• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
edhe:
Gëzuar!
Nga: Radio SHARRI |
e Hënë, 03 Shtator 2012 13:47 |
Prishtinë - Kryetarja e Republikës, Atifete Jahjaga, uroi sot nxënësit dhe mësimdhënësit, për fillimin e vitit të ri shkollor 2012/2013. Në mes tjerash, në urimin e Jahjagës thuhet se shkolla shqipe ka njohur vite të rënda të punës së saj, në të kaluarën. “Ishin mësimdhënësit, ata që e mbajtën gjallë arsimin, në kohë të rënda. E rimëkëmbën dhe e zhvilluan më pas në kohë lirie. Ndaj, ata meritojnë falënderimet dhe urimet më të mira për punën e palodhshme me brezat e rinj, të ardhmen e vendit tonë”, thuhet mes tjerash në urimin e Jahjagës. Prizren - Një vjedhje e pazakontë ka ndodhur në Prizren, mesnatën e ndërrimit të muajve gusht dhe shtator. Policia e Prizrenit ka bërë të ditur se një qytetar ka raportuar se, gjatë orëve të natës, mes 31 gushtit dhe 1 shtatorit, persona të panjohur i kanë vjedhur skelën metalike, e cila ishte e montuar në një shtëpi që po ndërtohej, në rrugën “Flamuri”. Sipas raportuesit të rastit, vlera e skelës është rreth 8 mijë euro. Prandaj, policia e Prizrenit kërkon ndihmë edhe nga qytetarët, për të zbardhur këtë rast.
Shtërpcë - Një banor i fshatit Sredskë, ka raportuar në nënstacionin policor të këtij fshati, se dikush ia ka vjedhur gjashtë kavanoza me mjaltë, të cilën e kishte ekspozuar skaj rrugës, si reklamë për shitje. Sipas kallëzimit që është bërë në polici, tre persona që po qarkullonin atypari me automjet, janë ndaluar dhe i kanë grabitur kavanozat me mjaltë. Pas një plani të shpejtë taktik, policia ka ndaluar veturën e dyshuar, ku ka gjetur mjaltin e vjedhur, i cili i është kthyer më pas pronarit. Ndërkaq, duke e kontrolluar automjetin, policia ka gjetur edhe një pistoletë të llojit “Bereta”, me vetëm një fishekë në karikator.
Prizren – Një vjedhje e kuletës është raportuar mbrëmë në polici, nga një qytetar, i cili e kishte lënë automjetin e tij për ta larë, në një autolarje dhe aty, nga pakujdesia, i kishte rënë kuleta, e që e kishin marrë dy punëtorë të kësaj autolarje. Të dyshuarit, pasi kishin marrë 250 euro nga kuleta, e kishin hedhur atë në oborrin e një fqinji, me 200 euro të tjera brenda saj. Policia, pasi e ka hetuar rastin, ka arritur që t’i zbardhë faktet. Ka gjetur kuletën dhe, gjatë kontrollit që i është bërë në stacion, tek njëri nga të dyshuarit, janë gjetur edhe paratë tjera dhe një qese najloni, për të cilën besohet të jetë drogë e llojit heroinë.
Suharekë - Policia e Suharekës ka arrestuar dy të dyshuar, me mbiemër Cikaqi, për shkak të dyshimit të bazuar se, me datën 01 shtator, rreth orës 08:30, ata kanë vjedhur vegla pune në objektin e një ndërmarrje që ishte në ndërtim e sipër. Rreth orës 22:00, gjatë tentimit për t’i shitur këto vegla, në një kafene të fshatit Studençan, janë kapur nga policia, e cila, në konsultim me prokurorin publik, të dyshuarit i ka ndalur në polici.
Prizren - Policia e Prizrenit, mbrëmë ka sekuestruar një pistoletë, në një aksion që ka zhvilluar, rreth mesnatës, kur pjesëtarë të Njësisë speciale, në rrugën “Dervish Salihu”, kanë ndaluar një automjet dhe, tek një i dyshuar, kanë gjetur një pistoletë “Ekol Special”, me një fishekë brenda saj. I dyshuari i ka pranuar policisë, se një natë më parë ka shkrehur disa fishekë, pasi kishte pasur një aheng në familje. Prishtinë - Përfaqësuesit e Bashkimit evropian dhe institucionet e Kosovës, kanë arritur dje marrëveshjen për mandatin e EULEX-it, pas vendimit për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Risi në marrëveshje, në raport me atë çfarë është prezantuar në opinion, është mundësia e vazhdimit të mandatit të këtij misioni, edhe pas 15 korrikut të vitit 2014. Në këtë datë, fillimisht ishte propozuar që të ndërpritet mandati i Misionit të drejtësisë dhe policisë të Bashkimit evropian. Vendimi për vazhdimin e mandatit, edhe pas kësaj date, bashkërisht do ta marrin përfaqësuesit e BE dhe Kosovës.
Beograd - Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se qeveria e re e Serbisë “nuk do të luajë rolin e heroit”, rreth aplikimit të fusnotës për Kosovën. “Çështja kryesore është, nëse Kosova do të njihet ndërkombëtarisht, nëse serbët do të mbesin në Kosovë dhe nëse do të pranojnë legjitimitetin e institucioneve të Kosovës. Çdo gjë tjetër, është e parëndësishme. Ne nuk kemi më kapacitet, që të bëjmë luftë të kotë”, ka thënë Daçiq, duke sqaruar se asgjë e re nuk ka ndodhur, në lidhje me fusnotën dhe se do të zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel. |