• Kërkimi i Shpejtë •

• Lidhjet Direkte •

kpm_radio_sharri

komuna_dragash_radio_sharri

• Publicitet •

ambienti_radio_sharri_dragash

grill_sharri_radio

kolloni_radio_sharri

• Publicitet •

ilva_radio_sharri_dragash

• Publicitet •

publicitet_nje_radio_sharri

• Publicitet •

libri_radio_sharri

• Publicitet •

kufje_radio_sharri

• Dita e FLAMURIT •

edhe:
Gëzuar!
connect_radio_sharri_tring
Verza – Dje dhe sot!

Dragash, 14 mars 2013
- Sot është ditë feste, është “Verza”, e trashëguar brez pas brezi nëpër shekuj. Shumë pak nga fëmijët e dinë se, përse festohet 14 marsi. E rëndësishme për ta është se në këtë ditë kënaqen duke lozur.verza_opoja_festa Në dorë shumica mbajnë një qese të mbushur me vezë të ziera dhe të stolisura me lloj-lloj vizatimesh. Ato më pas i cakërrojnë me njëri-tjetrin, për ta nxjerrë në fund vezën fituese.
I ndjeri, Bahtir Sheholli, gjatë një interviste për Radio SHARRI-n, kohë më parë pati deklaruar se Verza nuk është festë e ndonjërit prej religjioneve aktuale ndër shqiptarët, por ajo ka ngelur nga paganët. “Opoja është një trevë karakteristike, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në Ballkan. Në Opojë më së miri janë ruajtur elementet pagane. Nuk është vetëm verza që festohet në Opojë, por janë edhe Shëngjergji, Jeremia, Shënkolli e shumë festa të tjera, të cilat me fanatizëm janë ruajtur në këto troje”, pati sqaruar Sheholli.
Gjeneratat që kanë një moshë mesatare, do ta mbajnë në mendje kur nata e verzës në Opojë, kremtohej pasditen e 13 marsit. Besimtarët që kishin trashëguar këtë festë nga paganizmi, besonin në diçka, pa e ditur se cilit religjion i takonte kjo festë. Beqarët e asaj kohe ndiznin zjarre të mëdha, dikur me dëllinja e më vonë edhe me goma të vjetra të automjeteve, ndërkohë që vajzat hidhnin valle rreth zjarrit, duke kënduar këngë, të cilat trashëgoheshin nga brezi në brez. Natën e verzës, plaka e shtëpisë gatuante flinë tradicionale, specialitet ky që edhe në ditët e rëndomta iu shërbehet mysafirëve më të dashur. Në mbrëmje, vajzat ktheheshin në shtëpi, duke kënduar këngë me tekste interesante, si “oj plaka e shpisë, a e qite rendin e flisë”. Ato sillnin buqeta me degë dushku, dëllinjash dhe bimë, të cilat, edhe pse të thara, i rezistojnë borës. I vendosin ato në derën e hyrjes së shtëpisë, duke besuar se ajo buqetë sjell fat. I ndjeri Sheholli pati sqaruar se këto doke bëheshin, duke besuar që ato sjellin pjellshmëri, si tek njerëzimi ashtu edhe tek natyra.
Sot, apo më saktë, që nga kthimi nga Shqipëria, ku jo shumë kohë qëndruan si refugjatë të luftës, banorët e Opojës, pothuajse e kanë braktisur këtë festë. I vetmi element që ka ngelur, është shëtitja nëpër rrugët qendrore të secilit fshat, me veshje moderne dhe nga më ekstravagantet, duke braktisur veshjet tradicionale që përdornin vajzat e disa dekadave më herët. Me një fjalë, sot Verza ka humbur çdo shije të saj. Kjo festë ka mbetur, vetëm një arsye më shumë, që vajzat të shëtisin rrugëve të fshatrave, ndërkaq, djemtë sillen vërdallë dhe bëjnë vlerësimin, se cilat nga këto vajza janë më të pashme, apo edhe për ta takuar të fejuarën, ose edhe vajzën, të cilës ia ka vënë syrin.
Në kohën e Internetit, telefonave mobilë dhe serialeve të shumta, festa që opojanët e ruajtën me shekuj, tashmë është zhdukur. Rrallëkush nga “plakat e shtëpisë” përgatitin flinë, si specialitet i kësaj dite. Asnjë djali nuk i shkon mendja, se duhet të ndizet zjarri, në një vend të hapur dhe larg fshatit, ku do të mblidheshin vajzat për të kënduar! Ata sot, me automjete lëvizin sa andej - këndej, nga njëri fshat në tjetrin! Atyre iu pëlqen vlugu i vajzave nëpër rrugë dhe, si asnjëherë më parë, vozisin me shpejtësinë minimale, duke vëzhguar, më shumë anash se sa përpara! Kjo zaten edhe i revolton drejtuesit e rëndom të automjeteve, të cilët shkojnë apo kthehen të lodhur nga puna. Shpesh edhe nevrikosen që rrugët janë të stërmbushura me të rinj, të cilët fare nuk e vrasin mendjen, mbase edhe nuk e kanë fare.
 Për dallim nga kohërat e paraluftës, kur vetëm pasditen e 13 marsit kremtohej kjo festë, si mbrëmja e fundit e dimrit, duke iu gëzuar së nesërmes që do të filloj pranvera, sot kjo festë kremtohet disa ditë rresht, me po të njëjtin ritëm.
 
Shqipëria kremton “Ditën e Verës” – Uron Sali Berisha 
 
Në gjithë Shqipërinë, më 14 mars festohet “Dita e Verës”. Në Elbasan, aty ku kjo festë është tradicionale, sikurse në trevën e Opojës, në Kosovë, festimet kanë nisur që mbrëmë, me koncerte të shumta në qendër të qytetit. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme kjo festë shënohet me një sërë aktivitetesh, ku muzika dhe festa vijojnë deri në agim.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për herë të parë iu ka uruar shqiptarëve këtë festë, përmes rrjetit të tij social, Facebook. “Të dashur miq, sot ne festojmë Ditën e Verës, festen tonë më të lashtë. Para nisjes për në Bruksel, ju uroj, së pari qytetarëve të Elbasanit, e më pas edhe kryeqytetasve dhe gjithë të tjerëve, Gëzuar Ditën e Verës, festën e luleve, lulëzimit, shpresës, gëzimit, haresë që sjell pranvera. Ju uroj shëndet, lumturi mbarësi dhe suksese”, thuhet në urimin e tij, të cilin e ka shkruar Berisha në Facebook, duke shpalosur dhe një kujtim personal për këtë festë. “Në fëmijëri, ne e festonim shumë Ditën e Verës. Për një javë rresht, me moshatarët e mi, mblidhnim dëllinja dhe shkurre, ngrinim një mullar, sa më të lartë me to dhe, më datën 6 prill, Ditën e Verës në Tropojë, në darkë e ndiznim zjarrin gjigant, vraponim neper tymin e tij dhe, më vonë, kur na mbante, edhe mbi prushin e tij. Gjella tradicionale e shijshme e asaj nate gatuhej me këmbët e pastermës qe thahej gjatë dimrit dhe ruhej vetëm për këtë darkë. Një ditë, 34 vjet më parë ,në Paris, tek prisja autobusin, profesori me të cilin punoja, befas e ndali makinën dhe me ftoi të shkonim direkt për drekë në shtëpi. E shoqja, ndonëse e panjohur, na priti me shume njerëzi. Shtroi drekën dhe rastisi të kishte gatuar këmbë pastërmëje. Kuptova se i shërbeu pak si me siklet, por, kur i tregova se këmbët e pastërmëe ishin gjella më e nderuar në festën tonë të lashtë, ajo nuk e përmbajti gëzimin. Kjo ishte dita ime e Verës në korrikun e vitit 1979, në Paris”, përfundon rrëfimin e ti kreu i qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha.
 
 
 
Share