Edvin Rama, e nisi me Prishtinën! |
Nga: Radio SHARRI
|
e Premte, 13 Shtator 2013 12:19 |
Prishtinë, 13 shtator 2013 - Kryeministri i ri i Shqipërisë, Edi Rama, tha sot në Prishtinë se vizita e tij në Kosovë, në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë, është një kapitull i ri bashkëpunimi për të çuar përpara procesin e harmonizimit të interesave të përbashkëta, në funksion të mirëqenies së shqiptarëve. Rama ka folur edhe për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar se kjo marrëveshje e ka mbyllur përfundimisht historinë e përgjakshme të ish-Jugosllavisë. “Kjo marrëveshje ka hapur para nesh faqen e një historie të re”, ka thënë ai në konferencën e përbashkët për media, me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Rama është zotuar për një bashkëpunim, më dinamik, mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke premtuar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. “Ne kemi rënë dakord, që të fillojmë procesin e qeverisjes strategjike, që do të thotë se, qëllimet dhe objektivat do të përcaktohen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, ku çdo ministër do të jap llogari për projektet e përbashkëta”, ka thënë Rama.
Kryeministri i ri i Shqipërisë, i shoqëruar nga një delegacion i lartë qeveritar, është pritur me ceremoni shtetërore në Prishtinë. Në sheshin “Skënderbeu”, përveç Gardës së Nderit, ai është pritur edhe nga shumica e ministrave të Qeverisë së Kosovës.
|