• Rubrikat •
• Kërkimi i Shpejtë •
• Dita e FLAMURIT •
Thaçi kërkon votën për Salim Jenuzin |
e Hënë, 26 Tetor 2009 21:25 |
Vota juaj për PDK-në, është votë për ardhmërinë tuaj dhe fëmijët tuaj, u ka thënë kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, banorëve të pesë fshatrave opojane, të cilat i vizitoi të dielën. Në vazhdën e fushatës parazgjedhore, lideri i PDK-së, ka vizituar fshatin Bresanë, Blaç, Zgatar, Brrut dhe Plavë, për të shpalosur programin zgjedhor dhe për të kërkuar votën e opojanëve për Salim jenuzin, kandidat për kryetar të Dragashit, nga partia e tij. Gjatë takimit me bresanasit, ai i ka falënderuar për mbështetjen e tyre ndaj PDK-së dhe për atë, personalisht. “Kemi qenë këtu edhe më parë, prandaj ndjehem mirë që sot i shoh këto ndryshime që kanë ndodhur gjatë dy viteve të fundit, e që do të duhej të ndodhnin më herët. Këto ndryshime i filloi dhe po i vazhdon kryetari Jenuzi, të cilit i uroj sukses për të gjitha këto të arritura”, ka thënë Thaçi, duke e porositur Jenuzin që të vazhdojë realizimin, edhe të projekteve tjera, për të cilat i premtoi se do ta ketë përkrahjen e tij të plotë. Më pas, Thaçi i ka porositur të pranishmit për një fushatën të qetë, tolerante e demokratike, gjatë prezantimit të konkurrencës së vlerave, dhe të projekteve që dalin nga nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, për të cilat tha se do t’i realizojë Jenuzi, gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar. “Ndryshimet po i vërej edhe në këtë sallë të Shtëpisë së Kulturës, sepse e di se si ka qenë ajo më herët. Këtë e ka bërë Jenuzi dhe ekipi i tij. Ata për 18 muaj kanë bërë shumë për këtë komunë dhe për fshatin tuaj. E tëra kjo do të reflektohet në kuptimin më të mirë të mundshëm tek çdo familje e kësaj komune”, ka shtuar lideri i PDK-së, duke konstatuar se e tëra kjo nuk ka qenë e lehtë, ngase më herët këtu kanë munguar investimet. Thaçi ka vazhduar më tej, duke thënë se i njeh nevojat dhe kërkesat e këtij mjedisi... I njeh edhe projektet që duhet të realizohen këtu. “Nevojat tuaja duhet t’i zyrtarizoni si kërkesa, e unë ju jap fjalën time, me përgjegjësinë më të madhe, se çdo projekt i propozuar nga ju, e i prezantuar nga kryetari Jenuzi, do ta ketë përkrahjen time të plotë. Me punën tonë fituam në vitin 2007, me sukseset tona edhe kësaj radhe do të kemi një fitore bindëse, në shumicën e komunave të Republikës së Kosovës”, ka thënë kreu i PDK-së, para bresanasve, duke kërkuar votën e tyre për Salim Jenuzin, për të cilin tha se e ka mbështetjen e tij të plotë, mbështetjen partiake dhe atë shtetërore. “Me Jenuzin kemi realizuar shumë investime, por ju premtoj se këto investime do të jenë shumë më të mëdha. Ai për 18 muaj ka bërë më tepër se të tjerët për 8 vjet. Ju premtoj se katër vitet e ardhshme, do të jenë vite historike të investimeve në këtë komunë”. Në përfundim, Thaçi i ka ftuar banorët e kësaj ane, që më 15 nëntor të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për ardhmërinë e tyre - PDK-në. “Votën tuaj do ta kërkojnë edhe subjektet tjera, nëse nuk e kanë bërë këtë gjerë më tani. Do ta kërkojnë ata që e kanë udhëhequr më parë këtë komunë, por që kanë bërë shumë pak. E kuptoj dëshirën e tyre, por vullneti dhe dëshira juaj është e kundërt me dëshirën e tyre. Ata që kanë qenë në pushtet, i keni parë. Andaj, nuk dua që të ktheheni prapa. Presim votën tuaj për një fitore shumë të fuqishme”, ka nënvizuar lideri i PDK-së, duke i përkujtuar banorët se vota e tyre do t’i përcaktoj investimet në Dragash. “Presim fitore, që në raundin e parë. Le të jetë kjo komunë, shembull për punë të mirë, tolerancë dhe përparim. Unë do të jem me ju dhe gjithnjë pranë jush”, i ka porositur Thaçi e fshatrave të Opojës, Bresanë, Blaç, Zgatar, Brrut dhe Plavë. |