Megjithatë, marrëveshja u ratifikua! |
Nga: Radio SHARRI
|
e Enjte, 27 Qershor 2013 20:52 |
Prishtinë, 27 qershor 2013 - Përkundër kundërshtimit nga “Vetëvendosje”, e cila fillimisht pengoi delegatët që të futeshin në Kuvend, e më pas edhe protesta brenda dhe jashtë sallës, me 84 vota për, tre kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo, pasi policia me forcë i ka larguar delegatët e VV’së, të cilët e kishin bllokuar për disa minuta vendin e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi. Madje kreu i VV‘së, Albin Kurti, ia rrëmben mikrofonin Krasniqit, duke e penguar që ta hedh në votim ratifikimin e marrëveshjes. Pas pushimit të detyrueshëm, të cilin e dha Krasniqi për dhjetë minuta, delegatët e VV’së ia kanë zënë karrigen atij, duke e pamundësuar kështu vazhdimin e seancës. Ata mbanin në dorë pankartën me mbishkrimin “Kosova e Hashimit”. Njësia speciale e policisë, i ka larguar edhe protestuesit e Vetëvendosjes, të cilët po qëndronin ulur para hyrjes veriore të Kuvendit.
Policia ka arrestuar disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, në mesin e tyre edhe sekretarin organizativ të saj, Dardan Molliqaj. Ndaj veprimeve të protestuesve kanë reaguar ministri, Enver Hoxhaj, si dhe deputetët, Adem Grabovci e Zenun Pajaziti. “Situatat e tilla janë të papranueshme. Kryetari i Kuvendit dhe ministri i Brendshëm duhet të krijojnë kushte që secili deputet të hyjë në Kuvend”, ka thënë Hoxhaj. Ndërkohë, Jakup Krasniqi ka thënë se është përgjegjës, vetëm brenda Kuvendit dhe jo jashtë tij.
|