë kohës, teksa forcat armike po granatonin, plagë të rënda merr luftëtari i lirisë, Ymridin Çengaj (baca Dinë). Granatimet serbe të njësitit tankist vinin nga drejtimi i fshatit Hoçë e Qytetit, duke gjuajtur edhe nga Shtavat, ndërsa me minahedhës të kalibrit 80 dhe 120 mm., nga drejtimi i Malësis së Vërrinit (ish Lybeqevë) dhe Kushtrimi (ish Billushë). Dhe, siç ishte parashikuar nga komandanti, Samidin Xhezairi, se armiku gjatë granatimeve e shfrytëzonte mundësinë për tu afruar pozicioneve të ushtarëve të UÇK-së, ashtu edhe kishte ndodhur. Ushtria armike, tanimë ishte afruar Jeshkovës. Lufta që zhvillohej ishte tepër e ashpër, luftë për jetë a vdekje. Por, luftëtarët e lirisë ishin të pathyeshëm, në mbrojtje të pozicioneve dhe të fshatit. Forcat e armikut, rreth 3 mijë e 800 ushtarë dhe 270 mjete të motorizuara, të angazhuara në këtë sulm, luftonin me 51 luftëtarë të njësisë speciale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të armatosura kryesisht me armatim të lehtë. Luftë zhvillohej nga të gjitha anët që e rrethonin Gjeqin (ish Jeshkovën) dhe, gjatë kësaj lufte, ushtarët e njësisë speciale dëshmuan trimëri, guxim dhe vendosmëri të pa shoq në luftën kundër okupatorit, duke i shkaktuar humbje të mëdha ushtarake. Derisa po zhvillohej luftë shumë e ashpër në Gjeq (ish Jeshkovë), në mes të ushtarëve të njësisë speciale të UÇK-së dhe armikut serbë, popullata civile e fshatrave Malësi e Vërrinit, Kushtrim dhe Hoçë e Qytetit, mbahej në rrethim të plotë nga ushtria dhe policia serbe.
Duke u kthyer gjithmonë në vijën e luftës, por në pamundësi për ta përshkruar gjithë luftën e 11 marsit `99, në Gjeq, lufta kishte vazhduar deri në orët e mbrëmjes, për të vazhduar mëpastaj edhe në orët e vona të natës. Në këtë luftë të pabarabartë numerikisht dhe ushtarakisht, në altarin e lirisë, në fushën e nderit, atje ku përherë thërret atdheu sa herë që rrezikohet liria, bien: Ymridin Çengaj (1959), Alajdin Xhezairi (1974), Bashkim Sukaj (1979), Hajdar Shala (1977), Feriz Susuri (1969), Hamit Thaçi (1970), Tahir Gashi (1977), Hysen Rexhepi (1973) dhe Skender Latifi (1970).
 
Nëntë lulet e pranverës së kuqe të 11 marsit 1999, në Vërri!
 
Ishin këta djem trima, të zgjedhurit e atdheut, që idealin e lirisë dhe luftën për të, e kishin të çelikosur në shpirt ndër brezni. Prandaj ora e madhe kombëtare, i gjeti me pushkë në dorë, duke i dalë zotë Kosovës për t’ia sjellë dritën – lirinë. Dhe liria i thirri edhe në Vërrinin e betejave të lavdishme të luftës së UÇK-së, për ta vazhduar amanetin e komandat Petritit, Xhevatit, Salajdinit, e sa e sa luftëtarëve të tjerë që i dha atdheu.
Varrimi i nëntë luftëtarëve të lirisë u bë në Pagarushë, me nderime të larta ushtarake, ndërsa ceremoninë mortore për dëshmorët e Vërrinit e patë hapur drejtori i drejtorisë civile-publike të zonës së Pashtrikut, Dr. Sabaudin Cena, ndërsa fjalën përmortore e patë mbajtur, Sadik Halitjaha. Kujtime për dëshmorët evokoi bashkëluftëtari i tyre, Basha, fjalët e cilit do t’i kujtojmë edhe sot: “Si mundë ta harrojmë trimërinë e komandant Hysenit, pastaj trimërinë e komandant Ilirit, apo zërin e bukur karshi trimërisë së Feriz Susurit, kur me çifteli këndonte këngë për trimëri. E si mundë ta harrojmë trimin, Tahir Gashi, atij trimi të pashoq, apo si mundë të harrohet burrëria dhe urtësia e njeriut plotë elan për liri, Hamit Thaçit, trimi Skender, baca Din – Alajdini”
Telegram ngushëllimi patë dërguar komandanti i Sh.P. të UÇK-së, Sylejman Selimi. Ndërsa, Njësiti i Nderit, nën komandën e komandant Bashës, gjuajti tri herë të shtëna nderi, në shenjë nderimi për dëshmorët e Vërrinit. Por, beteja e Jeshkovës, më 11 mars, nuk kishte përfunduar me rënien e këtyre nëntë luftëtarëve të lirisë. Po atë ditë, pa gjurmë u zhdukën Ymer Shala nga Jeshkova (plisbardhi i Vërrinit), Nuridin Shala, Ilmi Shala, Shahadin Gashi nga Kushtrimi, Rexhep Buduri dhe Femi Shala nga Hoça e Qytetit, Musli Gashi nga Atmaxha, Faik Begaj nga Banja e Malishevës, Besnik Kastrati nga Arbana, ndërsa në Malësi të Vërrinit, Bali Avdaj dhe Shemsedin Shala nga Kushtendili.
 
Orët e lirisë po afroheshin!
 
Do të evokoj në këtë shënim fjalët e një miku tim të pendës (Q.Th), i cili po ato ditë, tek e kishte parë njërin nga të rënët në këtë betejë, me sy që e mbanin shikimin kah dielli, shkruante: “Liria është shumë afër”.
Amanetin duhet vazhduar, ora e historisë s’duhet ndalur, bjeshkëve të Koretnikut po i rivinin djemtë e Vërrinit, zjarri i luftës ndezur duhej mbajtur deri në fitore. Vërrinit po i rikthehej luftëtari i pa epur i lirisë, Zafir Berisha, me shokët e tij, për ta rivazhduar luftën. Amanetin e shokëve, së bashku me, Samidin Xhezairin-Hoxhën, kundër okupatorit serb, deri në fitore. Data shënonte 14-15 marsin në kalendarë, Vërrini ende po i numëronte plagët e betejës të sapo përfunduar. Dhe, ditët që do të rrjedhin, bashkë me betejat e njëpasnjëshme, do të jenë edhe më të përgjakshme. Por, kësaj radhe armiku serb e mori goditjen e fundit, për tu larguar përfundimisht nga Kosova. Dhe, arrin 12 qershori `99. Në tokën e Arbrit e solli diellin e shumëpritur – Lirinë. E solli gjaku i djemve dhe vajzave më të mira të atdheut, bijtë më të mirë të orës së madhe kombëtare. Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Aleanca Veriatlantike - NATO.
 
 
Share