Prizren, 25 janar 2013 - Komuna e Prizrenit është duke bërë atë që është në kompetencë të saj, për të implementuar detyrimet që dalin nga Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit. Kështu ka thënë kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, duke shtuar se Kuvendi Komunal ka miratuar vendimin për formimin e Këshillit për Trashëgiminë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit, dhe se u mbetet edhe institucioneve të tjera që të bëjnë punën e tyre.
Në një takim që zhvilloi sot Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën, Samuel Zbogar, i ka nxitur kryetarët e Komunave të Prizrenit dhe Rahovecit, që të ndërmarrin hapa konkret për zbatimin e Ligjit për Qendrën historike të Prizrenit dhe Ligjit për Hoçën e Madhe. Zhbogar i ka ftuar kryetarët e këtyre komunave që të tregojnë përkushtimin e tyre, duke ndërmarrë hapa konkret për themelimin e Këshillave, që kërkohen me të dyja ligjet. Ndërkohë, një koalicion i organizatave joqeveritare, iu ka kërkuar vazhdimisht zyrtarëve komunalë dhe përfaqësuesve të organizatave fetare, që të mos dërgojnë përfaqësuesit e tyre në këta Këshilla, duke e arsyetuar këtë kërkesë me faktin se, sipas tyre, implementimi i këtyre ligjeve krijon disa “mini-shtete kulturore” të komuniteteve pakicë. Por, kryetari Muja deklaron se është praktikë e organizatave joqeveritare, që të drejtojnë kritika për çështjet, për të cilat vlerësojnë se duhet ngritur zërin. “Çështja është se Komuna vetëm i zbaton vendimet që i marrin organet qendrore. Edhe në rastin e Qendrës Historike të Prizrenit, ne na duhet ta kryejmë punën tonë”, ka thënë Muja.
Kohët e fundit ka pasur një fushatë të gjerë, për ta kundërshtuar miratimin e Ligjeve për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për Hoçën e Madhe, për shkak se, siç thonë kundërshtarët, pretendohet se me këto ligje i jepen kompetenca të mëdha Kishës Ortodokse. Kundërshtarët kanë thënë se Kosova është shtet laik dhe se dhënia e kompetencave të tilla për Kishën Ortodokse, e cenon këtë aspekt kushtetues.
Nga ana tjetër, mbështetësit kryesorë kanë qenë institucionet ndërkombëtare në vend dhe Qeveria e Kosovës, të cilët theksojnë se këto ligje janë pjesë e pakos së ligjeve të dala nga Pakoja e Ahtisarit. Prandaj, sipas tyre, është e domosdoshme që të zbatohen këto ligje.
|